Shqipëria e panjohur nënujore, ja çfarë thesarësh fshehim! (Foto)

13.02.2017 21:47:48

Auron Tare, Artan Lame dhe Artan Shkreli, ‘tre musketieret’ e trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare, ishin sot bashkë për të promovuar një tjetër thesar shqiptar.

Agjensia Kombëtare  e Bregdetit të Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar të Shqipërisë për UNESCO-n organizuan  ekspozitën “Pasuritë nënujore të Shqipërisë”. Rreth 30 fotografi të vendosura në ambientet e Pedonales në kryeqytet, dëshmojnë pasuritë e jashtëzakonshme  të funddetit shqiptar. Drejtori i Agjensisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare thotë për dritare.net se nëpërmjet këtij projekti të nisur 10 vjet më parë, mund të njihet ose edhe ndryshohet historia, ku prova janë materialet e gjetura.

“Zbulimet që ne kemi bërë kanë shumë rëndësi, pasi konceptet historike që janë vendosur, mund të ndryshojnë. Më parë besohej se bregdeti i lirë ka qenë i mbushur me piratë. Në të vërtetë nga gjetjet,ka shumë materiale që e hedhin poshtë . Nëpërmjet këtyre zbulimeve kemi kuptuar që në zona të ndryshme ka pasur shumë shkëmbime tregtare.

Pasuritë nënujore janë një aspekt i panjohur i trashëgimisë tonë dhe ato kanë nevojë të mbrohen e pasqyrohen. Është një projekt i cili ndodh në kuadër të një bashkëpunimi me një grup amerikanësh. Ata kanë sjellë pajisjet më të sofistikuara dhe kanë dhënë një fond gati 3 milion euro. Ne kemi skanuar gjithë funddetin e Shqipërisë, nga jugu deri në Vlorë.”

Sipas Tares, detet e Shqipërisë nuk kanë vëmendjen që meritojnë, duke bërë qe këto pasuri kulturore të mos përdoren dot për atë që shërbejnë më shumë,  zhvillimin e turizmit. “Këto zbulime – shton Auron Tare, për dritare.net, jo vetëm që sjellin një këndvështrimë tjetër të pasurive tona kulturore, por shërbejnë shumë edhe për zhvillimin e turizmit. Flasim për një pasuri të jashtëzakonshme si në pjesën e trashëgimisë kulturore dhe të pasurive bimore dhe shtazore, që janë një atraksion më vete.

Edhe  këtë vit do të vazhdojmë me kërkime, ku më tepër do përqëndrohemi në gjirin e Vlorës. Kjo ishte faza e para, njohja me këto zbulime. Më pas vjen pjesa e dytë, krijimi i një muzeu për paraqitjen e këtyre pasurive nënujore. Projekt i cili pritet të realizohet.”- e mbyll Tare për dritare.net

Artan Shkreli, këshilltar i Kryeministrit për kulturën, e cilëson ekspozitën si mundësinë më të mirë për t’u njohur me nëndetin shqiptar dhe bën thirrje për sensibilizim të publikut që të mos shkatërrojnë këto monumente.  “Përmbajtja e kësaj ekspozite është shumë interesante dhe e paparë më hershem. Tani mund të flitet për një arkiv dhe fototekë të mirëfilltë të këtyre gjetjeve me karakter historik-arkeologjik,  por edhe natyror e biologjik.

Është një fat i madh që shumica e njerëzve nuk i janë qasur zhytjeve, në të kundërt një pjesë e madhe e kësaj pasurie do të ishte dëmtuar. Po kalojmë në kohëra shumë të vështira përsa i përket trashëgimisë tonë, agresioni i biznesit dhe reagimi ligjor, i kanë vënë në mbrojtje pasive monumentet. Në këtë mënyrë ato dëmtohen. Por ekspozita të tilla rrisin sensibilizimin e publikut, sepse në fund janë njerëzit që shkaktojnë, si mbrojtjen ashtu edhe shkatërrimin e monumenteve.”- shprehet Shkreli. Ndërkohë për dritare.net, Artan Lame, drejtor i ALUIZNIT-t, bën thirrje institucioneve të marrin masa në mbrojtjen e këtyre pasurive të nëndetit, në të kundërt ato do të degradohen.“Kjo është një trashëgimi e mrekullueshme e cila deri tani flinte e pazbuluar. Është e domosdoshme që tani që po e zbulojmë, të jemi në gjendje edhe ta mbrojmë. Sepse zbulimi pa mbrojtje, do të çonte në degradimin dhe masakrimin e këtyre pasurive.  Auroni bëri pjesën e tij për t’i shpalosur publikisht, që ato të mos përfundojnë si mrekullitë e mbi tokës, institucionet shtetërore duhet të marrin masa. E para të bëhet një ligj për trajtimin e pasurive të nëndetit dhe e dyta ka të bëjë me kontrollin e të gjitha zhytjeve e licencave që jepen. T’i jepet vëmendja e duhur, detit shqiptar” – thotë Lame për dritare.net