Shqipëria fiton me dinjitet ndaj Lihtenshtejnit

07.10.2016 00:30:52

Shqipëria arriti të marrë sonte maksimumin e pikëve ndaj  një kundërshtari modest si Lihtenshtejn. Edhe pse me disa mungesa të theksuara, trajneri De Biasi arriti të marrë 3 pikë të padiskutueshme.

Në konferencën për shtyp të ditës së djeshme ai i kërkoi lojtarëve të tij ta marrin seriozisht sfidën dhe të qëndrojnë me këmbë në tokë. Ka qenë Hyka që në minutën e ‘12, i ka dhënë një gol Shqipërisë. Pjesa e parë u mbyll 0:1 për Shqipërinë. Ndonëse ekipi kuq e zi, dominoi gjatë gjithë kohës, nuk arriti që të shënonte një gol të dytë.

Rezultati është thelluar në pjesën e dytë, ku goli është shënuar nga Bekim Balaj. Ndeshja është mbyllur me rezultatin 0:2, për kombëtaren tonë. Ky rezultat i ka kënaqur shumë tifozët shqiptar që ishin në stadiumin  e Lihtenshtejnit dhe padyshim të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Në minutat e fundit, lojtarët e skuadrës kundërshtare kanë treguar shenja të theksuara nervozizmi, ku nuk munguan as dënimet me karton të verdhë. Me rezultatet e deritanishme, Shqipëria renditet e para në grup me 6 pikë, lë pas Spanjën e Italinë. Dy skuadrat e fundit janë përballur sonte me njëra-tjetrën dhe rezultati u mbyll me barazimin 1:1. Italia mundi që të garantojë një pikë, nga një 11-metërsh, të realizuar nga De Rossi.