Shqipëria i ka mbi 90 mijë teste për COVID-19

07.07.2020 16:37:08

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ka më shumë se 90 mijë teste për identifikimin e rasteve të reja me Covid-19.

Manastirliu e bëri këtë deklaratë gjatë vizitës në Institutin e Shëndetit Publik, ku tha se pritet që së shpejt të instalohet një aparaturë e re testimi, për fuqizimin e kapaciteteve laboratorike në vend.

“Më shumë se 90 mijë teste janë të disponueshme në Institutin e Shëndetit Publik dhe do të vijojë fuqizimi i kapaciteteve laboratorike, qoftë nëpërmjet numrit të testeve, kiteve të laboratorit, gjithashtu dhe fuqizimit me aparatura të reja për ta fuqizuar këtë laborator për të përballuar atë që mund të vijë nesër.

Çfarë është e rendësishme është që ne kemi një plan, kemi një strategji për forcimin e laboratorit të ISHP-së, por edhe për fuqizimin e laboratorit të QSUT-së. Gjithashtu kemi dhe një plan më afatgjatë në raport me testimin edhe në raport me gjurminin dhe hetimin epidemiologjik”, tha Manastirliu.

Ajo njoftoi se shumë shpejt do të hapet dhe laboratori i dytë në QSUT për testimet molekulare.

“Është shumë e rëndësishme në këtë fazë bashkëpunimi i qytetarëve. Është një strategji që ka rezultuar shumë efikase deri tani, por është një strategji që kërkon bashkëpunimin e të gjithëve”, u shpreh Manastirliu.

Manastirliu tha se do të vijojë komunimimi me qytetarët në mënyrë që ata të respektojnë masat e vendosura.

“Ne përgatitemi për më të keqen, duke shpresuar për më të mirën. Dhe më e mira është në dorën tonë, është në dorën e gjithë qytetarëve, duke zbatuar masat. Do të vijojmë me komunikimin e riskut me qytetarët në mënyrë që ata, mbi të gjitha ata të dinë që nëse mbrohen vetë, sigurisht që mbrojtja e tyre individuale ndikon gjithashtu edhe në mbrojtjen e atyre që kanë afër”, apeloi ministrja.