Shqipëria ngec në drynin italian, të kaltërit fitojnë 2-0

24.03.2017 22:59:58

Shqipëria humbi 2-0 në Renzo Barbera me Italinë ndeshjen e parë zyrtare, me të kaltërit që fituan pikërisht nëpërmjet  lojës për të cilën shqiptarët u dashuruan me të kaltërit përtej Adriatikut, me një hedhje brenda në zonë që solli një penallti në pjesën e parë, e një finalizimi me kokë në të dytën pas një goditje dënimi. Një fitore tipike italiane përballë një Shqipërie që u përpoq ta luante këtë ndeshje si e madhe, përpara një publiku të jashtëzakonshëm që madje dhe u “skuq” nga veprimi i disa personave të papërgjegjshëm që coi në ndërprerjen e sfidës për rreth 14 minuta, por që gjithsesi nuk e zbehu emocionet e një sfide të tillë, e një miqësie të përhershme italo-shqiptare që u bë e prekshme dhe nga përshëndetja e përshpëritjet e përzemërta mes Buffon e Agollit në momentin e hedhjes së monedhës. Italia në fakt pati meritën se e interpretoi këtë ndeshje, me stilin e saj më të mirë, dhe pse që në sekondat e para, kuqezinjtë u duk sikur gjetën celësin për të hapur drynin e kaltër, ku Cikalleshi nuk arriti të finalizojë një kombinim me Roshin me topin që kaloi ngjitur me shtyllën e Buffonit. 3 minuta më pas provoi dhe Roshi si për të treguar se kuqezinjtë nuk ndihen inferiorë. Në minutën e 11-të megjithatë, Italia bëri Italinë, me Belottin që prekje e Bashës, e shfrytëzoi për të rrëmbyer penalltinë, të cilën De Rossi e shndërroi në gol. /supersport.al/