Shqipëri:‘CEZ’, dënohet me 11 vjet burg Kastriot Ismailaj, sekuestro pasurisë prej 4 mln $

25.10.2017 23:00:37

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 11 vjet burg Kastriot Ismailaj, ish-administratori i kompanisë DIA, i cili akuzohet se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka përvetësuar një shumë prej afro 5 milionë eurosh, nga CEZ. Gjithashtu gjykata vendosi sekuestrimin e pasurisë prej 4 mln eurosh.

Kastriot Ismailaj akuzohet për mashtrime në vlera të konsiderueshme me anë të mashtrimit në dëm të shtetit shqiptare, ne kohën kur ishte administratori i DIA.

Paratë e CEZ-it

Prokuroria ka faktuar se shumica e 4.6 milionë eurove që Kastriot Ismailaj ka përfituar nga marrëveshje të dyshimta me CEZ-in, për mbledhjen e borxheve, janë transferuar jashtë vendit, ndërsa vetëm një pjesë e vogël janë shpenzuar në Shqipëri. Mësohet se DIA apo Ismailaj ka pasur që në vitin 2008 rreth 5 milionë USD, të cilat janë ende në këto llogari bankare, por të bllokuara.

Më pas, Ismailaj ka lëvizur në llogaritë e tij bankare miliona euro, ku vetëm në vitet 2010 dhe 2011 ka përfituar rreth 4.6 milionë euro, që dyshohet se kanë si burim kompaninë çeke CEZ Shpërndarje. Mësohet se Ismailaj është treguar “i zgjuar”, duke zbrazur me shpejtësi çdo qindarkë nga paratë që ka marrë prej CEZ-it.

“Ekspertët kontabilistë verifikuan kalimin e shumave nga njëra llogari në tjetrën të disa shoqërive të Kastriot Ismailajt. Biznesmenit i janë sekuestruar pesë milionë USD, pasi ka bërë disa lëvizje të dyshimta të parave në vitet 2005 – 2008. Ai ka marrë mijëra euro nga disa shoqëri me aktivitet të dyshimtë.

Ndërkohë, pas vitit 2010 ai bëri marrëveshje me CEZ-in për mbledhjen e borxheve, ku kompanitë e Ismailajt do të përfitonin 50 për qind të të gjithë shumës që do të mblidhej. Kompanitë nuk ndërmorën asnjë aksion dhe përfituan rreth 4.6 milionë euro, pa bërë asnjë veprim. Të gjitha paratë që morën nga CEZ-i, kompanitë që administroheshin nga Kastriot Ismailaj i shpenzuan të gjitha, duke zeruar edhe llogaritë”, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit.

Akuza thotë se paratë janë dërguar jashtë Shqipërisë, në disa vende që njihen si “parajsa fiskale”. Faturat e tyre janë regjistruar si shpenzime pushimesh apo blerje të pasurive të patundshme, në disa vende ekzotike