Shqipëri:Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ndërpret fjalën Berishës: Koha kaloi, ulu mos e tepro

12.09.2017 18:52:11

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka ndërprerë fjalën ish-kryeministri Berisha, pasi koha e këtij të fundit kishte mbaruar gjatë fjalimit të tij në Parlament.

Ndryshe nga sesionet e kaluara, kur Berisha kishte kaluar kufirin kohor për të diskutuar nga foltorja, Ruçi i është përmbajtur premtimit, duke mos e lejuar të kalonte kohën e diskutimit që është vendosur për çdo deputet.

“Ulu zoti Berisha, i the të gjitha at që kishte për të thënë. Mos më detyro që në këtë seancë të vijoj marrjen e masave që parashikon rregullorja. Zoti Berisha, ulu mos e tepro tani, as në planin etik dhe as në atë procedural”, – i është drejtuar Ruçi ish-kryeministrit, i cili nuk ka bërë shumë rezistencë para keut të ri të Kuvendit. Pas këtij momenti, Berisha ka lënë sallën e Parlamentit.

Gjatë fjalimit të tij, Berisha i ka bërë Ramës një ftesë aspak të zakontë. “Hajde të shkojmë të bëjmë bashkë testin e drogës, ku të duash”, ka thënë Berisha, i cili më pas ka vijuar akuzat.

“E mbushe Shqipërinë me drogë. Opozita, ose duhej të pajtohej me këtë, ose duhet të ndiqte kushtetutën morale dhe qëndroi kundër. E denoncoi kudo. Edhe tani janë tonelata drogë që presin të shiten. Qeveria jote është qeveria e drogës dhe kushtetuta morale nuk e pranon atë”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, lidhjet me botën e krimit për kryeministrin Rama kanë qenë një domosdoshmëri për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve.

“Që një kryeministër të shtrijë influencën e tij përtej ligjit instrumenti i duhur është krimineli. Ata marrin përsipër të vrasin. Zotërisë i duhet krimi për t’i thënë kryetarit të opozitës ‘e nxorre kokën në dritare…’. I duhet për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve, për ta përdorur si hanxhar kundër mediave. A mund të jetë kjo një shumicë e kushtetutës morale? Jo, kurrën e kurrës”, ka thënë Berisha.