Shqipja, gjuha e perëndive, pastaj e jona

13.01.2018 23:03:10

NgaArjan Çuri

Thuhet se zotat e Olimpit flisnin greqisht, dhe për këtë nuk ka askush dyshim, por sipas disa studimeve të disa albanologëve shqiptarë dhe ndonjë shumë të apasionuari nga jashtë, greqishtja e tyre, nuk ishte veçse dialekt i shqipes, sepse kur ata thoshin thyra, ishin sikur të thoshin dera. Ose ne themi është, për este të grekëve të lashtë. Një gjë është e sigurt, zotat e Olimpit dinin ndonjë fjalë shqip, ose nëse Prometeu, kur u dha zjarrin grekëve, mund të kishte kaluar më përpara në Shqipëri dhe u mësoi ca fjalë nga gjuha e tij, shqiptarëve.

Sigurisht, që këtu ai nuk e la zjarrin, se ne kishim mësuar ta ndiznim me eshkë e gur stralli përpara grekëve, mbasi i kishim shumë qejf flakët, madje akoma i kemi, kur dalim turma nëpër sheshe, ndezim edhe aty ndonjë gjë për t’u ngrohur.

Diku tjetër lexova se edhe Krishti fliste shqip, po ky nuk ishte nga Olimpi, edhe pse e njihte greqishten, ai edhe realiteti judaik ku jetoi. Ai herë pas here fliste një gjuhë, që askush nuk e kuptonte, pra që nuk ishte as greqisht, as latinisht, as hebraisht se do e kishin kuptuar.

Me shumë mundësi do qe shqip, se shqiptarët edhe pse flasin shqip me njëri-tjetrin, nuk është se kuptohen aq shumë, aq sa u duhet ambasadorëve të huaj ta mësojnë shqipen, që të na përkthejnë sa herë që nuk merremi vesh mes vedi, duke na thënë, si të votojmë, si të bëjmë ligjet e marrëveshjet, e kë të arrestojmë e të mos lirojmë.

Pra, shqipja sot, përveçse gjuhë e zotave të Olimpit, e Krishtit që ishte biri i Zotit të hebrenjve, po bëhet edhe gjuha e ambasadorëve. Dashtë Zoti që e ka shpikur si gjuhë edhe këtë mes të tjerave, që të fillojë të kthehet edhe gjuhë ndërkombëtare diplomatike, se derisa e flasin të gjithë qiellorët, pse të mos e flasin edhe të gjithë tokësorët?

Ditët e fundit, shqip, zyrtarisht, do të flasë edhe Maqedonia, e cila, mbasi e përqafoi de jure këtë gjuhë që flitej prej shekujsh në ato troje, do t’i duhet të ndryshojë edhe emrin, nëse do të integrohet në organizmat euroatlantikë. Por derisa partia që kishte pushtetin deri para pak kohësh aty, nuk e votoi ligjin, kjo do të thotë, që edhe Maqedonisë iu urdhërua nga Olimpi që të flasë shqip. Kush është ajo në fund të fundit që të refuzojë të flasë gjuhën e Perëndive?

Se e engjëjve është që është si gjuhë, nëse engjëjt nuk do flisnin shqip, si do merreshin vesh me Perëndinë? Po djalli, sigurisht që edhe ai flet shqip, po ndoshta dialektin dogançe, pasi ai flet me kode, shqipja e tij nuk duhet të kuptohet.

Nga kjo rrjedh edhe pasuria e shprehjeve tona frazeologjike, që tjetër gjë themi e tjetër kuptojmë. Sikundër edhe mallkimet që janë aq të pafundme, saqë duhet një fjalor që t’i mbajë të gjitha.

Njëherë, duke udhëtuar, shoferi i autobusit po ngacmonte një mësuese anglishteje, se sa mirë e njihte gjuhën. Ajo i thoshte që sigurisht që e dinte mirë, se për atë punë kishte studiuar. E provojmë, i thotë shoferi. Si përkthehet në anglisht, të thëntë prifti në rrëzë të veshit? Po, të hëngërsha grurin?

Po, të ngrifshin katër? E kështu vazhdonte shoferi duke qeshur, ndërkohë që mësuesja e anglishtes mendohej pa arritur të përkthente dot asnjë fjalë. Personalisht mallkimet tona, nuk i kam gjetur në ato pak gjuhë që kuptoj.

Si duket pasuria shpirtërore e popullit tonë dhe mirësia që buron nga thellësia e zemrës sonë, nuk gjendet asgjëkund në botë. Ka mundësi që zotat e Olimpit e bekonin dhe e mallkonin shumë njëri-tjetrin se këto zakone të përndershme, i kishin mësuar nga shqiptarët, kur jetonin në malin e Tomorrit, por ngaqë aty bënte ftohtë, dhe ata rrinin të veshur shumë hollë, vetëm me një çarçaf, vendosën të transferoheshin në Olimp. Ose mbase se grekët ishin më shumë popull qejfi, ndërsa ne popull lufte.

Kur grekët vendosën të bëheshin të krishterë, zotat e Olimpit e braktisën edhe Greqinë, pasi nuk u besonte më njeri. Aty kishte po aq diell, por jo aq qejf. Në fillim ata vajtën në Romë, pastaj se ç’bënë një Romë të Re, e më pas urdhëruan Kolombin që t’u zbulonte një tokë të re. Edhe Kolombi u propozoi Amerikën.

Aty kishte edhe diell, edhe furtunë e tufan, edhe uragan edhe tornado, nga një breg rrihej po aq të zhveshur sa edhe vetë ata, nga bregu tjetër ishte aq ftohtë saqë njerëzit duhet të rrinin vetëm brenda, dhe kështu dashuroheshin më shumë mes tyre. Kështu zotat vajtën në Uashington, dhe Uashingtoni kopjoi gjithë arkitekturën e institucioneve të veta, nga riti greko-romak. E keni parë ju për shembull, se si ngjan Kongresi me Parthenonën? Të njëjtat kolona edhe aty.

Zotat, kudo ku shkojnë, e marrin urtësinë e tyre me vete, që nga zjarri e filozofia, deri te veshjet dhe riti arkitektonik. Sigurisht ata nuk harrojnë të marrin me vete shqipen, pasi sipas tyre, meqë ajo ka 36 shkronja, aq sa asnjë gjuhë tjetër, kushdo që e flet bëhet më i zgjuar. Ndaj edhe shqiptarët e shkollave, me nivel mesatar, kur emigrojnë bëhen më të mirët e klasave të tyre aty ku shkojnë, edhe pse shqipen fillojnë e harrojnë. Harrojnë gjuhën, por jo shenjën e duarve me dy pëllëmbët bashkuar.

Kishte kohë që shqipja qe harruar e tkurrur këtyre anëve të Ballkanit, aq sa për disa kohë ndoshta rrezikoi edhe të zhdukej. Pasi ajo nuk e kishte më mbrojtjen e zotave të Olimpit, pasi kishin emigruar edhe ata. Derisa ata dëgjuan një ditë se në Tomorr kishte zbritur nga qielli, Abaz Aliu me kalë, nipi i Muhametit, sepse e kishin dërguar që të mësonte edhe ai shqip. Ky, sa ishte ulur, mbasi pa se ç’bëhej, kur dëgjoi se shqipja e kishte varfëruar fjalorin, por kishte shtuar sherrin dhe shpifjen dhe zullumin, i ra shkopit dhe u ngrit prapë fluturim drejt Qerbelasë, ku do e vrisnin. Më mirë shahid, tha, sesa një jetë e gjatë dhe e turpshme në Tomorr. Por disa fjalë të shqipes, i mori edhe ai me vete. Më pas zotat dërguan princër e mbretër deri te Vidi e Zogu, po ata sapo mësonin shqipen apo kapnin fronin, iknin kokulur nga kjo tokë e shqiponjave. Ndoshta ngaqë s’dinin të fluturonin lart si ato.

Më në fund, zotat olimpikë të emigruar në Uashington, vendosën të përdorin ambasadorët, ata që dërgoheshin në Shqipëri, duhet të mësonin patjetër shqip, se shqiptarët edhe kur përkthejnë, ka rrezik të të flasin dogançe. Ata vendosën që t’u mësojnë tashmë shqiptarëve, gjuhën që kishin mësuar prej tyre, kur krijuan kozmosin. Ata duke qenë në qiell e kishin mbajtur më të pastër këtë gjuhë, kurse ne e kishim ndotur me kalimin e kohës, dhe me kalimin e shumë pushtuesve në këto troje, që përveç gjuhës, na kishin ndotur edhe racën. Zotat na duan aq shumë për veten e tyre, aq sa do na bëjnë me zor, pra do na kthejnë me hir a me pahir në madhështinë e dikurshme që kemi patur si popull në këto troje. Kush e di si e kanë punën? Mbase ka filluar po u pëlqen Dajti, se thonë që ata e ndërrojnë malin ku rrinë çdo 1000 vjet. Mos ndoshta ky është mileniumi i shqiptarëve?

Thuhet se mbi çdo gjë, në këto troje është luftuar shqipja. Më shumë është luftuar ajo, sesa shqiptarët. Mbase armiqtë tanë e dinin sekretin e Olimpit, dhe kështu menduan që duke zhdukur shqipen, do e harronin edhe zotat këtë gjuhë. E kështu do kishin dorë të lirë në planet e tyre. Thuhet që herë pas here në Tiranë shfaqet një shqiponjë e madhe që fluturon mbi bulevard. Olimpi, ka filluar operacionin e mbylljes në Tartar, të titanëve shqiptarë. Por dikur këtë gjë e realizoi vetëm Zeusi, me ndihmën edhe të zotave të tjerë. Por kur ai do të shkojë diku fshehtas, dhe të bëjë një akt në befasi, merr vetëm formën e një shqiponje.