Shqiponjën e bën dhe politikani i njohur zviceran

01.07.2018 10:09:43

Shqiponja është kthyer në një sensacion në Zvicër, pasi tre nga pesë golat që kombëtarja helvete ka shënuar në Botërorin Rusi 2018 mbajnë firmë shqiptare.

Përkatësisht Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Blerim Xhemaili kanë çuar Zvicrën deri në fazën e 1/8-ve dhe klasi i tyre premton më shumë për kombëtaren më heterogjene në  Botëror.

Në Zvicër festimin e golit me simbolin kuqezi e kanë komentuar edhe politikanët, shumë prej të cilëve janë shprehur pozitivisht për gjestin e Shaqirit dhe Xhakës.

Së fundmi edhe lideri historik i partisë zvicerane SVP, Christoph Blocher ka reaguar për festimin me shqiponjë, duke mbrojtur lojtarët e përfaqësuese helvete në një dalje për “Teleblocher”.

“Serbët në skenë nuk silleshin në mënyrë miqësore. Ata pothuajse rregullisht i mbanin jashtë gjuhët e tyre dhe sportistët nuk janë shenjtorë”, tha ai.

Moderatori Matthias Ackeret i parashtron i habitur pyetjen: “Por, ata janë zviceranë?”

Por përgjigja e Blocher është mëse e arsyetuar: “Nëse natyralizohen, nuk do të thotë se janë zviceranë. Ata u prekën në zemër sepse janë edhe shqiptarë”, tha ai.

Në një momen edhe vet  Christoph Blocher e ben shqiponjen,  duke ilustruar atë që u pa në Rusi.

“Që të dyja palët i frynë zjarrit dhe bënë diçka që nuk duhet ta bëjnë, por kjo ekziston në të gjithë botën. Ata nuk vranë askënd”, theksoi në fund ai.