Shqiptarët “arratisen” në Tajlandë dhe Dubai

01.11.2019 10:26:26

Shqiptarët po zgjedhin gjithmonë e më shumë destinacione ekzotike dhe Tajlanda është vendi kryesor, me rritjen më të lartë për udhëtimet në vitin 2018.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave, të nxjerra nga Anketa e Turizmit në Familje, “Pushime dhe Udhëtime”, treguan se në vitin 2018, destinacionet që shënuan rritjen më të madhe të udhëtimeve krahasuar me vitin 2017, brenda vendit janë: Korça (46,4 %) dhe Tirana (22,1 %), kurse jashtë vendit: Tajlanda (79,5 %) dhe Dubai (57,1 %

Vrojtimi i INSTAT, kryer pranë njësive ekonomike familjare (NjEF), me objekt të gjithë individët me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri mbi 15 vjeç në vitin 2018, ri në pah se numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 4.542.794.

“Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 95,6 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 4,4 % të tyre. Mesatarisht, në vitin 2018, një individ në Shqipëri ka kryer 1,9 udhëtime. Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: janar (12,0 %), mars (11,2 %), qershor (8,7 %), korrik (8,8 %), gusht (12,1 %) dhe dhjetor (7,4 %). Udhëtime të cilat kanë si muaj nisje nëntor / dhjetor 2017 përbëjnë 0,2 % të udhëtimeve” vlerëson INSTAT.

Udhëtimet sipas qëllimit

“Shpërndarja e udhëtimeve sipas qëllimit, për periudhën 2017-2018, ndjek të njëjtin trend me numrin e udhëtimeve. Në vitin 2018, janë regjistruar 0,7 % më pak udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj krahasuar me vitin 2017, rënie e cila ka ardhur si rezultat i uljes së udhëtimeve të kryera për qëllime biznesi në Shqipëri. Në 2018, udhëtimet e kryera në Shqipëri për “Pushime dhe kohë të lirë” janë rritur me 7,5 pikë përqindje, ndjekur nga kategoria “Vizita tek të afërm dhe miq” me 3,1 pikë përqindje.

Udhëtimet për qëllime personale sipas netëve të qëndrimit

Udhëtimet e kryera për qëllime personale sipas netëve të qëndrimit në vitin 2018 janë rritur me 6,1 pikë përqindje krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 5.2 net. Udhëtimet për qëllime personale të kryera me një kohëzgjatje prej 11-18 netësh janë rritur me 11,2 pikë përqindje krahasuar me të njëjtin interval kohëzgjatjeje të një viti më parë. Gjatë vitit 2018, tremujori i cili ka shënuar rritje për të gjitha kategoritë e netëve të qëndrimit është tremujori i dytë.

Udhëtimet sipas llojit të akomodimit

Lloji më i shpeshtë i akomodimit në të dy vitet është “të qëndruarit tek të afërmit apo miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel” dhe “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime” apo “ambiente akomodimi me qira”. Në vitin 2018 vërehet rritje për kategorinë “hotel” prej 7,0 pikë përqindje, dhe 1,1 pikë përqindje për kategorinë “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime”. Ndërkohë ulja më e madhe është regjistruar për kategorinë “ambiente akomodimi me qira” me 5,1 pikë përqindje” thuhet në anketën e INSTAT.