Shqiptarët duhet të kenë kujdes nga angazhimet destabilizuese të Rusisë dhe të Serbisë

31.07.2016 18:51:45

Serbia, para pak kohësh, tha se në gusht do të ketë luftë që do të fillojë në Maqedoni, do vazhdojë në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, e pastaj do të kalojë në Kosovë. Ndërkohë partia e Putinit krijon një aleancë ballkanike me parti të ndryshme në shumicën e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia. Bie në sy përfshirja e partive nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi, në të cilat ka shqiptarë. Në fakt, Rusia synon të mobilizojë forca ballkanike kundërperëndimore, kundëramerikane dhe kundër NATO-s, për të destabilizuar rajonin. Mali i Zi që para pak kohe u bë anëtare e NATO-s dhe prej viteve ndjek politika properëndimore.Edhe në raport me Kosovën, Mali i Zi ka qenë konstruktive: gjatë luftës në Kosovë nuk pranoi të përfshihej, si dhe me rastin e pavarësimit të Kosovës, e njohu pa kushte. Orientimi properëndimor i Malit të Zi shumë herë ka nxitur reagimin e Serbisë dhe të Rusisë dhe gjatë kohë kanë punuar për përfshirjen e tij në skenarë për destabilizimin e rajonit, fillimisht me prishjen e marrëdhënieve me Kosovën. Dhe në këtë kontekst duhet kuptuar angazhimet e sektës okulte të Albinit, e cila tashmë më hapur po provokon marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Se është kështu, dëshmon edhe fakti se këto angazhime të sektës okulte të Albinit po ndodhin ndërkohë që Serbia po provokon Kosovën me politika milosheviqiane dhe ndërkohë që Putin, më hapur po provokon Perëndimin dhe SHBA-të me aleancë partiake ballkanike. Pra, është e qartë se sllavo-ortodoksëve po u ngutet që të kenë sukses në nxitjen e një lufte në rajon nëpërmjet shqiptarëve. Prandaj, shqiptarët duhet të vazhdojnë të ndjekin politika racionale dhe në bashkërendim me partnerët tanë strategjikë në krye me SHBA-të. Shqiptarët duhet të mos mashtrohen as të preken emocionalisht nga parti apo politika që synojnë destabilizimin e vendit dhe të rajonit, që të dëmtojnë interesat shtetërore dhe kombëtare për llogari të skenarëve sllavo-ortodokse që duan të destabilizojnë rajonin nëpërmjet shqiptarëve.