Shqiptarët kanë një kombëtare, Kosova ka përfaqësuese

06.09.2016 10:50:09

Nga Rexhep Kastrati

Dje shqiptarët patën rastin të përcjellin dy ndeshje futbolli: kombëtarja shqiptare me Maqedoninë, dhe përfaqësuesja e Kosovës me Finlandën. Siç dihet, ndeshja e kombëtares shqiptare, u zhvillua në Shkodër dhe u ndërpre në minutën e 75 derisa rezultati ishte 1:1, kurse ndeshja e përfaqësueses së Kosovës me Finlandëm u zhvillua në Finlandë dhe u mbyll barazim. Dhe vërtet ishte emocion i madh të shihje futbollistët shqiptarë që zhvillonin dy ndeshje futbolli, por këto emocione shumë kush i ka të trazuara, sepse ishte hera e parë që përfaqësuesja e koosvës zhvillonte një ndeshje të këtij karakteri, dhe që në ndeshjen e parë mori rezultat pozitiv. Mirëpo, siç kam thënë vazhdimisht, përkundër faktit se gëzimi është i papërshkruar me pranimin e Kosovës në UEFA dhe në FIFA, më shumë për klubet futbollistike të Kosovës, si dhe për rezlutatin pozitiv që ka arritur, megjithatë asnjëherë nuk duhet harruar se shqiptarët janë një komb dhe kanë një kombëtare, kurse Kosova ka një përfaqësuese. Sporti i Kosovës, pra edhe futbolli, ka atë pozitë që ka kombi në tërësi, dhe ndjen pasojat e ndarjeve të ndodhura gjatë viteve e dekadave, por megjithatë nuk duhet harruar se se jemi një e nuk bëhemi dot dy, tre e katër. Gëzimi për sportistët tanë në të gjitha sportet dhe në të gjitha garat është i ligjshëm dhe i pamasë, dhe sa më shumë suksese që të arrijnë, aq më shumë emocione, gëzime dhe vlerësime do të kemi, kurse sportistët tanë do të jenë heronjtë tanë, do të jenë krenaria jonë. Kombi gjerman i ndarë me dekada u përfaqësua suksesshëm në të gjitha garat botërore, fitpoi vende të para, të dyta e të treta, fitoi medalje të arta, të argjendta e të bronzta, u shpall kampion, nënkampion etj., kurse klubet sportive dhe sportistët në gara individuale arritën majat. Në të gjitha garat u paraqitën si dy shtete dhe me dy hymne, me dy simbolika dhe ka ndodhur që kanë bërë gara një gjerman i Gjermanisë perëndimore me një të Gjermanisë lindore, një ekip i Gjermanisë perëndimore me një ekip të Gjermanisë lindore, madje edhe si përfaqësuese shtetesh kanë zhvilluar gara kundër njëra-tjetrës, por kurrë nuk kanë pushuar së menduari bashkimin, kurrë nuk i kanë fryrë ndarjeve dhe kurrë nuk u krijuan dy kombëtare gjermane. E shqiptarët më shumë se të tjerët kanë arsye të ndjekin shembullin e gjermanëve, të trajtojnë sportin sport, sukseset e sportistëve tanë t’i përjetojmë si suksese të kombit, pavarësisht se ku luajnë, ku bëjnë gara dhe kë përfaqësojnë. Po ashtu, edhe nëse do të ndodhë që kombëtarja shqiptare dhe përfaqësuesja e Kosovës në sporte të ndryshme të ndeshen me njëra-tjetrën, që ekipe sportive të ndeshen me njëra-tjetrën, që sportistë sportesh individuale të ndeshen me njëri-tjetrin, ose të jenë konkurrente në të njëjtat gara, nuk mund të lejojmë histeri, shfrime dhe destruktivitete të ndryshme që nxisin çarje dhe urrejtje ndërmjet sportistëve dhe ndërmjet pjesëve të ndryshme të kombit. Të kujtojmë se në gara sportive të sporteve individuale, sportistë të të njëjtit shtet i konkurrojnë njëri-tjetrit, pra edhe pse përfaqësojnë një shtet, megjithatë secili sportist mëton të arrijë rezultat më të mirë se kolegu i tij. Pra, shqiptarët kudo që janë, janë një, e edhe sportistët janë një, dhe janë aq kombëtarë sa edhe vetë kombi shqiptar, absolutisht nuk ka vend histeria dhe fushata idiotike kundër futbollistëve shqiptarë që iu bashkuan përfaqësueses së Kosovës, por duhet respektuar vullnetin e secilit futbollist dhe sportist të sporteve të tjera se për kë do bëjnë gara, dhe duhet t’u gëzohemi sukseseve të tyre. Kjo do të thotë se edhe në nivelin politik duhet të hiqet dorë nga injorimi i sportistëve dhe përfaqësueses së Kosovës në emër të gjoja komëtares shqiptare, por duhet mbështetur fort. Në fund të fundit, sukseset e sportistëve tanë e bëjnë më të lehtë edhe bashkimin politik, sepse çdo sukses afirmon vlerat dhe ambiciet kombëtare.