Shqiptarët mbi binarët e transportit publik të Cyrihut

09.12.2016 14:10:12

Në rrugët e Cyrihut me rrethinë janë me qindra shqiptarë që bëjnë punën e shoferëve të tramvajeve të rrjetit të trafikut publik. Albinfo.ch ka takuar disa prej tyre

Çdo ditë shfrytëzojmë një autobus ose tramvaj për të lëvizur në një destinacion të caktuar. Mjetet e transportit publik janë të përpikta dhe lëvizin në kohë të rregullt. Duke qenë qyteti më i madh, metropol financiar dhe kulturor i shtetit, Cyrihu ka shumë më tepër banorë se secili qytet tjetër i Zvicrës. Cyrihu u ofron vizitorëve dhe  banorëve të tij shumë mundësi udhëtimi me tramvaj dhe autobus, biçikletë ose këmbë. Tashmë është bërë e pamundur të shëtiteni nëpër Cyrih e të mos e takoni një shofer shqiptar të autobusit apo tramvajit.

Nexhat Dauti mendohet të jetë shoferi i parë shqiptar që kishte kapur timonin e tramvajit në Cyrih. Nexhati kishte migruar nga Ladorishta e Strugës në vitin 1978 duke i bashkuar babait të tij në Zvicër. Ai, punën e parë e kishte bërë si enëlarës në një kuzhinë të Cyrihut por pas 7 vjetëve ishte bërë edhe kuzhinier ndërsa babai i tij që punonte në VBZ e kishte orientuar të bëhet shofer tramvaji që nga viti 1985.

“Nuk kisha dëshirë të bëhesha shofer, në fillim punova në depo si mekanik por babai insistonte që unë të kap timonin e jo të mbetem kuzhinier”, flet për albinfo.ch, shoferi i parë, Nexhat Dauti. “Ishte pak më ndryshe atëherë dhe nuk kërkonin aq të kualifikuar se tani. Por, tani është shumë më vështirë”, thotë shoferi nga Maqedonia dhe evokon kujtimet e ditës së parë. “Për mua ishte shumë interesante të drejtoja një automjet shumë më të madh dhe me përgjegjësi ngase transportonim njerëz. Kur më shihnin mbi timon kënaqeshin se në atë kohë as nga vendet e ish-Jugosllavisë nuk kishte shoferë tramvajesh e mos të flasim për shqiptar”, thotë Dauti.

Shumica e shoferëve, nga Pallçishti i Tetovës

Për 30 vjet sa ka punuar si shofer, Nexhati nuk ngurron të ndajë përvojat me lexuesit e albinfo.ch. “Gjatë ndërrimit të natës isha duke drejtuar tramvajin, ndërsa pas meje po nxitonte një qen. Nuk e kisha idenë se pse po më vinte qeni derisa u ndala në një stacion kur edhe zbriti një grua e moshuar e cila kishte mbetur brenda në tramvaj ndërsa qeni jashtë. Atëherë mora vesh se për çka po vinte qeni pas.”, rrëfen një tregim interesant Dauti.

Shoferët shqiptarë, si ciceronë gjatë gjithë rrugës nuk hezitojnë të orientojnë udhëtarët për qytetin më të madh të Zvicrës. Pas shumë vitesh në VBZ filluan të vijnë njëri pas tjetrit edhe shqiptarët duke u bërë komuniteti më i madh në kompaninë e transportit publik në Cyrih. “Pasi fillova punën mendoja për shokët e mi dhe i sugjeroja të më bashkoheshin në profesionin e ri”. “Ne bënim punë të mirë ishim korrekt dhe serioz për këtë arsye edhe ishin një referencë e mirë për shqiptarë tjerë”. Serioziteti në punë bëri që në linjat e autobusëve dhe tramvajeve të rritet numri i shoferëve shqiptarë për 30 vite.

Nga Pallçishti i Tetovës janë shumica e shoferëve shqiptarë në VBZ. Këtë me krenari e argumentojnë në bashkëbisedim me albinfo.ch disa nga shoferët tetovarë. Ishte shkaktar Mexhait Misimi, i cili tashmë është në pension, që një numër i madh i shoferëve të jenë nga fshati i tij i origjinës, Pallçisht. Janë një numër i madh shoferësh që kanë origjinën nga po i njëjti fshat i Maqedonisë, më i riu prej tyre Semir Sylejmani. “Kjo tregon se ne ndihmojmë njëri-tjetrin dhe nuk është në kundërshtim me politikat e punësimit në VBZ, përkundrazi është përparësi”, thotë Sylejmani, që kishte nis punën para 1 viti.

Jo vetëm shoferë por edhe instruktorë

Por, nuk janë vetëm shoferë në VBZ shqiptarët por edhe instruktorë e menaxherë. Gadaf Muharremi është instruktor dhe i mëson ata që dëshirojnë të ngasin tramvajet në Cyrih. Edhe Gadafi vjen nga Pallçishti i Tetovës. Ai kishte migruar në Zvicër në moshën 16 vjeçare. “Në Zvicër u desh te adaptohem në kulturën dhe rregullat e këtij shteti dhe pa humbur kohe fillova mësimin e gjuhës dhe pastaj bëra edhe zanat për instalim të ngrohjeve qendrore”, tregon Muharremi. Por i pakënaqur me zanatin e mësuar në vitin 2009 depërton në VBZ, si shofer tramvaji ku edhe kalon të gjitha procedurat e nevojshme deri te marrja e patentës për të vozitur.

“Vitet kalonin dhe unë isha i kënaqur me punën që bëja si shofer por diçka më ngacmonte që të bëja edhe më shumë qoftë brenda firmës dhe jashtë saj. Në ndërkohë pasi kisha përfunduar shkollën e mesme të ekonomisë fillova edhe me fakultetin me korrespodencë për shkenca politike, pra e bëja paralelisht me punën. Kjo më bëri që unë të shikoja për pozita tjera të mundshme brenda VBZ”. Pas 4 viteve në VBZ si shofer tramvaji, Gadafi vendosi të aplikojë edhe si instruktor edhe aty pas procedurave dhe kurseve të nevojshme ia arriti qëllimit të bëhet instruktor. “Të punosh si instruktor tramvajesh ne qytetin e Cyrihut nuk është edhe aq e thjeshtë në një qytet tepër të madh dhe të komplikuar me komunikacion duke marrë parasysh numrin e madh trafikut duke filluar nga këmbësorët e deri tek automjetet e rënda, por përvoja natyrisht të bën më të qetë edhe më të besueshëm”, tregon për natyrën e punës, Gadaf Muharremi.

Nga përafërsisht 20 instruktorë tramvajesh, 3 janë shqiptarë. “Është një punë interesante që ia kisha preferuar secilit që të paktën është shofer tramvaji të marrë guximin për të bërë hapin tjetër si instruktor”, thotë Muharremi dhe ndjehet krenar kur sheh rrugëve të qytetit të Cyrihut shoferë tramvajesh që janë mësuar nga ai. Gadafi pos punës si instruktor tramvajesh po bën edhe magjistraturën në Universitetin e Cyrihut për shkenca politike.