Shqiptari i dëbuar nga Italia: Nuk kam lidhje me ISIS, do tentoj të rikthehem

13.08.2016 20:09:39

Sipërmarrësi shqiptar Sajmir Hidri, i cili u dëbua nga Italia për shkak të akuzave për nxitje të urrejtjes fetare si dhe të aktivitet propagandistik për mbështetje të shtetit islamik ka dhënë një intervistë për mediat italiane duke u shprehur se nuk ka lidhje me ISIS dhe se do tentojë të rikthehet në vendin ku jeton prej vitesh.

I pyetur për vizitat e tij në faqen e internetit që përdoren nga ekstremistët e Shtetit Islamik për rekrutime Hidri iu përgjigj kështu.

Hidri: Ekzistojnë shumë faqe në internet që mund të vizitohen nga të gjithë. Ndoshta gabimisht e kam vizituar një faqe të tillë, por nuk mund të dënosh një person për shkak se ka vizituar një faqe online. Kjo nuk mund të qëndrojë si provë. Të vizitosh një faqe internet nuk do të thotë se i bashkohesh asaj që shkruhet aty.

Sajmir Hidri shton se problemin e tij do t’ia bëjë të ditur ministrit të Brendshëm italian Angelino Alfano.

Hidri: Besoj tek drejtësia, e di se jam i pafajshëm dhe do t’ia shkruaj ministrit Alfano. Nëse do të isha simpatizant i ISIS nuk do të kisha qëndruar në Itali, por do të kisha shkuar aty ku po zhvillohet konflikti. Në 15 vite në Itali nuk kam patur kurrë probleme me drejtësinë.

Në mbyllje Sajmir Hidri thotë se në Shqipëri nuk ka as familje dhe as shtëpi ndaj do të rikërkojë një rikthim të shpejtë në Itali. Ai shtoi se mediat po ndikojnë negativisht për reputacionin e tij si sipëmarrës.