Shqiptari vjedh rrymën në Itali, por nuk e fusin në burg

25.09.2016 10:07:14

Nëse dikush vjedh energjinë elektrike mund të dënohet me burg në vendin tonë, por në Italinë fqinjë kjo nuk ndodh.

Mediat lokale sjellin rastin e një shqiptari, i cili pasi ishte kthyer në Itali pas pushimeve, ka bërë një gjë të tillë. Edhe pse pronari e kishte dëbuar nga banesa, shqiptari (identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur), i martuar dhe me fëmijë, është futur fshehurazi në shtëpinë që ndodhet në rrugën “Mazzini” në qytezën Orzinuovi, në Breshia, madje ka ndërruar edhe bravën.

Por, pasi shqiptari ishte urdhëruar të largohej, raportojnë mediat lokale, në shtëpi ishin prerë të gjitha shërbimet, përfshirë edhe energjinë elektrike, shkruan Syri.net.

Kështu, shqiptari kalon në planin B: Ble një kabllo, e lidh me fqinjët dhe merr energji në mënyrë të paligjshme. Por, banorët e tjerë të pallatit, kanë parë kabullin dhe kanë lajmëruar policinë, të cilët mbërritën në vendngjarje për verifikime.

Edhe pse efektivët kanë vërë re shkelje nga shqiptari, ai nuk është arrestuar siç mund t’i ndodhte në Shqipëri, por është nën hetim në gjendje të lirë për vjedhje të energjisë elektrike dhe dhunim të vendbanimit.

Edhe më herët, shqiptari është denoncuar për raste të ngjashme, raportojnë mediat lokale.