Shqiptari zbulon kameran që dallon të prekurit me koronavirus, pa teste e tampone

27.05.2020 09:25:00

Nuk janë të pakta fushat në të cilat shqiptarët kanë korrur sukses nëpër botë. Së fundmi një shqiptar nga Maqedonia, Hazëm Jashari, pronar i ndërmarrjes “Mirtechologie SA” me seli në Gjenevë, ka tërhequr vëmendje me zbulimin që kjo e fundit i ka bërë kamerës që identifikon njerëzit e prekur nga Covid-19 përmes sistemit te inteligjencës artificiale termike.

Jashari në bashkëpunim me Dr. Rabi Sofian, me filialet në Londër dhe në Barcelonë, me mbi 200 punëtorë, në mesin e tyre akademikë dhe ekspertë ndërkombëtar në fushën e robotikës, e kanë nxjerrë në përdorim kamerën që dallon prani të viruseve mbi trupin e njeriut.

“Kjo është një kamera e sofistikuar në botë për gjeneratën numër 5 të vizionit termik dhe detektimin e personave që janë bartës të koronavirusit në turmë njerëzish në një largësi mbi 300 m largësi dhe 400 m gjerësi”-shpjegon profesori zviceran Dr. Rabi Sofian.

Deri tani janë shitur dhe janë instaluar mbi 3000 aparate nëpër qendra komerciale, aeroporte, farmaci, ndërtesa administrative apo institucione dhe objekte të tjera publike në Evropë dhe vende të tjera të botës.

“Kjo teknologji e imazhit termik karakterizohet me lexim preciz dhe të pandërprerë në një person apo disa persona në masë në hyrje të një objekti qoftë privat apo institucional”, shpjegon Hamëz Jashari.

“Duke përdorur një algoritëm të përpunimit të imazhit me precizon të lartë, përdoruesi mund të masë temperaturën e trupit të disa njerëzve menjëherë në kohë reale. Ndizet një alarm nëse zbulon një temperaturë mbi normale. Sistemi funksionon automatikisht për të zbuluar njerëzit në një turmë në rrezik nga ethet”, përfundon Jashari.