Shtatë arsye, sipas Faton Abdullahut, pse kjo Qeveri duhet ta përfundojë mandatin

11.01.2017 15:20:05

Këshilltari i kryeministrit Mustafa për informim, Faton Abdullahu ka paraqitur arsyet që sipas tij kjo Qeveri duhet të vazhdojë mandatin deri në fund. Ndër këto arsye, ai përmend ekonominë, faktorin ndërkombtar, opozita, demarkacioni, korrupsioni, Asociacioni dhe parimësia.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e z. Abdullahu në facebook:

“Qeveria aktuale duhet të vazhdoj me patjetër punën deri në fund të mandatit për shumë arsye, sidomos pse…..

1) EKONOMIA – Kjo Qeveri, në krye me Kryeministrin Akademik Isa Mustafa, është më e përgatitura profesionalisht nga të gjitha qeveritë pararendëse, sidomos në aspektin e njohjes, përpilimit dhe jetësimit të projekteve ekonomike të cilat drejtpërsëdrejti ndikuan pozitivisht në cilësinë e jetës së qytetarit. 4% rritje ekonomike dhe 2 miliard buxhet janë dëshmi shtesë për këtë konstatim dhe justifikim për të vazhduar mandatin.
2) FAKTORI NDËRKOMBËTAR – Parimisht kjo Qeveri dhe kryeministri i saj është e pranuar pandalshëm dhe pahezitueshëm si bashkëpunëtore e besueshme, serioze dhe legjitime nga faktori ndërkombëtar (sidomos SHBA-n dhe BE-n) pos tjerash në veçanti për konceptet evro-atlantike, me çka ka gërshetuar pragmatikisht dobinë e këtij bashkëpunimi në të mirë të vendit dhe funksionalitetin e saj në të mirë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
3) OPOZITA – Me atë që ka bërë dhe atë që nuk ka bërë, Qeveria aktuale e ka mbrojtur edhe opozitën nga vetja e saj edhe stabilitetin në Kosovë nga opozita, sidomos kur ajo ka qenë politikisht delikuente.
4) DEMARKACONI – Sulmet e papërmbajtura ndaj saj, kjo Qeveri i ka menaxhuar me taktika toleruese, prej të cilave Kosova nuk ka pësuar humbje e dëme strategjike. Sidomos sepse nuk ka lejuar që çështja e Demarkacionit të shndërrohet në problem ndërshtetëror me Malin e Zi, por e ka mbajtur si problem të brendshëm që duhet të zgjidhet me patjetër nga vetë ne.
5) KORRUPSIONI – Duke mos qenë Qeveri e korruptuar dhe duke e ngritur në parim lirimin e atyre pushtetarëve të cilët kanë ra ndesh me ligjin, për ti dhënë hapësirë drejtësisë të veproj shpejt dhe pavarur, ka krijuar kapitalin moralo-politik dhe ka ngjall besimin mbi të cilin tani mund të veproj edhe më me fuqi për ta luftuar korrupsionin sa dhe si duhet.
6) ASOCIACIONI – Çështjen e Asociacionit e ka menaxhuar drejtë edhe atëherë kur Lista Serbe ka vepruar shtrembët. Pa kokëfortësi, por me konsekuencë, ka krijuar bindjen sidomos tek një pjesë e serbëve kosovarë se me direktiva nga Beogradi nuk mund të themelohet Asociacioni. Kjo nuk e ka bërë këtë Qeveri të ketë qortime nga BE e cila po e kërkon gjithnjë e më shumë të njëjtën nga serbët e vendit tonë, Kjo qasje do të determinoj Asociacionin, përfshirë vërejtjet e Gjykatës dhe i njëjti koncept do ta shendroj edhe FSK-n në FAK.
7) PARIMËSIA – Duhet të mësohemi përfundimisht se dalja në zgjedhje për të votuar është detyrë qytetarie që bënë diferencën dhe forca legjitimuese e votës shtrihet në kohëzgjatje 4 vjeçare, Prandaj duhet lejuar projektet e filluara të qohen deri në fund të mandatit për t’i mos i ndalur ato, përveç nëse për këtë ka justifikime të mbrojtjes së interesave nacionale dhe respektimit të procedurave ligjore.”