Shtëpia e Bardhë: Trump e ka pasur edhe një bisedë të shkurtër me Putinin

19.07.2017 11:50:48

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e kanë mbajtur edhe bisedën e dytë, të cilën nuk e kanë zbuluar më parë, gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të industrializuara të botës, në fillim të këtij muaji në Gjermani, ka njoftuar mbrëmë Shtëpia e Bardhë.

Të dy zyrtarët e lartë e kanë mbajtur një takim bilateral, që ka zgjatur më tepër se dy orë, më 7 korrik, ndërsa një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump dhe Putin, po ashtu, kishin “një bisedë të shkurtër” gjatë darkës së liderëve botërorë në samit, nikoqire e së cilës ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në pamjet televizive të darkës shihet se Melania Trump, bashkëshorte e presidentit, Donald Trump, ishte ulur afër Putinit.

Presidenti Trump, pastaj, në fund të darkës shkoi tek ata dhe u afrua te Putini, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke theksuar se biseda nuk konsiderohet se ishte takimi i dytë bilateral.