Shtëpitë e grabitura: Kosova vuan me pronat e uzurpuara të kohës së luftës

29.05.2018 14:15:19
Gati dy dekada pas luftës në Kosovë, mijëra njerëz, prona e të cilëve ishte uzurpuar pas luftës, ende nuk kanë mundur t’i rimarrin pronat e tyre.

Mesnatën e 19 qershorit të vitit 1999, Nusret Ajdezi do të zgjohej nga krisma të forta në derën e shtëpisë. Katër persona të armatosur kishin hyrë në shtëpinë e tij në një lagje në qendër të Prishtinës duke u thënë se në mëngjes duhet të largoheshin ose do të vriteshin.

“Ishin civilë me armë. Na thanë që janë komandantë (të UÇK-së). Unë me gruan dhe tre fëmijët qëndruam zgjuar deri në mëngjes. Nuk dinim ku të shkonim”, tregon Nusreti për BIRN.

Mëngjesin e nesërm, Nusreti kishte pyetur disa fqinj romë përreth dhe ata kishin treguar po të njëjtën gjë. Brenda tri ditëve ai dhe shumica e romëve të Prishtinës u larguan për në Serbi.

Në fund të vitit 2001, Ajdezi u kthye në Prishtinë dhe pa që shtëpia e tij në zemër të kryeqytetit ishte shndërruar në një objekt prostitucioni. Një person i tha se e kishte blerë këtë shtëpi dhe e përzuri duke e goditur me një shufër hekuri.

Si ai, mijëra shqiptarë, serbë e romë e të tjerë shtëpitë e të cilëve u zunë paligjshëm nuk kanë mundur ende t’i rimarrin pronat e tyre që nga fundi i luftës në qershor 1999.

Kjo ka pasur një ndikim negativ në raportet ndëretnike në vend dhe ka bërë edhe më të vështirë kthimin e refugjatëve dhe të të zhvendosurve.

“Çështjet pronësore, sidomos uzurpimet kanë frenuar kthimin e të zhvendosurve”, tha për BIRN, Narasimha Rao, shefi i Zyrës në Kosovë të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatë (UNHCR).

Prej gati dy dekadash, Ajdezi jeton në strehimoren e të zhvendosurve në qytetin verior serb Novi Sad, i gozhduar në betejë me varfërinë e thellë dhe një gjende të rënduar shëndetësore.

“27 vjet punova në një shitore të mishit të një shqiptari në Prishtinë për atë shtëpi edhe atë ma morën, veç pse jam rom”, thotë ai.

Gjatë kohës së qëndrimit në kampin e refugjatëve, ai iu drejtua UN Habitat-it një mekanizëm i krijuar nga misioni i OKB-së (UNMIK), në atë kohë administrues në Kosovë, që trajtonte çështjen uzurpimit dhe probleme të tjera të pronës private që u shfaqën si pasojë e konfliktit.

Deri në vitin 2007 në ish Agjencinë e Pronës që tani quhet Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, AKKVP, 42,749 prona janë regjistruar si të uzurpuara.

Nëpër vite numri i pronave të uzurpuara ka rënë ngase disa prej tyre janë shitur, shpesh nën presion, dhe disa të tjera janë liruar.

“Aktualisht janë 12,823 prona nën administrim të AKKVP. Numri më i madh i rasteve përbën tokën bujqësore, pastaj janë objektet biznesi dhe ato banesore”, thotë për BIRN, Arian Krasniqi, zëdhënës i AKKVP.

Në këto shifra nuk përfshihen sipërfaqet e uzurpuara pyjore që kanë mbetur të pa regjistruara.

Shumica e pronave të uzurpuara u përkasin serbëve e romëve që u larguan nga Kosova pas qershorit të vitit 1999.

“96.84 % ose 41 399 për qind e pronave të uzurpuara i përkisnin serbëve”, thotë Krasniqi.

Dokumente të falsifikuara

Nusret Ajdezi. Foto: BIRN

Beteja ligjore e Ajdezit për ta rikthyer pronën e tij është e gjatë dhe e mbushur plot ngatërresa.

“Uzurpuesi i shtëpisë Isa Hamiti thotë se e ka blerë këtë shtëpi nga një person tjetër. Por dokumentet janë të falsifikuara”, thotë ai.

Sipas dokumenteve në gjykatë personi që uzurpoi shtëpinë e Nusretit tha se e bleu atë prej një personi me emrin Bekim Ramadani që nuk ishte pronar, por i autorizuar prej një gruaje me emrin Sanije Deri. Megjithatë, në regjistrin kadastral, Sanije Deri nuk figuron askund si pronare.

Në kohën kur në kontratë thuhej se autorizonte shitjen e shtëpisë së saj, në vitin 2000, sipas regjistrit civil ajo kishte 30 vjet që kishte vdekur.

Ndërkohë shitësi, Bekim Ramadani nga Medvegja aktualisht është në burg në Serbi për disa vepra të tjera.

Në vitin 2016, Qeveria e Kosovës nxori një strategji nacionale mbi çështjen e të drejtave pronësore. Sipas këtij dokumenti, shitblerjet me përfaqësues të përkohshëm ngritin shqetësime për të drejtat e njeriut, sepse në një mjedis pas konfliktit, prona mund të mos jetë shitur vullnetarisht, por është uzurpuar.

Derisa gjykata ende nuk ka nxjerrë vendim, shtëpia e Ajdezit tashmë ekziston vetëm në fotografi dhe në kujtesën e ish banorëve. Në vend të saj është ndërtuar një ndërtesë e madhe banimi. Ndërtuesi i ka dhënë shitësit të shtëpisë së Nusretit dy banesa si kompensim.

Vendimet e gjykatës shpërfillen

Lubinko Todoroviq. Foto: BIRN

Slavica Gjorgjeviq nuk kishte planifikuar kurrë të largohej nga Kosova deri në ditën kur ajo me të shoqin dhe 6 fqinjët u kidnapuan nga persona të armatosur në Prizren, në qershor të vitit 1999.

Ata ishin shpëtuar nga një patrullë e ushtarëve gjermanë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR që sapo ishin vendosur në Kosovë pas 78 ditë bombardimesh të aleancës ushtarake të Perëndimit që rezultoi me largimin e forcave serbe nga Kosova.

Derisa po paketonte valixhet për t’u larguar ajo kishte parë se si shtëpia e re që ishin duke ndërtuar ishte uzurpuar nga një fqinj shqiptar.

“Ai kishte vazhduar ndërtimin aty ku kishte mbetur në gjysmë. Ata e përdorën atë për shitore, depo dhe zyra”, tregon Gjorgjeviq për BIRN.

Derisa ajo po endej nëpër strehimore dhe banesa në Serbi, në vitin 2011 gjykata në Prizren vendosi që uzurpuesi duhet që brenda 30 ditëve ta kthente pronën në gjendjen që ishte në gusht 1999.

“Por ai (uzurpuesi) nuk deshi t’i bindjes vendimit të gjykatës. Deri më tani uzurpuesi i pronës sime nuk ka dashur ta kthejë atë. Përkundrazi ata na kërcënuan me vrasje në sallën e gjyqit”, tregon ajo.

Në fund gjykatësi vendosi që Slavica duhej t’i paguante uzurpuesit 19,500 euro në mënyrë që të zbatohej vendimi, nëse ajo dëshironte ta kthente pronën e saj.

“Kishte një vendim që unë të paguaj për zbatimin e vendimit një shumë prej 19.500 euro nëse do të doja që të më kthehej prona “ , tregon ajo.

Kur ajo ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, gjykatësit vendosën që prona të kthehej. Por pastaj Gjykata Supreme vendosi që Gjorgjeviq duhet të paguante 19.500 euro. Tani ajo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Slavica, 66 vjeçare, thotë se nuk ka mundësi për të paguar për lirimin e pronës së saj.

“Të dy, unë dhe burri, jemi pensionistë. Po luftojmë për të mbijetuar”, thotë ajo.

Slavica Gjorgjeviq. Foto: Irena Gjorgjeviq

Serbët e Kosovës e kanë pasur posaçërisht të vështirë t’i rikthejnë pronat e tyre në vendet ku popullata shqiptare ishte cak i vrasjeve dhe masakrave të frikshme të kryera nga forcat serbe.

Marko Vukotiq lëshoi shtëpinë e tij në Lubeniq të Pejës, aty ku në maj të vitit 1999 forcat serbe vranë 80 fqinjë të tij shqiptarë. Dy vite pasi u largua në Serbi ai u kthye dhe shiti shtëpinë. Por, 4 hektarë tokë të tij vazhdojnë të jenë të uzurpuara.

“Shoh shpesh se si atje punohet, si ata (shqiptarët) marrin frytet e saj dhe nuk mund të bësh asgjë”, thotë Vukotiq për BIRN.

Në vitin 2016, Gjykata në Pejë vendosi që prona e tij të lirohet. Por personi që shfrytëzon këtë tokë, Asllan Zenalaj këmbëngul që kjo tokë gjithmonë ishte e familjes së tij.

“Kjo tokë njëherë ishte shpronësuar. Pastaj gjatë regjimit të Millosheviqit pati ligje diskriminuese për pronat e shqiptarëve. Unë po mbledh dokumente që dëshmojnë pronësinë time”, thotë ai për BIRN.

Statusi i pronësisë së shumë shitblerjeve mes serbëve e shqiptarëve gjatë viteve ka mbetur i pazgjidhur dhe kjo ka shtuar lëmshin e kontesteve pronësore pas luftës.

Bazuar në ligjin aktual për AKKVP, pas dy dëbimeve nëse prona uzurpohet për herë të tretë, përgjegjësia për çdo dëbim tjetër bie mbi pronarin.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka kërkuar nga qeveria ndryshimin e ligjit për kompetencat e Agjencisë që për çdo ri uzurpim pas urdhëresës për dëbim, Agjencia ta bëjë dëbimin e uzurpuesit.

“Disa dispozita të këtij ligji cenojnë të drejtat pronësore të personave të zhvendosur”, thotë Jashari për BIRN.

Ai thotë së ky ligj “është në kundërshtim me parimet e OKB për Rikthim të Banimit dhe Pronave për Personat e Zhvendosur “të njohura si Parimet e Pinherios.

Avokati, Lubinko Todoroviq që gjatë viteve 2003- 2006 ishte zëvendës Avokat i Popullit, është në mesin e atyre prona e të cilit u uzurpua. Ai fajëson misionin e OKB-së, UNMIK, për paaftësi në ndaljen e uzurpimeve.

“Ishte kohë kur zotëronte frika. Uzurpuesi i banesës më erdhi në zyrën e Avokatit të Popullit dhe më tha se nuk do ta lirojë atë ”, tha Todoroviq për BIRN.

Në zyrën e tij në Graçanicë, Todoroviq ka shumë lëndë të klientëve për uzurpim pronash të serbëve dhe romëve që presin vendimin gjykatës. Secila prej tyre ka më shumë se një dekadë pritje .

‘Nuk ka sundim të ligjit’

Agim Voca. Foto: BIRN

Agim Voca kujton një pasdite me diell tetori të vitit 1998 kur ai braktisi banesën e tij në Zveçan, komunën veriore të Kosovës, dhe u zhvendos te të afërmit në jug të Mitrovicës.

Ai dhe familja e tij nuk morën shumë gjëra me vete duke besuar se shpejt mund të kthehen. Përhapja e luftës ishte më e shpejt, edhe më e shpejt ishte zhvendosja e njerëzve nga shtëpitë e tyre. Disa nga ta nuk mundën të ktheheshin më kurrë.

19 vjet pas Voca po pret të kthehet në shtëpi.

Banesa e tij në qendër të qytetit në Zveçan është zënë nga një familje serbe. E ai vetë, prej 12 vitesh është vendosur po ashtu ne një shtëpinë e një pronari serb në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës.

“Kur mbaroi lufta për mua nisi një luftë tjetër. Humba punën, humba shtëpinë. Endesha strehëve. Përtej urës më nuk kishte tokë për ne shqiptarët, e as për serbët këtej”, tregon ai duke iu referuar urës që ndan qytetin në Mitrovicë, prej luftës skenë e përplasjeve ndëretnike.

Agimi tani 65 vjeç, ka punuar në minierën “Trepça”, një nga gjigantët industrial të kohës së ish- Jugosllavisë që nuk u rimëkëmb kurrë më pas luftës. Si rezultat i kësaj, ai mbërriti moshën e pensionit si i papunë.

Si një i pastrehë prej vitesh duke kërkuar lirimin pronës së tij, Agjencia Kosovare e Pronës e kishte vendosur atë në një banesë të një serbi që ishte larguar në vitin 1999.

“Unë jam lindur dhe rritur në Zveçan, në fqinjësi të mirë me serbët. Erdhi koha kur gjithçka u përmbys dhe prej 20 vitesh jetojmë në shtëpitë e zëna të njëri- tjetrit”, thotë Voca.

Banesën e tij e ka zëna një familje, shtëpia e së cilës në fshatin Runik të Skenderajt u shkatërrua pas luftës.

Ai i takoi vetëm njëherë të zotët e kësaj shtëpie, Aca Milutinoviq dhe të shoqen e tij që erdhën të shoqëruar nga policia e OKB-së për ta parë shtëpinë e tyre. Shtëpia ku Agimi është e vendosur është e vjetër dhe në shumë vende pikon uji.

“Ata panë shtëpinë e shkatërruar nëpër vite nga njerëzit tjerë që ishin këtu. Në atë kohë në mure kishte ende mbishkrime armiqësore”, tregon e shoqja e Agimit, Selvete Voca.

Përgjatë viteve, AVVKP ka vënë nën administrim një pjesë të pronave duke u përpjekur që t’i obligojë uzurpuesit të paguajnë qira.

“Në rastet kur shfrytëzuesit nuk paguajnë qira ne i dëbojmë”, thotë Krasniqi.

Obligimi për të paguar qira nuk ka funksionuar shpesh për shkak të varfërisë së thellë të familjeve.

Agim Voca thotë se nuk ka marrë asnjë cent asnjëherë nga banesa e tij e uzurpuar në veri dhe as nuk ka paguar për shtëpinë ku jeton.

“Përveç kërcënimeve nuk kam marrë asgjë për shtëpinë time. As nuk më është kërkuar të paguaj”, thotë ai.

Naim Osmani nga Programi për të Drejtat Civile në Kosovë që ka trajtuar çështjen e problemeve me pronat dhe kthimin thotë se në shumicën e rasteve pronarët hezitojnë të bëjnë padi ndaj uzurpuesve sepse e dinë se “nuk mund të zgjidhin punë me vite”, përmes gjykatës.

“Kemi parë frikën e tyre për të kërkuar pronat përmes gjykatës. Këto raste janë pasqyrë e mos sundimit të ligjit”, thotë ai.

Përpjekje për zjarrvënie

Marko Vukotiq. Foto: BIRN

Beshir Islami, kryesues i Kolegji të Apelit te Gjykatës Supreme që zgjidh ankesat e Vendimeve të Komisionit Kosovar të Kërkesave Pronësore thotë se çështja e pronave të uzurpuara mbetet një sfidë.

“Megjithatë pretendimi i animit në zgjedhjen e ankesave pronësore mbi baza etnike i paqëndrueshëm”, thotë Islami.

Aktualisht në prokuroritë e Kosovës janë të iniciuara 422 raste të uzurpimit të pronave. Por përderisa riuzurpimi serik ka vazhduar, agjencia ka qenë e pafuqishme të ndërhyj.

Një pronar shtëpie u zemërua aq shumë me pritjen sa që vendosi ta kryente vetë ndëshkimin.

Alush Alushi nga Mitrovica dy djemtë e të cilit u vranë në luftë rrëfen se dy herë kishte provuar ta digjte shtëpinë e tij në veriun e Mitrovicës të dominuar nga serbët. Një familje serbe jetonte në shtëpinë e tij që nga përfundimi i luftës.

Megjithatë, përpjekja e tij për zjarrvënie kishte dështuar. “Nuk munda ta djeg nga jashtë”, thotë ai.

Në vitin 2017, ai gjeti një mënyrë tjetër radikale për të intervenuar. I armatosur me një automatik dhe dy bomba, ai shkoi në stacionin policor në veri duke kërcënuar se “do ta hedh në erë shtëpinë” , nëse autoritetet nuk veprojnë.

“Më mundonte humbja e djemve dhe shtëpisë pasluftës”, thotë ai.

Prona e tij u lirua, por ai thotë se ishte demoluar dhe se do ta shesë atë sepse nuk ndihet i sigurt të jetojë më aty.

Slavica Gjorgjeviq ndjen se asgjë më nuk mund t’ia kthejë atë çfarë ajo përjetoi gjatë këtyre viteve që ishte detyruar të jetonte larg shtëpisë.

“Është shumë për një jetë. Nuk ka as para as asgjë që na i rikthen 20 vitet e jetës që kaluam këtu në Novi Sad”, thotë ajo.

Në vitin 2011 në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për kthimin e kopjeve të regjistrave kadastralë të Kosovës që u morën nga Serbia kur u largua nga Kosova në vitin 1999.

Marrëveshja që ende nuk po zbatohet parasheh kthimin e mbi 4.1 milionë kopjeve të pronave private. Rishikimi i tyre besohet se do të qartësonte shumë ngatërresa pronësore të krijuara pas luftës.

Deri atëherë Marko Vukotiq dhe Agim Voca shpresojnë t’i marrin pronat e tyre, por Aca Milutinoviq dhe e shoqja e tij vdiqën në Serbi pa e parë t’u kthehet shtëpia e tyre.

Nusret Ajdezi pret që dokumentet që do të kthehen nga Beogradi të dëshmojnë se prona ishte e tij edhe pse shtëpia tashmë është rrafshuar përtokë.

“Gjithë jetën time kam punuar për pasur një shtëpi. Nuk dua të ndjehem më si i pastrehë. Nuk do të doja të vdes në strehimore”, thotë Ajdezi.