Shtohet konkurrenca, Badstuber me valixhet gati

20.12.2016 18:38:34

Holger Badstuber është një luftëtar i vërtetë. Ai ka vuajtur dy dëmtime në gju dhe ka pasur disa probleme muskulore, por gjithnjë është kthyer “në krye të detyrës”. Vullneti i hekurt është motoja e tij e jetës dhe Bayern München e ka vlerësuar për këtë duke e bërë shembull për shokët e tij të skuadrës dhe tifozët. Gjithsesi, konkurrenca në Mynih po shtohet dhe Badstuber do të vuajë edhe më tepër, kësaj here jo fizikisht.

Verën e kaluar klubi bavarez transferoi gjigantin Mats Hummels për 35 milionë euro, teksa në verën e ardhshme rekordmenëve do t’u shtohet edhe Niklas Süle për 25 milionë euro. Duke marrë parasysh faktin se në qendër të mbrojtjes së kampionëve të Gjermanisë është edhe Jerome Boateng, gjithçka bëhet e vështirë. Madje, Javier Martinez, Joshua Kimmich dhe David Alaba gjithashtu mund të luajnë në këtë pozicion.

Nëse trupi i tij nuk do të kishte kaq shumë plagë, sot Badstuber jo vetëm që do të ishte një kampion bote me Gjermaninë, por me siguri te Bayern München do të luante në çdo ndeshje nga minuta e parë. Atij i mungon qëndrueshmëria, një element i panegociueshëm për hierarkinë bavareze. Kështu, “Sport Bild” shkruan se shtatlarti po mendon për t’u larguar dhe kjo do të ndodhë që në korrik 2017, kur i përfundon kontrata.