Shtrirja e ndikimit arab,në Kosovë, përmes politikave pushtuese, në masa shqetësuese

01.06.2018 19:11:52

Shtrirja e ndikimit arab,në Kosovë, përmes politikave pushtuese, ndryshe nga format klasike të ekspanzionit Islam, i cili ndodhë tashmë në formë të moderuar, përmes OJQ-ve, ka hasur në një miratim, gati, nënshtrues e të paarsyeshëm, ndaj këtij “okupimi” nga një numër, jo i vogël, i qytetarëve shqiptarë të Kosovës.

Nga Flamur Beqiri

I gjithë ky proces, i cili veq ka filluar të marrë përmasa shqetësuese, pretendon, ose veq ka filluar të gjejë aplikim, në Kosovë, me qëllim të vetëm, atë të “riformatimit” të besimit Islam, nëpërmjet ndryshimit të edukimit fetar nga modeli i shkollës Hanefi, në atë Hanbali, përmes funksionimit të organizatave joqeveritare arabe në Kosovë, organizma me fonde të dyshimta apo edhe organizma në bashkëpunim me organizata të dyshuara për lidhje direkte edhe me vetë Al Qaeda dhe ISIS, ndërsa krejt kjo, në dijeni dhe në bashkëpunim të plotë me BIK-un!
Shkollat Hanefi dhe Hanbali janë dy nga katër shkollat Sunite ose medh`hebe-t në botë, ndërsa dy të tjerat janë shkolla Meliki dhe shkolla Shafi`i. Të gjitha këto shkolla ndjekin të njëjtin sistem bazë të besimit por ndryshojnë në praktikimin dhe ekzekutimin e ritualeve dhe në interpretim juridik të parimeve hyjnore. Ndërsa, shumica e këtyre OJQ-ve, të cilat funksionojnë në Kosovë që nga paslufta, kryesisht vinë nga Arabia Saudite dhe Qatari, vende të cilat dominohen nga shumica demografike e cila i takon shkollës Hanbali.
Shkolla Hanefi është shkolla më e vjetër nga katër shkollat e përmendura, e cila është formuar në Irak, në të ashtuquajturin, kryeqytetin intelektual të botës Islame ndërsa është kritikuar nga përcjellësit e profetit Muhamed a.s., të cilët vinin nga Medina, për shkak të ndryshimit të praktikave fetare, nga ato tradicionale, dhe mënyrën e interpretimin të Kuranit dhe parimeve hyjnore, nga shumë hadithe, në një hadith të vetëm.
Po ashtu, shkolla Hanefi, bazë të funksionimit ka përshtatjen apo edhe interpretimin e Islamit, në harmoni me kulturat dhe traditat e një popullate tjetër, për dallim të shkollës Hanbali, e cila nuk lejon interpretim të Kuranit ndryshe nga “interpretimi“ rigoroz përmes mijëra hadithe-ve dhe aplikimit strikt të rregullave Kuranore, pa dallim!
Shkolla Hanbali për shkak të tradicionalizmit, prirjes ndaj hadithe-ve, mosbesimit në funksionimin autonom të mendjes së njeriut, ka krijuar rrethana të përshtatëshme për t`u shfrytëzuar nga selefitsët dhe wahabistët.
Një fakt interesant në këtë kuadër, ndoshta i pavërejtshëm është, z. Rexhep Boja, ish kryetar i BIK-ut ishte dha vazhdon të mbetet idhëtar i edukimit Hanefi ndërsa z.Naim Tërrnava, kryetari i tanishëm i BIK-ut, identifikohet me shkollën Hanbali!?
Tashmë botërisht dihet se një numër jo i vogël i imamëve kosovarë, të shkolluar në Arabinë Saudite, me amin të BIK-ut, kanë bashkëpunuar me këto organizata të dyshimta të cilat, vazhdojnë të cenojnë laicitetin në Kosovë edhe në Shqipëri, dhe në të njëjtën kohë ndikimi i këtyre imamëve, në promovimin e këtyre “vlerave”, pashmangshëm ka ndikuar në pjesëmarrjen, në numrin më të madh të shqiptarëve, për kokë banori, në luftrat në Siri. Kjo, në fakt, i obligon që të dy bashkësitë Islame, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, në bashkëpunim me të dy qeveritë respektive, të ndërmarrin masa të nevojshme ta parandalojnë këtë rrezik në rritje.
Kjo shtrirje dhe ky ndikim ka gjetur aplikim që nga paslufta dhe vazhdon edhe sot, edhe përmes ndihmës direkte monetare, nga këto OJQ, ndihmë e cila, në para të thata, i është ofruar dhe vazhdon t`u ofrohet disa kategorive të caktuara të shoqërisë kosovare, me fokus tek ato me gjendje të rëndë ekomonomike dhe sociale. Këto ndihma i ofrohen edhe studentëve dhe i ofrohen edhe jetimëve. Krahas ndihmës në para, t‘thata, përfituesit obligohen që të pranojnë edhe literaturë të Islamit ndryshe, nga ai i yni tradicional, pra atë të shkollës Hanbali. Vetëm gjatë vitit të fundit janë mbështetur më shumë se 550 raste të kategorive të lartëcekura, rritje në masën prej 33%, në krahasim me vitin paraprak.
Kjo shtrirje edhe ky indoktrinim duket se ndodhë edhe për shkak të një pseudoreligjioizmi të paspjegueshëm, i cili gjenë aplikim tek një numër jo i vogël i popullatës shqiptare, sidomos tek ata me nivel të ulët edukativo-arsimor, i cili ka tendenca të shkalloj në një histeri kolektive, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Për Maqedoninë dhe shqiptarët e Maqedonisë nuk kemi çfarë të flasim, ata janë pashmangshëm në proces të devalvimit dhe degradimit të kulturës dhe traditave shqiptare!
I gjithë ky ndikim, nominalisht, ka filluar të shpërfaqet në forma të ndryshme duke filluar prej veshjes arabe, tek meshkujt, me pantollona të shkurtëra deri tek kyqi i këmbës dhe me mjekrra të gjata, pa mustaqe, ndërsa tek femrat me mbulim të kokës, në raste ekstreme edhe mbulim të fytyrës! Mosprekja e dorës, anëtarëve të familjes, pastaj ndryshimi i praktikave të faljes së namazit, përshëndetjet zakonshme në gjuhën arabe e shumë deformime të tjera, të cilat tashmë janë përditshmëri dhe thuaja gati “normale”! Element tjetër shqetësues është edhe, emra të identitetit bashkëkohor shqiptarë zëvendësohen me emra religjioz, kryesisht arab!
Tradicionalisht kombi shqiptar ka ditur ta bëjë ndarjen e fesë nga shteti por në dy dekadat e fundit shoqëria shqiptare është në rrezik dhe presion të madh nga ky lloj ekspansionizmi, i heshtur, ndërsa neve besimtarëve të besimit lslam na mbetet për obligim ta ruajmë besimin tradicional.