Shtyhet Lotte-Dortmund, Eintrachti në gjysmëfinale

28.02.2017 22:54:59

Shtyhet për shkak të motit të keq sfida cerekfinale e Kupës së Gjermanisë  Shportfrojnde Lotte – Borussia e Dortmundit. Reshjet e dendura të deborës sipas zyrtarëve të ndeshjes e kishin bërë të papërshtatshëm terrenin në stadiumin e skuadrës që militon në kategorinë e tretë të futbollit gjerman, kështu që me konsensus edhe të dy klubeve u vendos që takimi të shtyhej, pasi futbollistët rrezikonin të dëmtoheshin.

Ndërkohë Eintrachti i Frakfurtit është skuadra e parë gjysmëfinaliste e Kupës së Gjermanisë për edicionin 2016-2017. Skuadra që drejtohet nga Niko Kovac fitoi minimalisht me Arminian e Bielefeldit në “Commerzbank-Arena”, duke prishur ecurinë negative me 3 humbje radhazi në kampionat.

Goli që i dha kuaklifikimin Entrachtit u shënu nga Blum që në minutën e 6-të, pas një aksioni të shpejtë nga e majta e sulmit.

Arminia e Bielefeldit që lufton për mbijetesë në Bundesligën e dytë provoi gjithcka për të befasuar vendasit por e pati të pamundur të realizonte qoftë një gol për ta cuar ndeshjen në shtesë.