SHTYHET PËR NË GUSHT TESTI I ARRITSHMËRISË

18.06.2020 13:04:08

Ministria e Arsimit, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe duke u bazuar në situatën aktuale me pandeminë, ka vendosur që mbajtja e Testit të Arritshmërisë dhe atij të maturës të shtyhet për muajin gusht.

Vendimi nga Ministria e Arsimit do të dalë gjatë ditës së sotme, këtë e ka konfirmuar për RTK-në vetë ministri Ramë Likaj.

Ndërkohë, javë më parë ishte vendosur që Testi i Arritshmërisë të mbahej në qershor, e ai i maturës në korrik, mirëpo shtimi i rasteve me të infektuar me Covid-19, ka bërë që Ministria e Arsimit të marrë vendim për shtyrjen e tyre.

Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar më parë shtyrjen e testit duke ngritur shqetësime për shëndetin e nxënësve, dhe ka rekomanduar që testi të mos mbahet deri në krijimin e një ambienti më të sigurt.