Shtyhet rihapja e urës simbolike të Mitrovicës

09.03.2017 10:07:43
Tensionet politike në veri të Kosovës kanë ndihmuar që rihapja e urës së rinovuar që lidh anën shqiptare me atë serbe në qytetin e ndarë të Mitrovicës të shtyhet deri ne maj.

Rihapja e urës së rinovuar mbi lumin Ibër është shtyrë deri në maj, pjesërisht për shkak të rritjes së tensioneve në qytet, tha për BIRN kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri.

Një mosmarrëveshje shpërtheu midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës pasi autoritetet lokale serbe filluan ndërtimin e një muri betoni dy metra të lartë pranë urës në fund të vitit të kaluar.

“Problemet e shkaktuara nga muri ndikuan në këto vonesa. Presim që ajo të hapet në dhjetë ditët e para të muajit maj,” tha Bahtiri për BIRN.

Edhe pse autoritetet serbe thanë se ai ishte një mur mbështetës për një shëtitore buzë lumit, zyrtarët e Prishtinës e panë atë si një përpjekje për të parandaluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe urdhëruan ndalimin e ndërtimit.

Pas një takimi të gjatë midis liderëve serbë të Kosovës dhe zyrtarëve të Prishtinës për të qetësuar tensionet, serbët e shkatërruan murin muajin e kaluar.

Ministrja e Kosovës për dialog, Edita Tahiri, tha se procesi i përgatitjes së urës për rihapjen e saj për automjetet dhe këmbësorët ishte “në fazën finale”.

“Është e vërtetë që ka pasur disa vonesa për shkak të zhvillimeve negative, por ato tashmë janë kapërcyer,” tha Tahiri për BIRN.

Rinovimi, i rënë dakord midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës gjatë bisedimeve në Bruksel, po financohet nga BE-ja me një kosto prej më shumë se 1.2 milion eurosh.

Tahiri tha se sipas marrëveshjes, BE-ja është e autorizuar ta rihapë atë.

“Qeveria e Kosovës kërkon vazhdimisht hapjen e urës sa më parë është e mundur dhe e konsideron atë një sukses të dialogut në Bruksel,” shtoi ajo.

Ura ka qenë në qendër të disa përplasjeve ndër-etnike që prej vitit 1999, kur Kosova u la nën administrimin e Kombeve të Bashkuara pas luftës.

Ajo ishte programuar të hapej më 20 janar, por kjo u shty.

U raportua përsëri se do të rihapej të premten e kaluar në një ceremoni ku do të merrte pjesë edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, por as kjo gjë nuk ndodhi.

Mogherini e vizitoi urën të shtunën dhe e përshkroi atë si “një simbol të ndarjeve, luftërave dhe dhimbjes që shënon historinë e Ballkanit gjatë 25 vjetëve të fundit”.

Por ajo tha se tashmë ura mund të shndërrohej “në një simbol dialogu, pajtimi dhe shprese”.

Zyra e BE-së në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN për një datë për rihapjen e urës.