Shuhen të gjitha dyshimet/ Doktor Pipero: Ibuprofeni, medikament i dobishëm!

17.03.2020 23:34:32

Debatet nëse duhet apo jo të përdoret ibuprofen nëse ke simptoma fillestare të gripit si kollë apo temperaturë kanë marrë një përgjigje përfundimtare nga ekspertët shqiptarë të shëndetësisë, por edhe ndërkombëtarë. Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i ftuar në studion e Open, teksa u dha përgjigje pyetjeve të shumta të shikuesve, u ndal edhe tek kjo çështje.

Pyetja nëse është apo jo i dëmshëm ibuprofeni, nëse përdoret gjatë kësaj kohe, përgjigja ishte e qartë dhe e prerë: Po, ibuprofeni është i dobishëm. Madje, referuar një lajmi, sipas të cilit ishte deklaruar nga ministri francez i shëndetësisë se rezultonte i dëmshëm, Pipero siguroi se ajo çka ishte thënë në emër të tij ishte e rreme.

Garancia se ibuprofeni është i dobishëm u deklarua edhe nga Austria. Mjekë austriakë në recetat e tyre gripale, sidomos të gripit që konsiderohet në fazën e parë, kanë ibuprofenin si një prej medikamenteve që duhet të përdoret, sigurisht me kufizime, për ata që kanë probleme me stomakun.

Ndërkohë, mjekë të ndryshëm të kontaktuar në telefon nga gazeta Shqip, thonë me bindje se  Ibuprofeni është  medikament cilësor, që ndihmon në uljen e temperaturës dhe lehtësimin e dhimbjeve tek të gjitha moshat.

Këshilla që vjen nga mjekët në rastin e përdorimit të ibuprofenit lidhet vetëm me përdorimin e tij pas ushqimit, duke hequr çdo dyshim për efekte anësore, apo dëme në shëndet.