Si bartet te fëmijët trauma nga nëna-viktimë e dhunës seksuale

17.10.2019 14:33:48

Në Prishtinë sot janë prezantuar gjetjet e studimit të parë epigjenetike mbi traumën ndër-brezore në Kosovë.

Nga hulumtimi del se gati 30% e fëmijëve kanë nivele anormale të hormonit kryesor të stresit që nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore. Sipas studimit, fëmijët e lindur nga nënat me çrregullime të stresit post-traumatik gjatë shtatzënisë, kishin më shumë gjasë të kenë nivele të larta të hormonit kryesor të stresit.

Qëllimi i këtij studimi të bërë nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Instituti Danez kundër Torturës në Danimarkë, dhe mbështetur nga Spitali Universitar i Kopenhagës e njësia e epigjenetikës së sëmundjeve në Universitetin Manash në Australi, e me mbështetje financiare nga Ambasada britanike në Kosovë, është hetimi i hershëm dhe intervenimi në gjeneratën e dytë në një mjedis pas konflikti.

Në studimin që ka hetuar mekanizmat e mundshëm që shpjegojnë se si mund të kalohen efektet e traumës nga një brez në tjetrin, janë intervistuar 130 gra që kishin përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ndërkohë janë mbledhur mostrat e gjakut nga 120 fëmijët më të vegjël të lindur nga secila grua.

Studimi nuk ka të bëjë me fëmijët që kanë lindur nga dhuna seksuale, por me fëmijët që kanë lindur pas periudhës së luftës.

Hulumtimi thekson rëndësinë e ekzaminimit të hershëm të fëmijëve të lindur nga gratë që përjetojnë dhunë seksuale gjatë luftës, e sidomos ata të lindur nga nënat me simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se shqetësimet e nënave viktima, kanë bërë që të bëhet një hulumtim i tillë shkencor, në mënyrë që të shihet se si është bartur trauma nga nëna tek fëmijët.

Ajo rrëfeu edhe pjesë nga historia e Vasfije Krasniqit, gruaja që guxoi të flasë publikisht për traumën e përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Mirëpo, dhunuesit kishin lënë një porosi, e kishin falë nga vdekja për faktin që kjo (Vasfije Krasniqi) duhej ta bartë traumën nëpër gjenerata. Dhe porosia e dhunuesve ishte: Nëse ti je gjallë, ti do të na kujtosh ne, jo vetëm ti, por edhe familja dhe gjenerata që vinë pas. Pikërisht për këtë arsye, ne jemi mbledhë sot këtu, jemi mbledhur për t’i dhënë dritë dhe dimension këtij krimi ndër gjenerata, jemi mbledhur këtu që në mënyrë shkencore të mundohemi të debatojmë dhe të gjejmë lidhjen e bartjes së traumës nga nëna, e cila i është ekspozuar dhunimit gjatë periudhës së luftës, te fëmijët e saj, të cilët mund të jenë edhe në moshën 6- vjeç tani edhe 6 muaj, pra ajo bartja në periudhën e shtatzënisë që shumë herë është e fshehur dhe fare nuk diskutohet në shoqëri”, tha ajo.

Konferenca me temën Trauma ndër-brezore, solli në Kosovë edhe Konteshën e Wessex, Sophie. Ajo tha se shoqëria kosovare duhet t’i pranojë e mbështesë të gjithë të mbijetuarit e torturës.

“Nuk mund ta marrë me mend se sa e vështirë ka qenë për to dhe familjet e tyre që t’i rindërtojnë jetën e tyre pas këtyre traumave. Trauma të cilat ato po i bartin me vete për çdo ditë me radhë. Porosia e tyre për mua ishte që përkundër guximit, të cilin ato është dashur ta gjejnë brenda vetes së tyre për të ecur përpara, ato kanë nevojë për më shumë mbështetje, pranueshmëri, ato kanë nevojë për drejtësi, ato kanë nevojë për ne. Ne duhet ta pranojmë dhe ta kuptojmë se dhimbja dhe pasojat e dhunës seksuale ndërlidhur me konfliktin nuk zhduken me kalimin e kohës, vitet këtu nuk kanë kuptim. Dhe në fakt, nëse çështjet dhe nevojat e të mbijetuarve nuk adresohen në mënyrë adekuate dhe në kohën e duhur, në shumë raste, me kalimin e kohës, ato veç sa shtohen. Konfliktet lënë shumë plagë, por plagët më të mëdha të të gjithave besoj se është stigma e padrejtë me të cilën ballafaqohen kaq shumë të mbijetuar”, tha ajo.

Vasfije Krasniqi-Godman, gruaja që cilësohet ambasadore e guximit, edhe njëherë foli për historinë e saj të tmerrshme, ku mes tjerash theksoi vështirësitë që ka pasur në rritjen e dy vajzave të saj, duke e fajësuar vetën për atë që i ka ndodhur.

“Për mua është shumë e vështirë të flas për traumat me të cilat jam ballafaquar, si nënë e dy vajzave. Unë shpesh e kam fajësuar vetën nëse po bëj gjënë e duhur apo jo derisa rris fëmijë. Duke ditur se kam kaluar nëpër këto përvoja dhe ka qenë e vështirë që unë të merrem me jetën time. Mirëpo, meqë jemi këtu ku jemi sot, në një mënyrë Jam e lumtur që shkenca ka dëshmuar se trauma ime është bartur nëpërmjet shtatzënisë e jo pse unë nuk kam qenë nënë e mirë”, tha ajo.

Në studimin e publikuar sot, u tha se nga 130 gra viktima që janë intervistuar, dhe nga marrja e mostrave të gjakut të 120 fëmijëve, ka dalur se gati 30% e fëmijëve kanë nivele anormale të kortizolit, që është hormoni kryesor i stresit i cili nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore.

Sipas studimit, fëmijët e lindur nga nënat me çrregullime të stresit post-tramuatik gjatë shtatzënisë, kishin më shumë gjasa të kenë nivele të larta të kortizolit në krahasim me nënat pa çrregullime të stresit post-tramatik gjatë shtatzënisë.

Ky është studimi i parë i grave që përjetojnë trauma seksuale dhe që rezulton në çrregullime të stresit post-traumatik duke sugjeruar transmetimin ndër-brezor të traumës në formën e ndryshimeve epigjenetike te fëmijët.