Si e pritnim 1 Majin dhe si e festonim Ditën e Shën Gjergjit në Turjakë?

01.05.2019 21:49:21

Nga: Sinan Kastrati

Zakonisht nëpër festa të ndryshme siq janë festat e ritet familjare, festat e motmotit por edhe ato (ndër) kombëtare e shtetërore, sikur na bie ndërmend ti kujtojmë disa nga ish mocanikët tanë dhe kohën e shkuar që nuk k`hehet më-rinia.

Edhe unë dua ti kujtoj ca nga ata moshatarë që jam rritur e kam luajtur Cicimic, Peta, Poga, Sorra etj. në ledinat e maleve e bjeshkët e Turjakës por edhe disa nga shokët e shkollës, veç nga Turjaka.

Festa e Shëngjergjit

Shën Gjergji është festë e motmotit dhe nuk duhet lidhur si festë e atij apo këti populli apo feje. Shumë popuj ballkanas Shën Gjergjin e festojnë sipas adetit të vetë, duke prerë kingja e duke zier hallva, duke shkua në tyrbe, teqe e objekte e kulte të tjera fetare, sidomos ata që kanë ndonjë sëmundje ose ato gra që nuk bëjnë fëmi….

Në muajin Maj, kishim tri “festa” kryesore e ato ishin 1 Maji, festa e klasës puntore, (6 Maji), Dita e Shën Gjergjit dhe 25 Maji, ditëlindja e ish kryetarit të Jugosllavisë së Dytë, J. B. Titos, që e quajtën edhe si Dita e Rinisë.

Në Turjakë 1 Maji, festë e puntorëve të botës, nuk ka pasur kurrfarë vlere e as nuk është festua fare nga askush dhe anjëherë për një arësye sepse asnjë njeri nuk ka qenë i punësuar në fabrikë ose tjetërkund.

I pari që e ka bâ të “njohur” 1 Majin në Turjakë dhe në rrethinë, sa më kujtohet mua ka qenë Rexhep Zogaj e cili përmbi dyer të oborrit e ka pas shkrua “Rrnoft 1 Maji, festa e klasës puntore”.

Ai aso kohe  Rexhepi punonte në Prishtinë dhe ishte intelektuali i parë që kishte krye shkollë të nâlt, thonin më të vjetrit.

Ajo që unë e mbaj mend, për 1 Majin, në Turjakë, qysh i vogël kur isha, është se me 30 prill në mbrëmje kur fillonte të errej, mu te Bregi i Rekës, afër shtëpisë së Asman Metës dhe Rexhep Jupës (Më parë në at trull, në një shtëpi njëkatëshe ka banua Ahmet Zenel Qyrti, ish qipqi, rragtar i Jup Agës), tuboheshim dhe digjnim dru, dushk, kashtë dhe goma.

Ne fëmija, vraponim me ndonjë dru të gjatë, ku e kishim ngjit nga një lëndë që digjej, kryesisht opinga të Pirotit ose qizme llastiku por që ishin të shqyera e vraponim deri në fund të Bregut, te Jazi i Mullinit, pra te lumi Mirusha duke bërtitur: Rnoft 1 Maji, Rrnoft shoku Tito etj. Bile kur shihnim ndonjë polic që vinte, bërtitnim edhe më shumë rrnoft shoki Tito e duke tregua “dashurinë” dhe besimin që kishim për Titon e për Jugosllavinë. Për 1 Majin vinin policët në Turjakë dhe në katundet e tjera, ku ta di unë pse? Ndoshta për me tregua se çdo gjë ka qenë në rregull?

Por ndodhte që edhe nga flakët mund të merrte flakë ndonjë shtëpi.

Për mua si fëmijë, ato ngjarje, ato ndodhi e tubime të të rinjëve, ishim jo vetëm të paharruara por edhe të gëzueshme.

Pastaj, gjithsesi, kshilli i katundit (kryetari), Dan Bajrami dilte e rrinte me neve deri sa shprëndaheshim nëpër shtëpitë tona. Vinte edhe sekretari i partisë (i LKJ-së), Ali Meta e më vonë, Jup Rexhepi, një katundar dhe i afërm i autorit i cili kishte qenë edhe si ushtar i OKB-së në Egjipt, kur fillon konflikti izralito-egjiptian e pasi k`thehet nga ushtria, merr edhe funksione me rëndësi, si sekretar që ishte vendi “i punës”, i jepte shumë privilegje që edhe mund të zgjidhte e të emërohej në ndonjë vend me rëndësi në administratën komunale. 

Por 1 Majin, ne të rinjët e Turjakës gëzoheshim sepse kishim 2 ditë të lira.

Të gjithë nxënësit nga Turjaka që ishin në shollë të mesme në Gjakovë, Prizren, Pejë e Prishtinë, vinin në Turjakë dhe dilnim e luanim topë kâmbe (futboll) e ndonjëherë, luanim edhe top me dore (volejboll).

I pari, që ishte në normalen e Gjakovës, ishte Agush Mehmeti. Adem Uka, vëllai im, Azem Asmani, Rifat Neziri, Agim e Besim Rexha dhe takoheshim te ndonjë livadh apo te Bunarishtat, në fund të arave të Grablishtave dhe aty luanim futboll.

Por me 1 Maj, fillonim edhe me e mbjell kallamoqin, bastanin dhe të shumtën e herave, nuk mund të dilnim të gjithë me luajt sepse duhej me i ndihmua prindërit nëpër ara e bashqe ode me iu pri kive.

Edhe unë që kur e shihja ndonjë djalë me top, mërzitesha që nuk më linin me shkua bile nuk guxoja as me i thënë dy herë babës (Ukë) ose babës Imer, gjyshit.

Pengesë tjetër ishte se babëgjyshi nuk na lente me luajt nëpër fusha, në Ulicën e Ali Agëve sepse e shkelnim barin e dhetë nuk kishin ku të kullotnin dhe … gjyshi na thoshte se: Është haram me lujt me top se shkit kan` lujt me krye të pejgamerit.

Fotografitë e Titos, Kardeli e të Rankoviqit.

Kur e fillova klasën e parë në shkollën e Lubizhdës, qysh e mbaj unë mend, më 1962 (?) në muret e klasëve kishte tri fotografi, e Titos, Kardelit dhe të A. Rankoviqit.

Shkolla kishte tri dhoma të mësimit dhe një zyre të vogël.

Kur kishte festa “shtetërore” ose edhe kur shkonim në sheti, dikush imerrte fotografitë në ballë të kolonës, me fotografi  shetitnim.

Kishte edhe të atillë, kryesisht njerëz që punonin në organet e shtetit që kishin këto foto edhe në oda, sidomos fotot e Titos, deri në fund të viteve 1980-ta.

Nuk  kam asgjë kundër e as që dua ti gjykoj ata njerëz të kohës, unë veç i përmenda shkarrazi 1 e 25 Majin ama unë do të flas veç për Shën Gjergjin.

Si festohej Shën Gjergji në Turjakë dhe në katundet për rreth Turjakës?

Nata e Shën Gjergjit

Më 5 Maj, në natën e Shën Gjergjit në mbrëmje, të gjithë djemtë e rinj po edhe vajzat shkonim në lumin Mirushë dhe i mbushnim enët me ujë dhe kur afroheshim, të hyjmë në sokak (në Turjakë thuhej “sakak”), i dilnim përpara dhe deri sa qeshte nuk i ndaheshim. Posa qeshte, e derdhte ujin dhe kthehej përseri me mbush enën me ujë. Ishte me të vërtetë një përjetim i mirë i të gjithëve sepse vetëm natën e Shën Gjergjit merrnim unë në jazin e mullinit të lumit Mirusha.

Pastaj, ujin e Mirushës, të zonjat e shtëpisë e përdornin për me shti ndonjë lule, ndonjë rremë të shelgjeve e hitha deri të nesërmen kur zgjoheshim në mëngjes, ditën e Shën Gjergjit.

Në disa katunde shkonin te hoxha i fshati dhe iu shkruan hajmali bagtive që të qesin sa më shumë tamel

Ai i cili zgjohej më herët, në ditën e Shën Gjergjit e natyrisht se të gjithë dëshironim të zgjoheshim sa më herët, ai ose ajo, merrte pakëz ujë që kishim marrë në mbrëmjen e kaluar, natën e Shën Gjergjit dhe ata që ishin fjet, iu hiqnim jorganin (jarganin) dhe i stërrpiknim me ujë e iu hinim (rrihnim me hitha). Ndodhte që hithi dixhte shumë dhe në këmbë mbetej si një shenjë e nënat i lanin fëmijët më të vegjël dhe “i rrihnin” me hitha që të bëhen të shëndosh si hithi.

Pastaj thonin se duhet me u zgjua herët se gjithë vera te shkon marë e nuk të bie kurrë as edhe një flamë e nuk të hanë pleshtat.

Dhomat i lyenim me gëlqere

Natën e Shën Gjergjit, e shtronim shtrunin dhe i mbushnim sllamaricat ku flenim me kashtë taze, e mbi jastëke qitnim lloj, lloj lule.

Pastaj, dhomat i lyenim me gëlqere (qereq) që i vinte erë e mirë disa ditë.

Nëpër dyer të oborrit, në koshet me kallamoq e hambaret (hamaret) me grurë, futnim lule-kakureka dhe rrema të shelgjeve të lumit Mirusha që i kishim marrë te Mrizet e dhenëve që ishin në mes të Jazit dhe Lumit Mirushë ‘1*). Aty i kishin mrizet: Hamid e Shaqë Tusha, mandej ishte mrizi i jonë, i Shaban Shaqës, Cufë Mllanaviqit dhe vazhdonin me mrizet e familjes Ramadani (Muharrem, Bajram, Sylë, Hasan e Nezir …. Ramadanit).

Por delet, nuk i binim në mrize para ditës së Shën Gjergjit. Pakë më poshtë, ngjitur me mrizin e Hamid Tushës, ishte “Gjiri i Bualicave” (Ballicave). Kur i binim në minges, buallicat laheshin aty dhe pritonin ta linin lumin e ne kishim qef sa më parë të shkojmë në shtëpi e të dalim edhe ne me u la, te Gjiri I Damanekut *2)

Pas gjirit të Ballicave, ishte ura që qonte te livadhet Pertereke dhe në Famgje e lumi Mirusha vazhdonte udhën arave e livadhe teposhtë deri te “Livadhet e Poshtme”.

Për Ditën e Shëngjergjit visheshim me tesha e opinga të reja.

 Vajzat e krejt katundit tuboheshin dhe shkonin në çdo shtëpi e këndonin ndërsa te ato shtëpi që kishin marrë nuse, aty rrinin më shumë dhe nuset, i qitnin me kcye (me vallzue) e defin e rrihnin nga dy e tri qika dhe e këndonin.

E thash se qikat e Turjakës, të fisit Kastrat e Zogaj, luanin bashkë dhe niseshin që nga shtëpia (shpia) e Brahim Ramadanit që ishte afër Vakafeve te Quka e deri te Rexhep Jupa e pastaj dilnin te Ali Agët ose niseshin prej Ali Agëve e shkonin përpjetë katundit deri te dy shpitë më largëta, te Bajram e Brahim Ramadanit.

Silla e Ditës së Shën Gjergjit.

Ditën e Shën Gjergjit, për minges (ora afërsisht 9-11-të) kur vinin gjâja, hahej Silla e Shën Gjergjit. Për Sillë kishte përshesh me tamel me bukën e kallamojt që piqej ne qerep e me saq, e piqte ajo grua që e kishte rendin e magjes dhe baqica, e zoja e shtëpisë e vlonte një kusi me temal dhe mandej bukën e coptonin (captonin) në copa të vogla dhe e mbushnin me tamel që sapo e kishte vlua e zoja e shtëpisë.

Ishte adet që ditën e Shën Gjergjit në Turjakë prej ushqimeve kishte këto dy lloje që i përmenda: Përshenin me tamel e me bukë të kallamojt (kallamoqi) dhe me një lloj pite që në Turjakë e quanim “Kallpite”. Kjo lloj pite iu qitej vetëm mysafirëve që ishin të aqikum (të njohur). Petët i t`hallonin në sofër e pastaj në mes të petëve qitnin harq mazë, gjizë.

Ditën e dytë të Shën Gjergjit, në Turjakë, piqnin flia.

Turjaka, katund baritor, me male të buta e bjeshkë me gurë e drunj të ndryshëm.

Turjaka ishte vend me shumë bagti. Gati çdo shtëpi kishte nga 2 e 3 copa lopë e disa të tjera edhe nga 15 e 20 copa lopë e deri në 100 copa dele (Smajl Zeneli, Imer Seferi, Cufë Brahimi, Shaban Shaqa etj.).

Vetë tereni, toka e Turjakës ishte e tillë dhe më e mirë se e katundeve të tjera. Kishte lumin Mirusha që bagëtia pinin ujë dy herë në ditë. Kishte livadhe e ara që i ujiteteshin nga uji i Mirushës pastaj toka tjetër e punës që shtrihej që nga livadhet e deri te Dushkajat, që nuk ishte edhe fort tokë e bereqetshme, nëse nuk binte shi: Arat Asmunica, Arat te Molla, Rrahet, Bratatini, Ara te “Vorri i Lugatit” dhe vazhdonte deri te nje familje, ajo e Breshancit dhe e Pagarushëve.

Pastaj vinin Dushkajat, Llazet e Bublit, Kah Vrella e Delibashëve dhe mandej fillonin Bjeshkët, që nga Balli i Kerrshit, Guri i Madhe e vazhdonte deri në Zatriq e te Vrella e Rahavecit pa ndërprerë.

Barinjët (qabanët) e Turjakës mblidhnin barëra (barrnishta)

Qabant e Turjakës fillonin dy e tri javë më parë e mblidhin barrnishta, lloje të ndryshme që kishte në mal e në bjeshkë, si: Bari i T`lynit, Bar Maze, Barë Turreci, Barë Hudre, Kep, Shurrgjake, Barë Badermice, Bari të Qenit etj.

Në mëngjesin e Ditës së Shëngjergjit dikush nga mashkujt e shtëpisë, i grinte në lugë të dhenëve dhe i përziente me pakë krypë e miell dhe kur vinin gjaja (lopët, ballicat, dhentë, dhitë si hynin në derë të oborrit me vrap shkonin te Lugi dhe e hanin. Ndodhte qe dashi i largonte dhentë dhe hante vetë deri sa i shkonte qobani dhe ia tregonte shtagen. Kështu ndodhte edhe me lopë e me ballica. Edhe ato i largonin më të ligat për me hangër sa më shumë kripë e barëra. Prandaj është ajo shprehja: Po ngan si për krypë, simas krypës. Çdo qaban, merrte kryepë me vehte dhe kur dhentë (delet) i ziente zhegu e nuk ecnin (hecnin) qabani iu tregonte brinin me kryp*3) e delet fillonin të shkonin pas qabanit.

Dita e Shën Gjergjit, konsiderohej edhe si Kryet e Motmotit.

Unë për këte ditë dua ti kujtoj të gjithë kohanikët e mi dhe një vaki që na ndodhi, nuk jam i sigurtë a ishte para a pas Shën Gjergjit në mes të Livadhit të Durakut dhe Gropës Rrumullake.

Dashi i Imer Seferit, Bardhoki e mbyti dashin e Adem Zymerit

Adem Zymeri, një shpijanik nga Bubli kishte ardhur me bylykin e dhenëve në anën tonë e Baca Lah, vëllai i madh at ditë ishte me dhen. Adem Zymeri, ishte kohanik, afro 50 vjet, po i thot bacës Lah:- o qaban, a do me i rrok deshte?

Baca lah po ia kthen:- Jao Vallahi se nuk guxoj pi babes Imer se ta mbyt dashi jonë tëndin. Atherë Adem Zymeri i thotë se nëse ma mbyt, nuk dua asgjë dhe baca Lah e thirr dashin Bardhok dhe ia jep pak kryp e ia ban me dorë kah dashi i Adem Zymerit. Të dy desht bëjnë turr te njëri tjetri por në një afërsi por kur të zmbrapsen disa metra afro 10 nga të dy anët, Bardhoku si i mshon, ia dan kryet në dy pjesë si pjepën. Adem Zymeri ngan dhe ia hjek kryet dashit dhe e merr … e niset për në shtëpi.

Kohanikët

Kohanikët e mi të shkollës ishin: Halit Dani, Gani Xhaferi, Rexhep Shaqa, Demir Ahmeti e Metë Alia, Enver Amrushi e Haxhi Dina, Ramiz Hasani, Arif Latifi, Sylyman Avdinë, Vefajë Sadria, Jakup Balia, Naim e Elmi Alia, Fetia e Avdyl Kajtazit por edhe të tjerët që luanim futbol në livadhe afer Gjirit të Mullinit, Azem Asmanin, Shefket Zenelin, Muhamet Avdylin, Jahir e Tahir Asmanin, Rifat Nezirin, Demush Azemin dhe … Kamer Ilazin.

Njehsimi i kohës

Në Turjakë, njehsimi i kohës bëhej duke e marrë Shën Gjergjin si një datë të rëndësishme psh thonin turjakasit e turjakaset: Më ka lind djali 6 javë para Shën Gjergjit ose Lopa ka me më pjell 2 javë mas Shën Gjergjit. Kjo ndodhte edhe me Shën Mitrin që kishin 6 muaj ndërmjet (6 Maj, 8 Nëntor), psh një javë para Shën Mitrit më ka vdek nëna ose diçka të ngjeshme por data të rëndësishme.

Islam Maliqi i Turjakës, e dinte në cilën ditë bie Shën Gjergji ose Shën Mitri, kur e pyesnim për Shën Gjergjin, edhe pas dy viteve prapa ose para.

1*) Jazit dhe Lumit ‘1). Lumin Mirusha, në Jaruga e ndanim një pjesë të ujit për me blua, në Mullinin e Brahim Agës e që kishin hise i gjithë katundi një ditë ose edhe një ditë e një natë, brenda muajit.

2*) Gjiri I Damanekut *) Turjaka e quanim Gjiri i Damanekit që ishte një si bazen i madh disa metra e Damaneki, e quanin Gjiri i Turjakës.

3*)brinin me kryp*3). Kur prenim pasterrma në dimër, bririn e lopës apo të kaut ose të buallit e mjeshtri e merrte dhe paste e rregullonte, e mbushte qabani me kryepë për gja.

Vazhdon

Malmö, 1 Maj 2019