Si lindi “filozofia rugoviane”dhe përse u vu ajo nē “shtratin e Prokrustit”?

12.02.2020 17:03:04

Nga Fadil Maloku

1. Përkundër shtet – krijesave postkomuniste që iu nënshtruan një imperativi të vetëm, pra atij të animimit të opinionit të brendshëm dhe të jashtëm për ecurit e proceseve të reja demokratike, shqiptarët e Kosovës, në vitet 90-ta, në fakt u deshtë t’i nënshtrohen edhe një synimi tjetër që te perëndimorët me konfirmimin e Mastrihtit, kishte filluar të zgjonte kërshërinë e shuarjes apo shkrirjes së asaj që te ata identifikohej me shekuj si identitet shtetëror (e që shqiptarët e kosovës, asnjëherë nuk arritën ta kenë të vetin në asnjë periudhë kohore!) apo kulm I përbashkët identitetesh kombëtare. Procedimi i tillë dualist i shqiptarëve të Kosovës, shikuar nga këndvështrimi pragmatik në esencë ishte një përpjekje e fundit e tyre edhe për t’u identifikuar me rrjedhat dhe trendët aktuale që po ndodhnin pas rënies së Murit të Berlinit pra komunizmit, por edhe për t’u çliruar nga regjimi kolonialist serb.

2. Meqë, kosovarët aktualisht nuk kishin asnjë shans ta arrinin këtë synim të tyre për çlirim kombëtar dhe për ta bërë strehën e shtetit të tyre , edhe për shkak të raportit të forcave: ushtarake, politike, ekonomike, etj, por edhe të një disfavori tjetër që kishte të bënte me rrethanat e jashtme globale, ku ish Jugosllavia akoma kishte një kredibilitet të pa kontestuar, kujtojë që historia do ta dëshmojë se ndërrimi i kursit nga ai historikisht violent në një kurs të përkohshëm jo violent i lëvizjes rugoviane, në fakt ishte vetëm një stacion pritjeje historike, pra një periudhë e konsolidimit dhe përgatitjes së asaj që edhe de fakto ndodhi në vitin 1999, kur edhe u pa se lufta e armatosur ishte e pa evitueshme në Kosovë.Duke mos dashur te jem as apologjet e as kundërshtar i këtij diskursi që tash ka filluar të ri keqkuptohet me qëllime apo pa qëllime te caktuara, do te doja që si një dëshmitar i asaj kohe, pra si një sociolog i ri që kishte bë analiza dhe studime (empirike) të asaj periudhe, të bëjë krahasime dhe të gjurmojë të vërtetën e ndrrimit të përnjëhershëm të kursit të sjelljeve të shiqptarëve të Kosovës

3. Dihet, parimisht se shqiptarët si komb deridiku edhe i emancipuar e i pajisur me të gjitha tiparet e një kombi modern: me elitë pak a shumë të ngritur intelektuale, politike dhe me një strukturë po ashtu si të pretenduar shkencore e ekonomike,etj. pra me një vetëdije shumë më të avancuar për vetë vetën, mbetën pothuajse të vetmit në Evropë, të cilët akoma nuk e kishin rrumbullakuar procesin e formimit të identitetit të vetë shtetëror! Ky “vonim”, i cili po ashtu i ka shkaqet dhe pasojat e veta, që pothuajse janë një kombinim i rrethanave objektive dhe atyre subjektive, sot nuk mund të shërbejë si ndonjë satisfaksion as moral, e as politik (për askend!), ndërsa për atë historik as që vlen të diskutohet më tej, ngaqë është akoma i “gjallë” si thuhet nga ne sociologët. Shikuar, kështu, dmth. nga këndvështrimi i asaj ç’ka qenë dhe ç’është tani kombi shqiptar, kujtojmë që interesimi për një status të tillë “vonues” në familjen e madhe të kombeve evropiane , ka qenë rrjedhojë i shumë faktorëve dhe shumë shkaqeve gjë që nuk është objekt i analizës sonë sociologjike tani.

4. Interesimi ynë më shumë ka për qëllim që të fokusohet për ngjarjet që kanë të bënë me periudhën pas viteve ‘9o- ta, kur kualiteti i synimit shqiptar për ta bërë identitetin e vetë ashtu siç e kishin bërë edhe kombet tjera të Evropës, u begatua edhe me një formë dhe përmbajtje të re (të pa elaboruar gjykojë sa duhet nga ne) të panjohur gjerë atëherë për etikën e tyre shekullore të sjelljes, atë të jo dhunës, apo jo violencës siq e quanin perëndimorët! Që ishte një befasi e madhe, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë e gjetiu, por edhe për vetë serbët dhe regjimin e Millosheviqit! Futja dhe implikimi i një strategjie të tillë, tashmë edhe me një aplikativitet masiv të jashtëzakonshëm, çështjen e demokratizimit dhe të çlirimit nga regjimi serb të shqiptarëve të Kosovës sikur e hodhi në shtratin e Prokrustit ndërkombëtar, pra Amerikës dhe aleatëve tjerë perëndimor. Ishte një hap i madh ky! Problemi tashmë ishte si të “arsyetohet” përbrenda hapi për jo violencë dhe qetësi (për mua ishte gjithënjë një indeferencë pasive) masive, ngase ekzistonte rreziku real i shfarosjes nga ana e shtetit serb.

5. Por, procesi i inicimit të rrënimit të stereotipive tradicionale siç ishin ato: të besës, mikpritjes, trimërisë, pastaj atij të gatishmërisë për t’u flijuar për të mirën e atdheut dhe mirëqenies së kombit dhe konceptit të mos durimit ndajë të huajit, filluan tash të marrin kuptimin e një refuzimi masiv?! Dhe ajo që është edhe më interesant në tërë këtë histeri të pranimit të përnjëhershëm (pa ndonjë konsenzus paraprak masovik, pra pa ndonjë referendum) filloi të harrohet historia e stereotipive “identifikuese”, përmes të cilave shqiptarët gjithandej Ballkanit njiheshin në memorien e popujve! Të orjentuar kështu shqiptarët e Kosovës, tanim filluan në mënyrë të (pa)vetëdijshme dhe me aplikativitet masiv ta këmbejnë dogmën e jo dhunës(cila kuptimin e të menduarit kreativ shqiptar e rrudhi në një kod të vetëm i cili e funksionalizoi pranimin e durimit si mjetë të vetëm të mbijetimit) , me stereotipit e mëhershme(të rebelimit individual) që e kishin kultivuar gjatë tërë qenësimit të vetë shekullor në këto hapësira! Dilema hamletiane e vitetë 90-ta, ishte; të sakrifikohej shtetndërtimi apo demokracia? Ësht interesant se kodi i ri apo sistemi i ri i sjelljeve shqiptare në Kosovë, përveç tendencës së mbijetimit që tashmë ishte bërë tërësisht evident, sepse kërcënohej edhe biologjikisht nga lufta shfarosëse e iniciuar nga serbët, që siç dihet shpërtheu në Slloveni, Kroaci, e sidomos në Bosnjë, filloi dalëngadalë me një takt të sponsoruar kryesisht nga shtresa e intelektualëve, të dalë si aspirues ekskluziv vetëm i shtetit (por jo edhe i clirimit definitiv nga regjimi serb), në mënyrë që më vonë të ndërtohet demokracia dhe të ushtrohet relaksimi i raporteve midis shteteve dhe kombeve.

6. Dalja e proceseve demokratike, në planë të dytë të preokupimit, për shqiptarët e Kosovës pati reperkusione të natyrës së dilemave përcaktuese, ngaqë për elitën udhëheqëse (Ibrahim Rugovën) të kësaj kohe, ishte diskutabile koncepti i trasimit të hapave të mëtejmë, që reduktoheshin në dilemat: a. Se athua,do të ishte më mirë të viktimizohej ideja e demokratizimit të proceseve dhe raporteve (rrugëtim ky, të cilin vendet tjera postkomuniste veç e kishin filluar menjëherë pas shembjes së komunizmit) për hir të realizimit të synimit shekullor për shtet, i cili dorën në zëmër nuk shihej askund në horizontin e rrjedhave dhe ngjarjeve, dhe: b) Apo më mirë do të ishte, që të viktimizohej ideja madhore e realizimit të këtij synimi për hir të idesë së shtetësisë (kushtimisht ta quajmë funksionale!) embrionale që kishte filluar të ngrihej nën monitorimin e elitës intelektuale (ende jo edhe asaj politike!)të Kosovës, me anën e zgjedhjeve të lira, referendumit, dhe formave tjera të shprehjes së këtij vullneti?Ishte i çuditshëm fakti, se megjithëqë nuk pati ndonjë artikulim të dukshëm, do të thoshim promovues përkitazi me këto probleme madhore për kombin, prapë se prapë dilemën e manifestuar kësisoj ata e materializuan përmes një përcaktimi do të thoshim, Aristotelian, duke e orientuar vullnetin e tyre ekskluzivisht në pavarësi si nga Serbia e ashtu edhe nga Shqipëria,me lëvizjen gjerë atëherë të Ldk-s po e kualifikojnë si “rugovizëm”.

Në këtë kontekst, shqiptarët duke i respektuar rregullat e trendëve perëndimore dhe sistemin e vlerave të tyre, filluan të gjurmojnë mundësin e katapultimit të brengës së tyre kolektivepër identitetin e kparealizuarl shtetëror të Kosovës, me strategjinë e evolucionit (politikës si art i së mundshmes!) demokratik, që ishte për bta tërësisht një terra inkognita!

7. Pozicionimi i tillë Kosovar, u dha kurajë atyre që të shpresojnë në sintagmën e njohur:” se diplomacia dhe politika( si art i rxdedtfsë mundshmes) thyejnë shumë tabu, bile edhe atë të mos ndryshimit të kufijve? Mirëpo, në ndërkohë shtrohej edhe çështja e dyshimit në kaçikun, e përgjithësisht interesimin e tërësishëm shqiptar, për ta bërë realitet tërë këtë prejudikim e preokupim kolektiv të tyre, me një metodologji të tillë të panjohur dhe ta konsumuar sa duhet nga asnjë komb në Evropë!Dyshimi, siç do të vërehet dhjetë vjet më vonë, do të përkujtohet si dyshim i bërë më vend. Ngaqë, vetëm rikthimi i tyre në kodin identifikues të rebelimit, dhe stereotipive tjera tradicionale shqiptare, do të bëjnë që problemi i pazgjidhur i Kosovës të marr kahet e një orientimi të dëshiruar të realizimit të asaj që ne sot jemi duke e gëzuar. Në kontekst të kësaj periudhe, është evidente se i tërë procesi i amputimit të filozofisë së jo violencës ne mentalitetin dhe etnopsikologjinë e shqiptarëve të Kosovës ka kaluar nëpër disa faza apo disa modele apo etapa emancipueseModele këto, që do të thoshim, në një mënyrë pasqyrojnë jo vetëm nivelin e emancipimit të gjithëmbarshëm politik të klasës dhe shoqërisë shqiptare në Kosovë, por edhe të vetë qytetarëve për ta pranuar këtë vlerë të re dhe deri atëherë të pa praktikuar në jetën e tyre të përditshme.Të gjendur, në mes të pamundësisë së shfrytëzimit të tëra mjeteve dhe arsenalit të poseduar, ende vetëm në nivel një entuziazmi shpeshherë edhe improvizues (!) dhe papjekurisë së kushteve dhe rrethanave që do shkonin në favor të tezës “makiavelistë”,se: duhet përdorur të gjitha mjetet (duke mos e përjashtuar as luftën e armatosur,, në mënyrë që të bëhet realitet qëllimi shekullor për shtetin e tyre (!), Kosovarët, pas dhjetë “vjetëve të humbura”, siç do thoshte z.Kraja, do të fillojnë t’i kthehen vetë vetës dhe ta rishqyrtojnë rrugëtimin e tyre maratonik.Në realitet, përmes një retrospekcioni sociologjik, jemi munduar të cilësonim dhe identifikonim disa nga modelet apo pozicionimet e sjelljes së shoqërisë Kosovare gjatë kësaj periudhe kërcënimesh, shantazhesh, dhe ndjekjeve të mëdha që do ta përmbyll egzodi i vitit 1999. Këto modele pozicionimesh për dioptrinë e një sociologu ishin interesante edhe për faktin se identifikuan disa modele sjelljesh kolektive, siq ishin; modeli Euforik, modeli Dyshues, modeli Iluzionist, dhe modeli Dyshues…