Si mundi LDK të pengonte krijimin e ushtrisë kur kishte 29 vota, kurse ata bashkë me pakicat kishin 91 vota?

13.03.2017 13:18:17

Nga Rexhep Kastrati

Çuni qenka dalladisur fort kundër kryeministrit Mustafa dhe kundër LDK-së, pas rreshtimit të Ramushit në krah të Ramushit në akuza të tilla. Por sikurse Hashimi dhe Ramushi, edhe Çuni tregojnë urrejtjen që kanë ndaj LDK-së dhe luftën e përbashkët kundër saj. Kurse lidhur me akuzat se gjoja LDK dhe kryeministri Mustafa paskan penguar krijimin e ushtrisë më 2014, se paskan qenë kundër vendeve të rezervuara, duhet thënë se janë vetëm faqja e zezë e tyre dhe fluska sapuni që nuk mbajnë erë fare. Është kështu për faktin se ka sa të duash argumente për të dëshmuar se këto akuza janë rrenë e kulluar dhe që nuk i ha kush pos atyre militantëve apo atyre që janë paguar për t’u çaraveshur dhe çjerrë paturpësisht.

  1. LDK dhe kryeministri Mustafa kanë dhënë gjithë konsensusin politiko-institucional për themelimin e ushtrisë së Kosovës, madje edhe duke lëshuar pe që të mos përfshihej emërtimi Republikë për Kosovën, e që është lëshimi që Hashimi, Ramushi dhe soji i tyre kanë bërë ndaj serbëve, që nuk e pranonin dhe nuk  e pranojnë shtetin e Kosovës;
  2. Sikur të kishte pasur konsensusin e serbëve, të pakicave dhe të të tjerëve, ndryshimet kushtetuese do të mund të bëheshin pa votat e LDK-së, edhe sikur të donte ta pengonte këtë proces, pasi që në legjislaturën e kaluar, LDK ka pasur 29 vende, kurse të tjerët bashkë kanë pasur 91 vende, pra 11 vota më shumë sesa 2/3.
  3. Në atë kohë serbët kishin deklaruar publikisht kërkesën që të formohej një batalion të veçantë serbë, e që i bie se ata kërkonin të kenë ushtrinë e tyre në Kosovë.

Përveç këtyre, duhet shtuar edhe këto të dhëna:

  1. Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e ka sjellë Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, sepse ky Asociacion zinte pjesën më të madhe të Marrëveshjes së 19 prillit 2013, kur hashim Thaçi ishte kryeministër dhe nënshkrues i saj, kurse Blerim Shala ishte përfaqësuesi i AAK-së në këto negociata. Atë kohë LDK ishte në opozitë dhe nuk ishte pjesë e negociatave;
  2. Demarkacionin me Malin e Zi e kishte negociuar Hashim Thaçi dhe teknikisht Komisioni në krye me Murat Mehën, i cili në krye të këtij Komisioni kishte ardhur me propozimin dhe votat e Hashim Thaçit. Dhe në fund, edhe e kishte nënshkruar Hashim Thaçi;

Nga të gjitha këto del se Asociacionin dhe Demarkacionin i kemi bakshish nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe të tjerët si këta, e jo nga LDK dhe kryeministri Mustafa, dhe së këndejmi edhe çdo akuzë në drejtim të LDK-së dhe kryeministrit Mustafa, është e kotë dhe e motivuar me motive urrejtëse ndaj tyre, si dhe për të fshehur përgjegjësinë e vetë Hashimit dhe të Ramushit, por edhe të tjerëve si këta.

Prandaj, edhe Çuni dhe çunat e tjerë që gërvallen kundër LDK-së dhe kryeministrit Mustafa, duhet të marrin veten me të mirë, të qetësohen , dhe nëse kanë marrë para, t’i kthejnë se nuk mund ta bëjnë dot punën që u kërkohet.