Si ndërroi mendje Bilall Kasami për bashkëpunimin ndërshqiptar në Maqedoni (VIDEO)

27.12.2016 16:43:23

Bilall Kasami, prijësi i Lëvizjes Besa dhe i koalicionit “Rilindje me besë”, për vetëm 1 javë ka ndërruar mendje sa i përket bashkëpunimit të partive shqiptare dhe mundësisë që të njëjtat të ulen në një tryezë.

“Jo vetëm me BDI-në, por edhe me subjektet tjera politike, ne do të ishim ulur të bisedojmë për një Qeveri të ardhshme vetëm me një agjendë kombëtare. Mjaftë më shqiptarët e Maqedonisë kanë pritur. Tani është koha një herë e përgjithmonë Maqedonia të ketë një agjendë të qartë: çfarë me çështjen shqiptare në Maqedoni”, është deklarata e Bilall Kasamit, dhënë në intervistën e tij për KTV (14 dhjetor 2016- minuta 10:50).

Nga këndvështrimi i tij, në situatën e Maqedonisë janë partitë politike shqiptare ato të cilat duhet të marrin peshën e realizimit të kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Edhe në të kaluarën partitë politike të Maqedonisë kanë mundur ta zgjidhin, por nuk kanë pasur vullnet. Edhe pse sot shihet më shumë vullnet te LSDM, po të mos jetë një parti shqiptare, apo po të mos jenë partitë shqiptare të unifikuara rreth kërkesave të jenë të barabartë me maqedonasit, kjo jo vetëm që nuk do të ndodhë, por do të vazhdon të prolongohet pafundësisht, saqë do të bëhet e pakuptimtë edhe realizimi i të drejtave tona kombëtare”, tha Kasami në po të njëjtën intervistë.

BDI, LR-PDSH, RDK dhe Uniteti të shtunën e kaluar janë ulur në një tryezë të thirrur nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti, me qëllim përafrimin e qëndrimeve rreth formimit për Qeverinë e ardhshme në Maqedoni. Takimit negativisht iu kanë përgjigjur nga Lëvizja Besa, respektivisht koalicioni “Rilindje me besë” dhe PDSH.

Portalb ka kërkuar sqarim nga Kasami, po ky i fundit ka qenë i zënë, prandaj rreth çështjes në fjalë sqarim morëm nga zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani.

“Ne si Lëvizje BESA e kemi bërë publik qëndrimin që do të përkrahim gjithçka që është në interes të shqiptarëve dhe në interes strategjik të shtetit, por jo edhe duke marrë pjesë në një takim i ftuar nga dikush që përmendet nga Prokuroria Speciale Publike dhe ata që dyshohen për rastin “Magjar Telekom”. Pra, mospjesëmarrja jonë në takim nuk nënkupton që nuk jemi për bashkëpunim për interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Qëndrimi tani për tani është ai, ky qëndrim është ndërtuar në bazë të rrethanave aktuale. Në rast se ka ndonjë ndryshim të rrethanave politike ndoshta mund të marrim ndonjë qëndrim tjetër. Por, për të ndodhur ai ndryshim duhet larguar figurat e inkriminuara politike”, sqaroi për Portalb Murtezani.

Kujtojmë arsyetimin e Lëvizjes Besa një ditë para takimit të partive shqiptare. Në qëndrimin e partisë mes tjerash thuhej:

“Duke qenë të përkushtuar për mbrojtjen e interesave shqiptare në Maqedoni, duke e respektuar vullnetin politik të votuesit shqiptar, duke pasur parasysh se këtë takim e fton dikush që përmendet nga Prokuroria Speciale Publike dhe ata që dyshohen për rastin “Magjar Telekom”, si dhe duke mos harruar në asnjë moment se jo më larg se javën e kaluar Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare – si anëtarë të KSHZ-së – edhe një herë i shërbyen VMRO-DPMNE-së, duke ia minusuar një deputet shqiptar koalicionit “Rilindje me BESË” dhe duke ia dhuruar Gruevskit, koalicioni “Rilindje me BESË” ka vendosur ta respektojë vullnetin e votuesve të tij dhe mos të marrë pjesë në takimin që e ka ftuar kryetari i BDI-së nesër (e shtunë, 24.12.2016) në Shkup”.