Si ndodhi që Komuna e Klinës shtroi asfalt në territorin e Malishevës?

19.10.2020 23:26:20

Një gjë e pazakontë kishte ndodhur në Klinën e qeverisur nga Zenun Elezaj.

Nën udhëheqjen e tij, Komuna e Klinës kishte asfaltuar një pjesë të rrugës në fshatin Stapanicë e cila gjendet në territorin e komunës së Malishevës.

E në lidhje me këtë çështje në emisonin Jeta në Komunë përballë Jeta Xharrës, Zenun Elezaj ka thënë se nuk e ka ditur se ajo pjesë është në territorin e Malishevës.

“Kjo rrugë është në hyrje, ata janë banorë të komunës së Klinës, po që territori ku e kanë shtëpinë po del se është pjesë e Malishevës. Tek e fundit kryetari i komunës nuk mundet me i ditë të gjitha këto, unë nuk i kam ditë lëvizjet e kufijve”, tha Elezaj.

Kur është pyetur se a i ka kërkuar Malishevës që t’ia kthejë paratë prapa, kryetari Elezaj deklaroi se nuk ka kërkuar pasi gjëra të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën.

“Jo realisht sepse nuk është rast i vetëm, ka ndodhë edhe më përpara”, tha Elezaj.

Në lidhje me shtrimin e asfaltit në këtë pjesë të Malishevës Komuna e Klinës edhe më parë kishte sqaruar se një pjesë e fshatit ku është bërë asfaltimi i segmenteve rrugore është në territorin e Komunës së Malishevës.

Mirëpo në reagimin e Komunës thuhej se banorët e kësaj lagjeje me dokumente të identitetit janë banorë të Komunës së Klinës.

Vlera e investimeve sipas kontratës është 14,675. 69 euro.

Sonte në debatin ‘Jeta në Komunë’ përballë gazetares Jeta Xharra ishte i ftuar kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

Të pranishëm në këtë debat ishin edhe ish kandidati për kryetar Komune Sokol Bashota, si dhe asamblistët Tush Dedaj, Mendehie Duraku dhe Esat Rraci.