Si po përdoret politikisht Coronavirusi nga të dyja palët

24.02.2020 15:11:20

Ashtu siç çdo gjë tjetër që ndodh në këtë vend e mirë apo e keqe qoftë, duhet thënë që edhe Coronavirusi nuk i ka shpëtuar e nuk do t’i shpëtojë dot përdorimit për interesa politike nga të dy krahët.

Kështu, të parët që i janë vënë pas kësaj skeme kanë qenë mbështetësit e Partisë Demokratike që nëpërmjet reagimeve të shumta akuzojnë qeverinë se është e paaftë të menaxhojë stuatën.

Madje me shpejtësi janë përhapur në rrjetet sociale edhe lajme se Spitali i Kavajës, po përgatitet të kthehet në karantinë nga Ministria e Shëndetësisë. Lajm ky i hedhur poshtë nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një dalje për mediat ditën e sotme e cila tha që kjo po përdoret politikisht.

E nga ana tjetër, edhe pse kjo situatë i ka rënë në derë qeverisë, edhe kjo e fundit nuk do rrijë pa e përdorur politikisht njëjtë siç ka bërë opozita, apo edhe njëjtë siç qeveria bëri me situatën e pas-tërmetit të 26 nëntorit.

Edhe çështjen e Coronavirus-it qeveria do të mundohet ta kthejë si rezultat pozitiv në anën e vet, përtej masave e mobilizmit teknik që po ndërmerr duhet thënë.

Mënyra që kjo situatë të kthehet në emergjencë qoftë si nevojë reale apo edhe si tentativë për të ndaluar “besëlidhjen” e Metës është tashmë një skenar i aludueshëm edhe nga opinioni publik.