Si të ndalet Hashim Thaçi? A është i fuqishëm, apo klasa politike e mjerë, dhe shoqëria konfuze?

27.08.2018 19:35:13

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi ka bërë pazare që 20 vjet, sepse ai dhe linja e Tiranës/Kretës janë prodhim i pazareve të ndryshme, ndër to, edhe i pazareve Nano – Milosheviq në Kretë. Dhe tashmë kur duhet të rrumbullakësohet gjithë procesi i pazareve, dhe kur ashiqare kanë dalë tri variantet e ndarjes së Kosovës: Asociacioni me kompetenca ekzekutive, apo “Republika Srpska” brenda Kosovës, ndarja klasike nëpërmjet ndonjë skenari ukrainas dhe ndarja e Kosovës si i ashtuquajtur shkëmbim territoresh, apo siç po thuhet me eufemizëm nga Hashim Thaçi, korrigjim i kufijve, pra tash kanë filluar të dërdëllitin, të kërcasin dhëmbët dhe të çirren shumë maskarenj, shumë hileqarë që gjatë viteve kanë bërë hile me ndjenjat e qytetarëve, me interesat e vendit, por edhe që kanë heroizuar jo vetëm Hashim Thaçin dhe linjën e Tiranës/Kretës, por edhe vetë pazaret dhe dëmet që ia kanë bërë vendit.

Në aspektin politik, opozitarët e sotëm po sillet më shumë si një grup analistësh politikë, si përfaqësues të OJQ-ve, e jo si forca politike të mirëfillta, dhe në frymën e një populizmi dhe të llafologjisë, po shprehen me një papërgjegjshmëri politike dhe qytetare, duke dëshmuar më shumë për pafuqinë e tyre përballë Hashim Thaçit, sesa një qëndrim të mirëfilltë politik.

Opozitarët e sotëm po kërkojnë që Hashim Thaçi të ndalet, por nuk japin përgjigje, nuk thonë se si të ndalet, pasi që nga e thëna në të bërë, është një det i tërë, siç thotë populli.

Në fakt, opozita e sotme ka treguar me kohë se është vetëm dekor në Kuvendin e Kosovës dhe se nuk e pyet kush. Fakti më bindës është rasti i të ashtuquajturës platformë qeveritare për negociata me Serbinë, e që parashihte që negociatat t’i udhëhiqte Hashim Thaçi. Kjo u kundërshtua vakët nga partitë opozitare, dhe Ramush Haradinaj e pat tërhequr atë paltfromë, por hashim Thaçi nuk e çau kokën as për Kuvend, as për Qeveri dhe as për askë tjetër: ai jo vetëm që vazhdoi pazaret, por tashmë në mënyrë më të fuqishme dhe më të rrezikshme.

Ky rast dëshmon se Hashim Thaçi shpërfill jo vetëm opozitën, por edhe kushtetutën, edhe institucionet e dala prej saj, dhe ndjehet shumë i qetë dhe i moskokëçarës, i pacenueshëm dhe i lirë të sillet me Kosovën si me një pashallëk personal.

Kurse shkarkimi i tij eventual nga Kuvendi, as që mund të diskutohet, pasi që opozita nuk mund t’i bëjë dot 80 vota, madje nuk po mund të bëjë as 61 vota për rrëzimin e Qeverisë aktuale. Dhe kjo po ndodh se jo vetëm që opozita si e tillë nuk është unike, por partitë opozitare as brenda tyre nuk janë unike, por në një kaos dhe një luftë të tmerrshme ndërmjet klaneve.

Një arsye tjetër ka të bëjë me faktin se partitë opozitare janë thujase plotësisht të kontrolluara nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nëpërmjet veglave kondomë dhe produkteve medietike të korpusit medietik kundër LDK që gjatë viteve janë rekrutuar dhe infiltruar brenda tyre qoftë nëpërmjet shantazheve të ndryshme, qoftë edhe nëpërmjet pazareve dhe bizneseve të ndryshme.

Prandaj, shkarkimi eventual i Hashim Thaçit nëpërmjet Kuvendit mund të bëhet vetëm nëse për këtë bie dakord edhe PDK, përkatësisht Kadri Veseli, e të bashkojë votat me partitë opozitare dhe me partitë e pakicave. Pra, si në rastin e legjislaturës së kaluar, edhe në këtë legjislaturë, PDK dhe kadri Veseli janë ata që përcaktojnë qoftë shkarkimin e Hashim Thaçit, qoftë shkarkimin e Qeverisë.

A ka vullnet Kadri Veseli dhe PDK që ta rrëzojnë Hashim Thaçin?

Sado që ka që thonë se ka një konflikt ndërmjet Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, sidomos për kontrollin e PDK-së, megjithatë është pak e besueshme se ky konflikt është serioz apo i vërtetë.

Mirëpo, edhe po qe se PDK dhe Kadri Veseli japin pëqlimin për shkarkimin e Hashim Thaçit, ata nuk e bëjnë pa ndonjë pazar të dobishëm për ta dhe në dëm të partive opozitare, përkatësisht pa ndonjë formulë që përsëri do ta mbante PDK-në në pushtet, e pse jo edhe të marrë postin e kryeministrit.

Ka edhe një rrugë tjetër për shkarkimin e Hashim Thaçit, e që është rruga nëpërmjet Gjykatës kushtetuese, por edhe në këtë rast janë dy vështirësi: 1. Gjykata kushtetuese nuk mund të vendosë për shkarkim derisa edhe zyrtarisht, pra me ndonjë marrëveshje kundërkushtetuese apo në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, dhe; 2. Gjykata kushtetuese në disa raste ka dëshmuar se ka kontroll politik dhe nuk merr vendime në rastet kur protagonist është Hashim Thaçi, siç ka ndodhur edhe me Marrëveshjen e 19 prillit 2013.

Në këtë aspekt, Hashim Thaçi është po aq mospërfillës dhe moskokëçarës, si në rastin e partive opozitare dhe të institucioneve kushtetuese, dhe nuk e ka pasur kurrë problem të deklarojë se për shkëmbim territoresh jemi në gjendje të ndryshojmë edhe kushtetutën.

Mirëpo, vetë shkarkimi i Hashim Thaçit nuk është garancë se pazaret do të ndalen dhe ato që janë bërë deri më tash, do të bllokohen, pasi që nuk bëhet fjalë për individin, por bëhet fjalë për një klasë politike të kontrolluar, të cenueshme, të shantazhueshme dhe pa dinjitet dhe integritet moral dhe politik.

Legjislatura e klauar ka dëshmuar se linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste janë të fuqishme dhe bashkëvepruese kundër çfarëdo lloj qeverie që i margjinalizon ato, dhe për të përmbysur qeveri të tilla, janë në gjendje t’ia vëjnë flakën vendit.

Edhe legjislatura aktuale po dëshmon se kur linja e Tiranës/Kretës është në pushtet, madje kontrollon të tri institucionet kryesore kushtetuese, nuk ka kush e rrëzon, edhe pse ka mbetur me 52 numra zyrtarë.

Në kontekste si i Kosovës, do të duhej që të kishte një reagim paqësor, demokratik dhe të vendsour të shoqërisë sonë në mbrojtje të integritetit territorial dhe interesave shtetërore të Kosovës. Dhe shoqëria ka shumë mundësi të veprojë në mënyrë demokratike, paqësore dhe të vendosur, dhe ndër këto forma, peticioni nuk është mënyrë që jep rezultat. Përkundrazi, peticioni është vetëm një manipulim me opinionin dhe paraqet pafuqinë e shoqërisë.

Është kështu, se peticione mund të organizojë kush të dojë dhe prapa atyre që organizojnë peticione mund të fshihen strukura mafiozo-politike, agjentura dhe shoqëri të ndryshme sekrete. Madje mund të fshihet edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli apo edhe në përgjithësi soji i tyre, për të manipuluar opinionin dhe për të dekurajuar qytetarët me gjoja pafuqinë e tyre.

Rasti i peticionit kundër demarkacionit me Malin e Zi, dëshmon për manipulimin e opinionit për qëllime të ngushta politike, dhe i cili është mbyllur në sirtarë, apo edhe është djegur fare.