Si u bë plani nga Serbia për masakrën e Dubravës?

28.08.2020 23:12:25

I kemi dëgjuar shpesh rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Burgut të Dubravës për tmerrin që kishin përjetuar nga forcat policore, ushtarake e paramilitare të shtetit të Serbisë, por nuk kemi dëgjuar ndonjëherë se si e kishin përgatitur planin strukturat serbe të sigurisë për vrasjen e të burgosurve shqiptarë

Televizioni publik ka siguruar edhe dokumentin se si është përgatitur nga shteti serb vrasja e të gjithë të burgosurve në Burgun e Dubravës vetëm disa ditë pasi ishte nxjerrë Ukshin Hoti nga ky burg. Nga strukturat e sigurisë serbe të udhëhequra nga Goran Radosavleviq – Guri ishte planifikuar vrasja e të gjithë të burgosurve në Burgun e Dubravës.

Dokumentet që i ka siguruar redaksia e “Udhëve” tregojnë për një plan të përgatitur nga strukturat e sigurimit shtetëror serb për vrasjen e të burgosurve shqiptarë, kryesisht politikë, në burgun e Dubravës.

Vetëm tri ditë pasi Ukshin Hoti ishte nxjerrë nga Burgu i Dubravës, mbi të burgosurit shqiptarë kishte ndodhur një masakër e tmerrshme. Keni dëgjuar shumë shpesh rrëfime për tmerrin që kishin përjetuar të burgosurit shqiptarë në burgun e Dubravës prej 19-24 maj të vitit 1999. U masakruan nga forcat serbe me urdhër të strukturave shtetërore. Rreth 160 të burgosur shqiptarë të cilët ishin kryesisht të burgosur politikë ishin vrarë e qindra të tjerë janë plagosur. Por si u përgatitë i gjithë plani për shfarosjen e të gjithë të burgosurve shqiptarë? Redaksia e Udhëve ka siguruar dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ku tregohet se si ishte planifikuar e gjithë kjo ngjarje e tmerrshme. Një dokument që do ta zbardhim më poshtë tregon se si një dëshmitar serb me emrin Veroljub Jeliq i ashtuquajturi “SEKI” dhe “TAFARELI” kishte dëshmuar pas përfundimit të luftës para një ekipi hetuesish serbë, për një urdhër që i ishte dhënë grupit famëkeq të policisë rezerviste në Prishtinë “Operativna Poterne Grupe” (Grupi i Ndjekjes Operative).

Dëshmitari kishte rrëfyer se si Goran Radosavljevic me nofkën “GURI” kishte marrë një urdhër siç thuhet “Për pastrimin e burgut të Dubravës” në Istog, ku disa orë më parë ishte kryer një bombardim i avionëve të NATO-s. Por në mbledhjen që ai kishte mbajtur me vartësit e tij, me Predrag Visiq “PEKI-n” dhe Sreten Popoviq – “POP-in”, papritur kishte shpërthyer një zënkë. Predrag Visiq “PEKI”, që komandonte krahun rezervë të “Operativna Poterne Grupe” nuk kishte pranuar që të shkonte në këtë aksion, i cili parashihte vrasjen e të gjithë të burgosurve shqiptarë që kishin shpëtuar pas sulmit të avionëve të NATO-s.

Fjalëve të Pekit, Guri iu përgjigj me fjalët : “nëse nesër në mëngjes Peki nuk je i përgatitur që të vish bashkë me njësinë tënde me Popin në detyrë, mos të të shoh më këtu”. Të gjithë anëtarët rezervistë të njësisë Grupi i Ndjekjes Operative e dëgjuan Pekin dhe e lëshuan njësinë. Ky ishte rebelimi i parë i njësisë rezerviste të Ndjekjes Operative të udhëhequr nga Peki të cilët nuk pranuan që bashkë me Popin dhe pjesëtarët e tjerë të përbërjes aktive të Ndjekjes Operative e me porosi të Gurit të shkojnë në detyrë mëngjesin e nesërm për të bërë pastrimin e burgut të Dubravës.

Por, pavarësisht refuzimit të Predrag Visiq “PEKI-t” për ta kryer aksionin “Pastrimi i burgut të Dubravës” një tjetër pjesëtar serb i këtij grupi gjendet në bazën e “Operativna Poterna Grupa” që ta zbatojë urdhrin e “GURI-t”. Ishte ky Milosh Stojanoviq i ashtuquajturi “SESEL”. Ai urdhëron menjëherë trupat e tij që me disa makina civile të shkonin në fabrikën e “Coca Cola-s” në Lipjan, e cila gjatë kohës së luftës kishte shërbyer si depo municioni, që t’i merrnin disa arka me granata të dorës. Po ashtu “SESEL-i” i urdhëroi kriminelët e tij që nga baza e njësitit “Operativna Poterna Grupës” në Prishtinë të merrnin pushkë të reja automatike të cilat ishin të pajisura me tyta speciale të cilat bënin të mundur hedhjen e bombave të dorës sikur tromblonët e zakonshëm. Të nesërmen, më datë 22 maj, herët në mëngjes, njësitit të maskuar të “SESEL-it” i është bashkuar edhe njësiti i Sreten Popoviqt-“POP-it. Që të dy këto njësite kriminale janë nisur drejt burgut të Dubravës.

Ky “POP”-i, i cili e kishte pasur zakon që para aksionit t’i çonte disa gota raki, sipas dëshmitarit, atë ditë kishte pirë disa teke mastikë. Dëshmitari kishte rrëfyer se nuk ishte i sigurt nëse edhe “GURI” kishte shkuar atë ditë në aksionin e pastrimit të burgut të Dubravës, por ai ishte shprehur i sigurt se “POP-i” e kishte pasur “GURI-n” gjatë gjithë ditës në komunikim me radio-lidhje, i cili atë ditë e kishte mbajtur shifrën “ROBIN-5”. Në mëngjesin e 22 majit të burgosurve u është dhënë urdhri për rreshtim në fushën sportive. Ishin urdhëruar të radhiteshin në rreshta të gjithë dhe papritmas nga muret rrethuese dhe karaullat kishin filluar të shtënat me mitraloz, me granata dore, me pushkë snajperiste etj. Ekzekutimi i rreshtave të të burgosurve ishte bërë nga largësia 15-20 metra.