Siberia mendore shqiptare…

19.03.2019 12:49:16

Nga Ndue Ukaj

Gjergj Fishta, dikur thoshte: “dokrra thirren kah Shqypnija Dija, Kanga e Historija.” Koha ka treguar se, Fishta, si njohës i thellë i botës shqiptare, kishte të drejtë. Si duket, ai me dhimbje e pezmatim, profetizonte për shqiptarin e të gjitha kohërave, për shqiptarin që flet shumë dhe pa kurrfarë baze, për shqiptarin që flet kuturu për të gjitha temat e mundshme, por që nuk ka ndjeshmeri minimale për tema themelore, siç janë dija, arti e historia.

Te popujt e përparuar, shpeshherë na bie të lexojmë dhe të dëgjojme: “ju jeni, çfarë ju lexoni”.
Shprehja e mësipërme, na ndihmon shumë që t’i kuptojmë disa nga probmelet tona, sidomos ato që lidhen me komunikimin publik.

Një shoqëri me kërkesat shpirtërore dhe artistike të shkreta, prodhon dhe konsumon opinion të shkretë. Apo, siç thoshte Vangjel Koça: “Siberia mendore shqiptare na ka falur shumë kufoma mendore…
Kthehet njeriu shqiptar dhe gjen një rreth mendor të përbërë nga njerëz, që përbuzin njëri-tjetrin dhe pushtojnë njëri-tjetrin, me gojë e me shkrime. Në vend që të gjej simpati e përkrahje, i riu shqiptar gjen mëri dhe përbuzje.”

Shoqëria shqiptare, ka nevojë imediate të dalë nga kjo siberi mendore që gëlon kudo ndër ne, dhe, të ngrohet me rrezet e qytetërimit.

Deri me tani, shoqërinë tonë, nuk e kanë ngrohur rrezet e drejtësisë, humanizmit, mirësisë dhe dashurisë. Për pasojë, kemi tonelata urrejte dhe mosmarrëveshje ndërmjet nesh, dhe asnjëherë për punë parimesh e idesh, por për punë dokrrash dhe marrish.

Pa kaluar në një stad tjetër të komunikimit, nuk mund të ecim kah progresi, dhe as nuk mund të bëhemi pjesë e kombeve të përparuar.

19 mars 2018