Simultane antiamerikane, jo e rastit, në Ballkan

06.02.2017 10:04:28

Nga Shaban Murati


Një lojë simultane e shahut strategjik antiamerikan po luhet në Ballkan. Në një rezonancë të habitshme kemi një shpërthim të antiamerikanizmit në nivelet më të larta të qeverisë, të institucioneve, të politikës, në disa shtete ballkanike. Në datën 3 shkurt, Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sulmoi “ambasadorët e huaj, që po përzihen në punët e brendshme të vendit tonë. Unë do t’u jap atyre një mësim, që ata ta dinë se sa e kanë fuqinë e tyre”. Mediat serbe njëzëri përmendën emrin e ambasadorit amerikan Kajl Skot si objektiv sulmi i kryeministrit, dhe kur gazetarët serbë në 3 shkurt e pyetën për këtë gjë ambasadorin, ai u përgjigj se është vetë kryeministri Vuçiç që duhet të shpjegojë se çfarë kishte ndërmend. Në Maqedoni, siç shkruante gazeta “Utrinski vesnik” në 2 shkurt, kryetari i partisë VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministër, Nikolla Gruevski, “i ka shpallur luftë ambasadorit amerikan Xhes Bejli” dhe ka vënë ambasadorët e Maqedonisë që të shkruajnë në rrjetet sociale peticione kundër ambasadorit amerikan. Në Shqipëri, në datën 2 shkurt kemi letrën e prokurorit të përgjithshëm të republikës drejtuar presidentit, ku akuzon ambasadorin e SHBA-ve Donald Lu për presione dhe shantazhe dhe ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tonë. Nuk mund të mungonte në këtë lojë ballkanike presidenti i së ashtuquajturës “serpska republika”, Milorad Dodik, i cili ambasadoren amerikane, Maureen Cormack, e shpalli armike të serbëve dhe u kërkoi autoriteteve boshnjake ta shpallin persona non grata.
Lexuesi e kupton se kemi një fenomen, një fushatë dhe një orkestrim të një simultane antiamerikane në disa vende të Ballkanit. Karakteristikat e kësaj ofensive janë: Së pari, që ajo është e njëkohshme dhe po ndodh edhe në Serbi, edhe në Maqedoni, edhe në Shqipëri, edhe në “serpska republika”. Së dyti, që ajo drejtohet kundër ambasadorëve amerikanë të akredituar në ato vende, dhe jo kundër SHBA-ve në përgjithësi. Së treti, që kjo fushatë antiamerikane ndërmerret në emër të mbrojtjes së sovranitetit të vendit dhe kundër ndërhyrjes së ambasadorëve në punët e brendshme të vendeve ballkanike. Së katërti, që kjo ofensivë antiamerikane shfaqet me një dimension rajonal, çka tregon se strategjistët e planifikimit të saj nuk e kanë objektivin vetëm në një shtet të caktuar ballkanik, por në të gjithë rajonin. Së pesti, që në shtetet ballkanike ku po luhet kjo simultane antiamerikane, ka probleme dhe kriza të brendshme, të cilat disa udhëheqës, disa institucione dhe disa forca politike ballkanike po kërkojnë t’ia faturojnë Amerikës.
Këto karakteristika krijojnë bindjen se qëllimi i kësaj simultane antiamerikane është që të goditet politika, prania dhe interesat e SHBA-ve në Ballkan. Strategjistët e kësaj ofensive antiamerikane, me sa duket gjykojnë se kjo periudhë e ndërrimit të pushteteve presidenciale në SHBA dhe e një paqartësie lidhur me të ardhmen e politikës ballkanike të Shtëpisë së Bardhë, është momenti më i mirë për të nxitur kryengritje antiamerikane në pallatet e pushtetit dhe të politikës në Ballkan. Qëllimi është të provokojnë një çarje në marrëdhëniet SHBA-rajon dhe të krijojnë një vakum ndikimi, që aspirojnë ta mbushin fuqitë rivale të SHBA-ve dhe të NATO-s.
Stili bizantin për të sulmuar ambasadorët amerikanë me emra të përveçëm dhe jo drejtpërdrejt politikën amerikane në rajon, është në funksion të një linje të dyfishtë. Edhe ta godasë diplomacinë amerikane, por edhe t’i bëjë të tërhiqen dhe të mënjanojë ambasadorët amerikanë një e nga një në rolin e tyre si promotorë të vlerave demokratike dhe të shtetit ligjor në Ballkan. Asnjë logjikë nuk mund ta shpjegojë dhe as ta pranojë pretendimin absurd ballkanik se të gjithë ambasadorët amerikanë gabuakan njëkohësisht në gjithë vendet ballkanike, ku janë akredituar, edhe në Maqedoni, edhe në Shqipëri, edhe në Serbi, edhe në Bosnjë-Hercegovinë, edhe në Mal të Zi etj. Edhe më analfabeti duhet ta dijë se ambasadorët e SHBA-ve në rajon nuk ndjekin politika personale dhe as të gabojnë në të njëjtën kohë. Duket se ka një dorë apo një qendër, që po shpërndan në rajon sindromën e “gabimeve personale” të ambasadorëve amerikanë në rajon. Sindroma përputhet me interesat e disa udhëheqësve, disa institucioneve dhe disa forcave ballanike, që nuk duan të pengohen në kursin e tyre të autokratizmit, të mungesës së drejtësisë, të pasurimit të paligjshëm dhe të grabitjes së pasurive të popullit. Mendjengushtësive ballkanike shpeshherë Uashingtoni u ka kujtuar se ambasadorët amerikanë përfaqësojnë dhe ndjekin politikat dhe interesat e SHBA-ve. Në 3 shkurt, Departamenti Amerikan i Shtetit, në një deklarim të veçantë, theksonte se mbështeste ambasadorin në Maqedoni, Xhes Bejli, dhe se ambasadori dhe ekipi i tij janë të angazhuar të punojnë edhe me pushtetin maqedonas, edhe me shoqërinë civile, për realizimin e politikës amerikane dhe të qëllimeve të SHBA-ve. Po në datën 3 shkurt, zëdhënësi i departamentit të shtetit, i pyetur nga “Zëri i Amerikës” për sulmet kundër ambasadorit Donald Lu në Shqipëri, deklaroi se “departamenti i shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori amerikan në Tiranë”. Kemi pra mesazhe zyrtare amerikane drejtuar shteteve dhe popujve të Ballkanit se ambasadorët përfaqësojnë politikën dhe interesat e SHBA-ve. Këto mesazhe zyrtare synojnë gjithashtu të sqarojnë se loja simultane antiamerikane në vendet e Ballkanit nuk është çështje marrëdhëniesh personale me njërin apo tjetrin kryeministër apo ish-kryeministër në rajon, por është shfaqje e një rryme të caktuar politike, me prapavija të përcaktuara qoftë antiamerikane, qoftë antidemokratike.
Përballë këtij zhvillimi nuk mund të mos lindë nevoja e një analize për atë dorë apo qendër, që po e luan këtë simultane antiamerikane në Ballkan. Hipoteza e parë, që nxjerr logjika e zhvillimeve në rajon tri vitet e fundit pas krizës ukrainase, si dhe burimet diplomatike të informacionit, është ajo e një inskenimi rus dhe e ndërhyrjes së shtuar të Rusisë në vendet e Ballkanit. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi në 2 shkurt se NATO po ndjek nga shumë afër situatën pas raporteve mbi rritjen e influencës ruse në vendet e Ballkanit Perëndimor. Inkurajimi dhe instrumentalizimi i antiamerikanizmit në rajon është një nga strategjitë kryesore të politikës dhe të diplomacisë ruse në vendet e rajonit. Në një intervistë me “Zërin e Amerikës” në 3 dhjetor të vitit të kaluar kam theksuar se në Shqipëri kemi dhe forca të majta, por dhe të djathta, që dalin me qëndrime kundër SHBA-ve, që do të thotë kundër aleancës sonë me SHBA-të, të çon te përfundimi që kjo është një lëvizje ose një profil politik i sponsorizuar nga jashtë, dhe natyrisht shteti më i interesuar për këtë është Rusia.
Nëse deri tani kemi parë nxitje dhe shpërthime të antiamerikanizmit herë në një shtet ballkanik e herë në një tjetër, tani shohim kalimin në një shkallë të re të strategjisë ruse për ta provokuar antiamerikanizmin në mënyrë të njëkohshme në disa shtete ballkanike. Kjo formë e re e bën më të vështirë për forcat demokratike brenda vendeve ballkanike përballjen me këtë fenomen negativ. Por e bën më të vështirë edhe për NATO-n, edhe për BE-në, që të neutralizojnë këtë epidemi me përmasa rajonale. Mund të bindesh për këtë ndërhyrje të Rusisë në rajon, mjafton të lexosh komunikatën e MPJ të Rusisë në datën 2 shkurt për zhvillimet në Maqedoni. Tezat dhe pikëpamjet e paraqitura aty shprehin një angazhim të drejtpërdrejtë të diplomacisë ruse për të menaxhuar ngjarjet dhe forcat politike në Maqedoni në drejtimin e përputhjes me interesat ruse dhe sidomos për t’iu kundërvënë rrymës properëndimore të integrimit euroatlantik në atë shtet. Komunikata e MPJ të Rusisë doli një ditë pasi ambasadori rus në Shkup zhvilloi një takim me kryetarin e VMPRO-DPMNE dhe ish-kryeministrin prorus, Nikolla Gruevski. MPJ e Rusisë merr hapur në mbrojtje partinë e Gruevskit dhe konkretizon përpjekjet që ai të vijë prapë në pushtet. MPJ e Rusisë sulmon “ndërhyrjet brutale të presionit të jashtëm mbi forcat politike maqedonase, qëllimi i të cilit është që të hiqen qafe politikanët maqedonas, që nuk i përshtaten Perëndimit dhe që duan të riformatohet qeveria në kundërshtim me votën publike në favor të koalicionit ‘Për një Maqedoni më të mirë’ të Nikolla Gruevskit”.
MPJ e Rusisë afishon edhe njëherë antishqiptarizmin e saj, kur shkruan se është veçanërisht alarmuese që politikanët, që përfaqësojnë një komunitet etnik, të kenë fuqinë të vendosin, duke bazuar në kërkesa ultimative të frymëzuara nga forcat e jashtme. Në fund, MPJ ruse kërcënon me shpërthimin e situatës në Maqedoni. Po në këtë frymë ndërhyrjeje, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, sulmoi sanksionet, që SHBA-të vendosën ndaj presidentit separatist dhe ultrarus të “serpska republikës”, Milorad Dodik, para disa ditësh.
Simultania antiamerikane që po luhet në Ballkan, është sinjal i rëndë dhe paralajmërues i tensioneve dhe i të papriturave të tjera të pakëndshme, që mund të provokojnë strategjistët e “botës ruse” në rajonin tonë. Është një situatë, e cila kërkon kthjelltësi nga shteti, nga diplomacia, nga institucionet e specializuara, nga opinioni publik dhe mediatik, nga e quajtura shoqëri civile. Ballkani po nxitet nga forcat antiamerikane, antiatlantike dhe antieuropiane që të tensionojë artificialisht situatat e brendshme dhe ta bëjë këtë me dorën e vetë ballkanasve. Është një miopi historike dhe gjenetike, nga e cila Ballkani ka vuajtur gjatë gjithë historisë së tij të dhimbshme dhe nga e cila duket se ende nuk ka nxjerrë mësimet e duhura