Siri, regjimi i Asadit sulme në “zonat jokonfliktuale”

29.10.2017 16:06:13

“Në sulmet e forcave të regjimit të Asadit, në Hamurije kanë humbur jetën 5 persona, ndërsa në Sabka humbi jetën një fëmijë”

Në sulmet e forcave të regjimit të Asadit në disa vendbanime të Gutës Lindore në kryeqytetin e Sirisë, Damask, që gjendet mes “zonave jokonfliktuale”, kanë humbur jetën 6 civilë, njëri prej të cilëve fëmijë, ndërsa janë plagosur 7 civilë të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtar i Mbrojtjes Civile, në rajonin e Gutës Lindore, Mahmut Ethem, në një deklaratë për AA, tha se “Në sulmet e forcave të regjimit të Asadit, në Hamurije kanë humbur jetën 5 persona, ndërsa në Sabka humbi jetën një fëmijë. Nga sulmet u plagosën 7 civilë”.

Ai tregoi se personat që janë plagosur nga sulmet e regjimit janë transferuar në spitalet fushore për të marrë trajtim mjekësor.

Ndërkohë anëtari i Komitetit të Koordinimit Lokal në Gutën Lindore, Jusuf el Bustani, theksoi se regjimi ka shënjestruar tre vendbanime në Gutën Lindore.

“Regjimi përdor armën e urisë”

“Regjimi në rajon po përdor armën e urisë kundër civilëve. Regjimi edhe më parë në Jermuk, Madaj dhe Zabadani e zhvendosi popullin nga vendi duke e përdorur armën e urisë”, u shpreh Bustani, duke theksuar se për shkak të rrethimit të regjimit të Asadit në Gutën Lindore, gjendja humanitare në rajon është shumë e keqe.

Guta Lindore e cila është në lindje të Damaskut, më shumë se 5 vjet gjendet nën rrethimin e regjimit.

Turqia, Rusia dhe Irani, në mbledhjen në Astana të Kazakistanit më 3-4 maj e kishin shpallur Gutën Lindore si një ndër katër zonat jokonfliktuale. Rusia më 22 korrik kishte njoftuar se në Gutën Lindore ka hyrë në fuqi armëpushimi, edhe pse sulmet e regjimit vazhdojnë.