Sistemi i drejtësisë për të mbrojtur bosët e krimit dhe të korrupsionit, dhe për të ndëshkuar qytetarët

16.08.2018 13:45:34

Nga Rexhep Kastrati

U bë lajm dorëheqja e një prokurori për shkak të kërcënimeve që paska pasur, por a është vërtet lajm kërcënimi ndaj prokurëve dhe a mund të thjeshtësohet gjendja e sistemit të drejtësisë vetëm në paraqitjen e rolit të prokurorëve si viktimë?

Është e qartë për të gjithë se sistemi i drejtësisë është i kapur nga strukura që do të duhej të ishin mbrapa grilave dhe do të duhej të trajtoheshin dhe dënoheshin si kriminelë, e jo të trajtoheshin dhe të konsderoheshin si heronj.

Prokuroria si pjesë e sistemit të drejtësisë, është një nga pjesët e kapura të saj, e cila është përdorur për të prishur çështje, për të pamundësuar një hetim dhe trajtim ligjor të rasteve të ndryshme të krimit politik dhe të atij ekonomik.

Prokuroria nuk ka arritur të trajtojë si duhet vrasjet politike, dhe të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për këto vrasje, ashtu siç nuk ka arritur të trajtojë si duhet krimin ekonomik, përkatësisht korrupsionin galopant që nuk po e lë këtë vend të konsolidohet dhe të funksionalizohet si duhet.

Kjo nuk do të thotë se nuk ka prokurorë të zotë, që kanë vullnet për të bërë punën e tyre si duhet dhe në përputhje me ligjin, por këta o janë detyruar të tërhiqen dhe të ushtrojnë profesione të tjera në kuadër të sistemit të drejtësisë, o janë detyruar të heshtin, o janë thyer dhe kanë hequr dorë nga vullneti për të luftuar ligjërisht dhe profesionalisht krimin dhe korrupsionin.

Nëntëmbëdhjetë pas luftës, ende nuk ka ndonjë rast të rëndësishëm të vendosjes para drejtësisë dhe dënimit të ndonjë bosi të krimit dhe të korrupsionit, por ka raste kur të tillë o janë liruar nga të gjitha akuzat, o u janë zbutur dënimet në nivele qesharake, me mundësi që në proces ankimimi, t’u hiqen edhe ato.

Rasti i Azem Sylës është një nga rastet shkollore se si një arrestim apo vetëdorëzim spektakolar, devalvohet në nivele qesharake dhe komprometuese, e që dëshmon se në çfarë gjendje është sistemi ynë idrejtësisë.

Duke e bërë lajm dorëheqjen e një prokurori, përkatësisht duke e paraqitur viktimë të kërcënimeve nga qarqe kriminale, nuk është se po ndihmohet çlirimi i sistemit të drejtësisë, por vetëm po bëhet një flim artistik për të mbuluar dhe mbrojtur vetë kapjen e këtij sistemi.

Është kështu për faktin se ky prokuror që është krëcënuar ka pasur një karrierë në Prokurori, e cila mund të ketë qenë e ndershme, profesionale dhe pa ndonjë cen, por mund të jetë edhe një karrierë pazaresh dhe marifetesh të ndryshme që mund të fillojnë nga emërimi i tij në atë funksion e deri te motivet për kërëcnime.

Mirëpo, ky rast, në fakt, nxjerr në gjendje katastrofale gjendjen e Prokurorisë së shtetit, kur edhe vetë kryeprokurori, po ashtu, i përfolur shumë si i afërt me qarqe politike dhe me strukura të inkriminuara, pranon se prokurir në fjalë ka qenë i kërcënuar që një kohë.

Pra, institucioni ku ka punuar prokurori i kërcënuar, e ka ditur se punonjësi i saj është kërcënuar, por ka qenë i pafuqishëm për ta mbrojtur nga këto kërcënime. Kjo do të thotë se Prokuroria që ka detyrë kushtetuese dhe ligjore të hetojë rastet e dyshuara dhe të faktuara si raste të kundërligjshme, kriminale dhe korruptive, është i pafuqishëm kundrejt bosëve të krimit, pra është i pafuqishëm në raport me ata që duhet t’o hetojë.

Në këtë kontekst, bëhet shumë e qartë se një gjendje e këtillë e Prokurorisë është pasojë e kapjes së saj dhe e kontrollit të plotë politik dhe jo vetëm politik që ka nga ata që kanë pushtet politik, ekonomik dhe pse jo edhe mafiozo-politik.

Prandaj, rasti i dorëheqjes së një prokurori për shkak të kërcënimeve, është për keqardhje, por jo edhe rast që do të duhej ta bënte heroizimin, apo edhe viktimizimin e tij, së paku jo derisa nuk bëhet e qartë karriera, përkatësisht pastëria apo papastërtia e karrierës së tij.

Madje, raste të largimit nga sistemi i drejtësisë shtetërore, në kuptimin e largimit nga Prokuroria apo Gjykata dhe kalimi në pjesën private të drejtësisë, si avokat, si përmbarues privat apo në sektorin juridik të institucioneve dhe të agjensive të ndryshme, pra edhe të kompanive private, janë raste të shpeshta, e që motiv kanë pasur dhe kanë trysnitë e ndryshme të bëra mbi ta, pra që mund të kenë qenë forma elegante apo arrogante të krëcënimeve, dhe askush nuk i ka bërë lajm.

Sikur funksionimi i shtetit dhe i institucioneve të tij të ishte normal, një kryeprokuror që pranon se punonjësit e tij nuk mund t’i mbrojë nga format agresive të trysnisë, siç janë kërëcënimet, do të duhej të merrte së paku përgjegjësinë morale dhe të largohej nga posti që mban dhe të strukej skutave të këtij shteti si një dështak dhe frikacak, kurse në aspektin ligjor do të duhej të hetohej baza reale e pafuqisë së tij për të mbrojtur punonjësin e tij.

Mirëpo, në një vend, ku qytetarët ndëshkohen edhe për shkeljet ligjore të të tjerëve, ku qytetarët ndëshkohen për çka t’u teket të tjerëve, dhe ku bosët e krimit dhe të korrupsionit bëjnë ligjin, bëjnë politikën, bëjnë ekonominë dhe bëjnë gjithçka tjetër dhe nuk ndëshkohen, është e qartë se lajm do të përbënte sikur qytetarët do të mobilizoheshin, do të bashkoheshin për të mbrojtur veten, për të mbrojtur shtetin dhe për të pastruar politikën dhe institucionet nga njerëz të inkriminuar dhe që po e shkatërrojnë edhe shoqërinë edhe shtetin.

Po ashtu, në një vend ku edhe për një dokument udhëtimi qytetarëve u kërkohet një dëshmi se nuk është nën hetime, kurse bosëve të krimit dhe të korrupsionit jo që nuk u kërkohet një dokument i tillë, por vihen në pozita të larta shtetërore për të mbajtur të kapur shtetin dhe të gjitha sistemet e tij, pra edhe atë të drejtësisë, lajm do të ishte sikur të fillojë një mobilizim dhe bashkim i të gjithë atyre punonjësëve të institucioneve që ende nuk janë bërë pjesë e sistemit korruptiv për të çliruar ato institucione nga kapja dhe për të çliruar shtetin nga strukura mafiozo-politike.

Dorëheqja e një prokurori, sado që për keqardhje, megjithatë nuk prek fare sistemin e kapur të drejtësisë, por vetëm hap një vend të ri pune për dikë tjetër, përkatësisht për ta forcuar sistemin korruptiv me një prokuror të kapur dhe të korrutuar.

A mos është pikërisht ky qëllimi i zhurmës që po bëhet për dorëheqjen e një prokuri? Pra a është qëllimi që me zhurmën për dorëheqjen e tij, të fshihet mundësia që në vend të tij të vijë një person tjetër, i korruptuar dhe i kapur?