Sistemi i Prokurimit Publik nga sot plotësisht elektronik

01.01.2018 12:19:26

Nga sot sistemi i prokurimit publik në platformën elektronike “full” do të zbatohet në 173 institucione, duke përfshitë komuna, ministri, agjenci të pavarura dhe ndërmarrje publike, që ka për qëllim shpenzimet e parasë publike në mënyrë më të drejt.

Isuf Zejna, menaxher i programit Demokracia Plus( D+), OJQ kjo e cila mbikëqyrë sistemin e prokurimit publik.

Se nga 1 janari 2018 pritet që prokurimi të jetë plotësisht elektronik, gjë e cila do t’i jepte fund problemeve që janë shkaktuar në vlerësimin e tenderëve deri më tani.

Sipas tij, kjo platforme e prokurimit elektronik është donacion i Bankës Botërore për Qeverinë e Kosovës dhe ka kushtuar rreth gjysmë milioni euro.

“Prej 1 janarit është full elektronik. Deri tash ka qenë i kombinuar. Dallimi i prokurimit elektronik me atë të kombinuar qëndron në faktin se tani më ofertat e operatoreve nuk mund të dorëzohen në letër, por vetëm përmes platformës e cila është e enkriptuar dhe tani më nuk ka mundësi që të ketë parregullsi me ndërrimin e dokumenteve siç ka pasur në të kaluarën, apo në ndryshimin e çmimeve”, ka thënë Zejna për KosovaPress.

Ai ka shtuar se kjo platformë do të zbatohet në 173 institucione, duke përfshirë komuna, ministri, agjenci të pavarura dhe ndërmarrje publike.

Për platformën e prokurimit elektronik, e cila pritet të jetë obligative që nga 1 janari, kryetari i KRPP-së Safet Hoxha ka thënë për KosovaPress se kjo është një e arritur mjaft e madhe, për të cilien platformë janë trajnuar zyrtarë të prokurimit publik me ndihmën e projektit Team të USAID-it.

Ai pret që me anë të këtij sisitemi të jetë edhe më transparent prokurimi publik, për t’i eliminuar dyshimet për keq përdorim të paras publike.