Sizmologu thotë se territori i Kosovës mund të goditet nga tërmetet

26.11.2019 21:05:30

Shqipëria në orët e hershme të mëngjesit të së martës është goditur nga një tërmet prej 6.4 shkallë të riterit.

Pas tërmetit prej 6.4 shkallë të riterit që e ka goditur Shqipërinë në orët e mëngjesit të së martës, kanë mbetur të vdekur dhjetëra persona dhe mbi 600 janë lënduar.

Ky tërmet u ndje edhe në Kosovë, e në disa zona shkaktoi edhe dëme materiale.

Mirëpo, drejtori i Institutit Seizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa, ka thënë për lajmi.net, se Kosova nuk është zonë e rrezikuar nga tërmetet.

Sipas tij, Kosova është në një zonë me aktivitet relativisht të lartë.

“Kosova është në një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë, kjo tregon se nuk e ka atë rrezikun siç e kanë vendet përreth Kosovës. Sepse Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, e kanë aktivitetin sizmik më të lartë”, u shpreh Mustafa.

Por ai ka thënë se nuk mund të përjashtohet mundësia që Kosova të goditet nga tërmetet mirëpo, siç u shpreh Mustafa për lajmi.net, këto tërmete nuk do të jenë të intensitetit të lartë.

“Në të ardhmen territori i Kosovës mund të goditet nga ndonjë tërmet, por me intensitet më të ulët jo sikur që pritet tërmetet në vendet që janë përreth Kosovës, sepse atje është zonë me aktivitet sizmik shumë të lartë”, deklaroi Mustafa.

Sipas tij, Kosova në të kaluarën ishte goditur nga një tërmet prej 6.6 shkallë të riterit.

“Në vitin 1921 zona Ferizaj, Viti, Gjilan ishte goditur nga një tërmet 6.6 shkallë të riterit”, tregoi Mustafa.

Duhet theksuar se qyteti i Gjilanit ishte goditur nga një tërmet prej 5.4 shkallë të riterit në vitin 2002, ku për pasojë një person kishte humbur jetën dhe 100 ishin lënduar.

Po ashtu, ky tërmet i vitit 2002, në qytetin e Gjilanit kishte shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale.