S’ka mbetur më asgjë për të thënë!

23.07.2016 23:23:54

Nga Gilman Bakalli

E di që mund të tingëllojë cinike, por terrori ka diçka të bezdisshme e të lodhshme. Mësohesh edhe me të. Të paktën kur nuk prekesh direkt prej tij. Po të njëjtat skena të stërnjohura tashmë. Një turmë e madhe njerëzish diku, një terrorist, dy, tre ose katër, pastaj një gjakderdhje, pastaj sirenat blu të policisë, e në fund trupat e viktimave të mbuluara me mbulesa të bardha.

Pas disa minutash i njëjti reagim i ritualizuar i politikanëve: “
që janë të prekur thellë nga ky sulm frikacakësh”, “që do bëhet gjithçka për të hedhur dritë mbi ngjarjen”, “që nuk do të përkulemi para terrorit” dhe “që do ta fitojmë luftën kundër terrorizmit”. Ndërkohë që rreshti i parë i politikës shfaq publikisht dhimbjen për ngjarjen, pashmangërisht i janë futur punës interpretuese komentatorët e medias. Sipas pikëpamjes personale dhe pozicionimit ideologjik, spektri i gjykimeve varion lart e poshtë e poshtë e lart. Për disa rrënjët e së keqes janë tek Islami, për disa jo. Për disa terrori është produkt i një tolerance të keqkuptuar, për të tjerët rezultat i përjashtimit dhe diskriminimit. Të tjerë kapin rastin për të paralajmëruar Europën për kufijtë e saj, të tjerë kanë mendim ndryshe. Lista e frazave të automatizuara mund të vazhdohet. Me sa duket, fjalët kanë mbaruar. Problemi nuk është se nuk ka njerëz me dy pare mend që mund të thonë diçka të vlefshme për këtë situatë. Problemi qëndron diku tjetër. Përballë tmerrit të përsëritur e të stërpërsëritur, çdo fjalë e zgjuar, çdo analizë e mprehtë kthehet në boshllëk retorik dhe në banalitet. Me sa duket fjalorit tonë të ndjeshmërisë dhe empatisë po i afrohet fundi dhe çdo përpjekje që bëjmë për të gjetur shkaqet, përfundon si një rëndomësi totalisht e pavlerë, të cilën s’ka më njeri durim ta dëgjojë. S’ka mbetur më asgjë për të thënë! Terrori ia ka dalë të na bëjmë të besojmë se kemi mbetur pa fjalë dhe se mendimet tona bëjnë xhiro bosh. Shtoji kësaj edhe faktin se e kemi kuptuar që kjo histori me sa duket do të vazhdojë për vite e për dekada dhe panorama e pafuqisë sonë bëhet më e plotë. Thjesht ideja se për tragjedi të tilla si ajo e Nicës, nuk ka nevojë për superorganizime celulash terroriste në rangje ndërkombëtare, por mjaftojnë disa tipa me shqetësime psikike, të bën të dorëzohesh përfundimisht. Ujqit e vetmuar është e vështirë t’i kapësh.

Ky lloj terrori është tumori malinj i globalizmit. Produkt i një bote, në të cilën nuk qarkullojnë lirisht nga njëri cep i globit në tjetrin vetëm mallra, por edhe njerëz, kultura, fe dhe ideologji. Për pasojë përplasen dhunshëm modele të ndryshme e të papajtueshme të jetuari, vlera kundërshtuese dhe standarde tejet të pabarabarta mirëqenieje. Këtë përballje disa njerëz e përpunojnë mirë, të tjerë e shkarkojnë atë dhunshëm jashtë vetes.

Mesa duket do na duhet kohë të kuptojmë se edhe globalizmi s’është gjë tjetër veçse një teknikë e re, një mjeshtri e re e stilit të ri të jetës moderne. Dhe si çdo teknikë e re, ai ka viktima të reja, sepse çdo teknikë e re hap mundësi të reja fatkeqësish. Pa makina nuk do të kishte viktima në qarkullimin rrugor.

Ky lloj terrori është efekt i pashmangshëm anësor i një bote të globalizuar. Me shumë gjasë, do na duhet të mësohemi me të, siç jemi mësuar me shumë defekte të realitetit tonë hiperkompleks, të cilat i kemi pranuar, ngaqë nuk mund të rrimë më pa avantazhet e tij.