S’ka rifreskim të listës publike, të akuzuarit për vrasje personat më të kërkuar nga policia

12.03.2019 17:06:45

Në listën e personave më të kërkuar nga Policia e Kosovës, ende vazhdojnë të figurojnë të njëjtat fytyra.

Në këtë listë janë Radomir Kasaloviq, Dusan Jovanoviq, Ratomir Bozoviq, Branislav Rakiq, Petri Salihu, Korab Zogjani, Agron Kryeziu dhe Ilir Avdullahu.
Ratomir Bozoviq është i kërkuar për vrasjen e policit Enver Zymberi më 26 korrik të vitit 2011.
Për vrasje të rëndë vazhdojnë të kërkohen, Branislav Rakiq, Korab Zogiani, Petrit Salihu dhe Agron Kryeziu.
Ndërsa Ilir Avdullahu për të cilin ende nuk ka gjurmë është i përfshirë në vrasjen e policit Triumf Rizës.
Po ashtu të kërkuar janë edhe personat e rastit ‘Kosova 2.0’, incidenti i cili ndodhi me datën 14 dhjetor 2012. Në këtë incident u pengua dhunshëm promovimi i revistës ‘Kosova 2.0’.
Kosovarë që kërkohen për vepra të ndryshme penale ka edhe në organizatën ndërkombëtare të policisë – INTERPOL. Në këtë listë janë afër 100 persona.
Theksojmë se lista e personave të kërkuar nga policia është më e gjerë, mirëpo të lartëpërmendurit figurojnë në ueb faqen e Policisë së Kosovës si ndër më të kërkuarit.