S’ka vaksina kundër gripit sezonal

15.10.2016 11:07:30

Mungesa e vaksinave kundër gripit sezonal është vërejtur në disa komuna, kjo pasi ato që janë dërguar nga Instituti Kombëtar i Shëndet Publik janë të pamjaftueshëme. Kërkesat për t’u vaksionuar janë jashtëzakonisht të mëdha, derisa disa qendra të mjekësisë familjare kanë mbetur pa këto doza.

Nexhmedin Hoti, doktor i QKMF në Prishtinë, tha se numri i vaksinave të pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik nuk është i mjaftueshëm.

Ai tha se 600-700 doza të vaksinave janë marrë përgjatë dhjetë ditëve nga pacientët e komunës së Prishtinës.

Hoti theksoi se kanë marrë informatën nga po i njëjti institut  që do të furnizohen brenda dhjetë ditëve me vaksina.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia tha për KosovaPress, se është rritë vetëdijesimi i qytetarëve për vaksinim kundër gripit sepse kontingjenti i parë vetëm sa ka mbaruar. Ai shtoi se kërkesa e qytetarëve sa i përket vaksinimit është në rritje viteve të fundit.

Vllaznim Hoti, ushtrues i detyrës së drejtorit të QKMF-së në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress-in se edhe në komunën e Mitrovicës po mungojnë vaksinat për qytetarët dhe kërkesat janë jashtëzakonisht të larta.

Ai theksoi se kanë bërë kërkesë të re në Ministrinë e Shëndetësisë dhe janë në pritje të tre mijë dozave të reja.

Ndërsa, zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë, Faik Hoti i kontaktuar përmes telefonit i tha KosovaPress-it, se informata për mungesën e vaksinave në qytetin e Prishtinës dhe të Mitrovicës, e ka të mirën e saj, sepse, sipas tij kjo çështje po len të kuptohet se njerëzit janë vetëdijesuar dhe po e përfundojnë vaksinimin në kohë të duhur për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.

Ai përmendi se furnizimi ka qene me 50 mijë e 100 doza, dhe për dallim prej viteve të kaluara, tash këto doza kanë filluar të harxhohen dukshëm e jo të mbesin pa përdorim.

Një sasi prej 650 vaksinave mungon edhe në Komunën e Rahovecit, megjithatë, zyrtarët e drejtorisë së shëndetësisë në këtë komunë kanë thënë se furnizimi me kontingjentin tjetër të vaksinave, do të bëhet pas shpenzimit të sasisë e cila momentalisht është në dispozicion.

Kurse, në komunën e Vushtrrisë kanë deklaruar se është vërejtur një interesim i mirë qytetarëve për t’u vaksionuar, derisa kanë vaksinat e mjaftueshme për këtë komunë.

Vaksinat kundër gripit sezonal, merren pa pagesë në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare.