Skandali doping, Shqipëria humbet të drejtën e organizimit të Europianit

22.01.2018 16:02:09

Pas skandalit doping me peshëngritësen Romela Begaj, që doli pozitive me stanozolol për të dytën herë në karrierë, një muaj pas medaljeve në Botërorin e Amerikës, javën e kaluar erdhi dorëheqja e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.

Ndërsa sot, ka ardhur e-mail nga Federata Europiane e Peshëngritjes, se Shqipërisë i është hequr e drejta e organizimit të Kampionatit Europian të shtangës për kategorinë senior, që ishte programuar për t’u zhvilluar në Tiranë, më datat 23 mars-1 prill të këtij viti.

Përmes një komunikimi elektronik, ndërkombëtarët konfirmojnë faktin se Shqipëria nuk do të organizojë Europianin për shkak të problemeve me dopingun. Federata Europiane e Peshëngritjes pranon se për të ky është një problem i madh dhe se po sheh mundësinë e organizimit të këtij eventi në një shtet tjetër, duke i dhënë mundësi vendit të ri organizator ta zhvillojë Europianin edhe në një datë të mëvonshme. Ndërkombëtarët janë në negociata me disa nga shtetet e tjera anëtare për ta organizuar Europianin, të cilin synojnë ta zhvillojnë sipas planifikimit (në fund të marsit).

Ky vendim i Federatës Europiane të Peshëngritjes për heqjen e Shqipërisë të drejtën e organizimit të Europianit është një goditje e rëndë për shtangën shqiptare dhe mund të jetë hapi i parë i një seri masash edhe më të rënda karshi peshëngritjes shqiptare, deri në pezullim.