Skarlatina, sëmundja infektive e fëmijëve. Si të dallojmë simptomat

29.06.2018 21:38:10

Nëse brenda 24-48 orëve nga fillimi i antibiotikut fëmija nuk ka përmirësim, duhet kontaktuar patjetër mjeku pediatër, pasi në rast terapie joefektive ekziston risku i komplikacioneve të mundshme

Nga Griselda Toci, pediatre

Skarlatina është një sëmundje infektive akute, ngjitëse, që shkaktohet nga një bakter që quhet ‘streptokoku i  grupit A’. Zakonisht prek fëmijët nga mosha 5 deri 15 vjeç, me një frekuencë më të lartë në moshën 5-6 vjeç dhe rrallë pas moshës 15 vjeç, duke prekur njësoj si meshkujt dhe femrat.

Çfarë është skarlatina dhe cili është shkaktari?

Ethet e kuqërremta ose skarlatina është një sëmundje infeksioze , ngjitëse, që shkaktohet kryesisht nga streptokoku i grupit A . Streptokoku i grupit A prodhon një toksinë ( helm ) që jep skuqjen karakteristike të lëkurës prej nga merr dhe emrin sëmundja. Zhvillohet tek njerëzit që kanë të pranishëm bakterin e streptokokut në fyt. Skarlatina është më e zakonshme te fëmijët e moshës 5-15 vjeç, por në praktikën klinike vihen re prekje të zakonshme dhe të moshave 2-5 vjeç, me një pik maksimal të prekjes në moshat 5-6 vjeç. Njihet si sëmundje serioze e fëmijërisë por sot trajtimi me antibiotikë e ka zvogëluar ashpërsinë e simptomave dhe prevalencën e sëmundjes.

Cilat janë shenjat dhe simptomat e sëmundjes?

Shenjat dhe simptomat e skarlatinës zakonisht shfaqen 1-4 ditë pas marrjes së infeksionit fillestar. Simptomat e para karakterizohen nga skuqje dhe dhimbje fyti ( ka raste që shoqërohet me pika ose pllaka të qelbëzuara ) dhe një temperaturë e lartë mbi 38.3 gradë C . 12-24 orë pas shfaqjes së simptomave të para shfaqen shenjat në lëkurë, fillimisht si njolla të kuqe dhe më pas kthehen në pika fine rozë në të kuqe, që duken si djegie nga dielli dhe lëkura në prekje ndihet e ashpër. Shfaqjet në lëkurë ( ekzantema ) fillon në pjesën e poshtme të qafës, në sqetulla, rrëzë kofshëvë, shpatulla, gjoks dhe brenda 24 orëve gjeneralizohet dhe mbulon gjithë trupin. Nëse ushtrojmë presion në lëkurë me një xham, skuqja e lëkurës do të zbardhet . Për rreth 6 ditë ekzantema në lëkurë do të zbehet. Fytyra zakonisht nuk preket, por është karakteristike veshja me një shtresë të bardhë të gjuhës ku duken ngritje me ngjyrë të kuqe, pamje e cila i jep emrin “ gjuha luleshtrydhe” karakteristike e skarlatinës .

Simptoma të tjera janë: ndjenja e të qenit i pafuqishëm, dhimbje koke, kruarje, të vjellla, të përziera, humbje oreksi, dhimbje barku, zmadhim të gjëndrrave limfatike të qafës të cilat bëhen të forta në prekje . Në rast diarreje, të vjellash apo dhimbjesh të forta muskulare duhen kërkuar shkaktarë të tjerë siç është TSS ( Sindroma e shokut toksik ). Pasi skuqja e lëkurës kalon, në pjesën e duarve dhe të këmbëve vihet re rigjenerimi i lëkurës.

Si transmetohet infeksioni?

Infeksioni transmetohet nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, spërklave nga kollitja ose teshtima e personit të sëmurë ose bartës të infeksionit , nëpërmjet lëkurës së dëmtuar, nga kontakti direkt nëpërmjet puthjes ose duarve, kontakti direkt me sipërfaqen e kontaminuar, përdorimi i enëve të njëjta të ngrënies me personin e infektuar .

Cilët janë më të riskuar për t’u prekur nga skarlatina ?

Çdokush mund të infektohet nga streptokoku i grupit A dhe ethet e kuqërremta (skarlatina ) por më të riskuar janë fëmijët e grupmoshave 5-15 vjeç. Personat që kanë në shtëpi të prekur nga skarlatina ose që kanë kontakt të ngushtë me persona të infektuar.

Si vendoset diagnoza?

Diagnoza vendoset nga mjeku nëpërmjet ekzaminimit fizik (simptomat , prekja e fytit, bajameve, gjuha karakteristike), zmadhimi i gjëndrrave të qafës, shenjat në lëkurë dhe kultura e fytit ku evidentohet në laborator prania e streptokokut të grupit A. Si ta kuptojmë që fëmija është prekur nga skarlatina dhe jo një sëmundje tjetër infektive? Sigurisht që për vënien e diagnozës duhet ekzaminimi nga mjeku pediatër, megjithatë duhen patur parasysh shenjat karakteristike të skarlatinës: dhimbja e fytit, gjuha e luleshtrydhes, skuqja e lëkurës dhe prania e streptokokut në kulturën e fytit.