Skema e vjedhjes së 2 milionë eurove – 17 llogaritë në të cilat u shpërndanë paratë e Thesarit të Shtetit

24.10.2020 11:13:38

Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera.

Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze.

Mësohet 261 mijë euro të tjera janë tërhequr në para të gatshme në banka nga pronarët e LDA Group Sh.P.K: Valon dhe Kadri Shala.

Rreth 400 mijë të tjera dyshohet se janë bllokuar në xhirollogaritë e kompanisë, në të cilën u realizuan katër pagesa ilegale në emër të Ministrisë së Infrastrukturës.

Përpos tërheqjes në formë kesh dhe elektronike të 266 mijë e 572 eurove nga xhirollogaritë e firmës, Valon e Kadri Shala kanë transferuar 26 mijë euro në xhirollogarinë e Klubit Futbollistik “KF Gryka e Llapushnikut” – një klubi të shuar futbolli, të cilin e kishte drejtuar Kadri Shala disa vjet më parë.

Dy pronarët e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K. ndodhen në arrati që nga e marta. Atë ditë, Policia e Kosovës arrestoi Labinot Grudën, zyrtarin e Thesarit të Shtetit, i cili dyshohet për transferet ilegale në vlerë prej mbi dy milionë eurove.

Por, jo vetëm këta tre persona qëndrojnë prapa skemës së vjedhjes dhe shpërndarjes së milionave të zhdukur nga Thesari.

Gazeta Insajderi ka zbuluar se skema e vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit implikon edhe njerëz të lidhur me politikën, një kompani të huaj me bazë në Turqi dhe biznesmenë të tjerë të profilit jo të lartë.

Brenda ditëve të para pas vjedhjes nga Thesari i Shtetit, shumica e mjeteve janë transferuar nga LDA Group SH.P.K në llogaritë e 13 kompanive të tjera private dhe 4 personave fizik.

Po ashtu gazeta ka zbuluar rrjedhën e parave të cilat dëshmojnë se 340 mijë euro janë transferuar nga llogaria e kompanisë LDA Group SH.P.K në adresë të kompanisë turke, “Vekoç Makina Insaat”. Janë kryer dy transaksione: njëra në vlerë prej 215 mijë eurove dhe një tjetër në vlerë prej 125 mijë eurove.

“Vekoç Makine – Vekoç Makina Insaat” është një kompani e regjistruar në Tuzla, një lagje e cila ndodhet në kufirin lindor të Stambollit.

Pronari i kësaj kompanie, e cila merret me aktivitetet e përpunimit dhe prodhimit të betonit, rezulton të jetë Vehbi Koç.

Biznesmeni Koç besohet të ketë lidhje me Kadri dhe Valon Shalën, pronarët e LDA Group Sh.P.K të cilët dyshohet se pas transferimit ilegal të mjeteve janë arratisur në drejtim të Turqisë.

300 mijë euro të tjera nga LDA Group janë transferuar në xhirollogarinë e Gashi Komerce Sh.P.K, një firme private me bazë në Suharekë.

Bazuar në regjistrin e të dhënave pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), pronarë të Gashi Komerce Sh.P.K figurojnë Gëzim dhe Mevlide Gashi.

Të dy zotërojnë nga 50 për qind të aksioneve të firmës, e cila merret me prodhimin e artikujve të plastikës për ndërtimtari.

Tri ditë pas zhdukjes së milionave të Thesarit, secili nga dy djemtë e bashkë-pronarëve të Gashi Komerce Sh.P.K, u bënë pronarë të dy veturave të reja të markës gjermane Audi.

Kështu sugjeron një postim i bashkëshortit të Mevlide Gashit dhe vëllait të Gëzim Gashit, i cili uroi djalin e nipin e tij për blerjen e dy veturave të reja në një sallon automobilësh në Prishtinë.

Sipas të dhënave publike, Gashi Komerce Sh.P.K ka deklaruar kapital në vlerë prej 2 mijë eurove, ndonëse firma është regjistruar si biznes më 2014, raporton Gazeta Insajderi.

Pjesë e skemës së vjedhjes milionëshe nga Thesari është edhe Burim Bujupi. Kësisoj, lidhjet e tij çojnë edhe drejt Kadri Shalës, bashkë-pronarit të “LDA Group” Sh.P.K.

Gazeta Insajderi, ka mësuar se në xhirollogarinë e bashkë-partiakut të Kadri Shalës, është procesuar një transaksion në vlerë prej mbi 50 mijë eurove disa orë pas transferimit të mjeteve të vjedhura nga Thesari në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K., tregojnë të dhënat.

Bujupi, aktivitetet e tij i ndan mes politikës e biznesit. Ai është ortak biznesi me Mërgim Lushtakun, deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Dy biznesmenët që merren edhe me politikë, udhëheqin bashkë kompaninë private,“Koni projekt” Sh.P.K., e cili – bazuar në të dhënat e publikuara në ARBK – ka përcaktuar si aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore, ndërkaq si aktivitet sekondar zhvillimin e projekteve ndërtimore.