Skema e VV-së: Presidenti dhe kryetari i Kuvendit opozitës eventuale, hap rrugën për një koalicion VV-PDK

05.07.2017 15:01:47

Nga Rexhep Kastrati

Rexhep Selimi konfirmoi edhe një herë qëndrimin e mëhershëm të VV-së për votimin e kandidatit të PAN-it, për kryetar Kuvendi. Dhe këtë e quan përmbajtje të kushtetutës, duke bërë të qartë në tërësi hipokrizinë e saj politike dhe mashtrimin e madh politik të realizuar gjatë viteve. Edhepse kjo kërkon një analizë tjetër, megjithatë, arsyetimi i votimit të kandidaturës së PAN-in për kryetar me përcaktime kushtetuese, është një mënyrë për të kamufluar bashkëveprimin dhe bashkëpërgjegjësinë politike me PDK-në, AAK-në e Nnismën kundër Qeverisë së Kosovës të kryesuar nga LDK-ja, dhe trasimin e një koalicioni VV-PDK, të cilin e kam paralajmëruar në fillim të këtij viti.

Është kështu për faktin se arsyetimi sipas të cilit duhet ta votojmë kandidatin e PAN-it për kryetar Kuvendi, e pastaj të votohet Qeveria pa PAN-in, është një mashtrim, sepse nëse teorikisht do të provohej të zbatohej një strategji e tillë, atëherë do të dilte që krytari i Kuvendit të jetë nga opozita, që përsëri është kundër kushtetutës.

Po ashtu, edhe po të zbatohej ky skenar, atëherë i bie që opozitës t’i takojnë dy postet kryesore, kurse pozitës vetëm Qeveria. Dhe çfarë stabiliteti qeverisës do të kishte në një rast kur edhe ligjmiratimi, edhe dekretimi i tyre janë në dorë të opozitës eventuale? Në aspektin praktik, kjo nuk është e mundur, sepse nëse PAN nuk do të arrijë që të formojë Qeverinë, edhe do të shuhet, pra nuk do të ketë më grup kuvendor që do t’ia garantonte kushtetutshmërisht postin e kryetarit të Kuvendit.

Është kështu për faktin se nëse PAN do të prishej për shkak se nuk do ta bënte Qeverinë, atëherë do të dilnin tri grupe kuvendore që do të ishin në pjesën e poshtme të tabelës dhe nuk do të kishin kushtetutshmërisht të drejtën për ta pasur postin e kryetarit të Kuvendit. Dhe rrjedhimisht, kryetari i votuar i Kuvendit do të kishte jetëgjatësi derisa do të votohej Qeveria nga të tjerët, e pastaj do të dilte se koalicioni që do të bënte Qeverinë, do të mund të zgjidhte kryetarin e Kuvendit.

Si e këtillë, kjo skemë del të jetë një mashtrim. Dhe ky mashtrim, në radhë të parë ka të bëjë me LDK-në për ta futur në koalicion me VV-në, e pastaj për ta bërë bashkëpërgjejgëse për rrjedhat që do të merrnin zhvillimet, por edhe për Aleancën dhe Nismën.

Në fakt, ajo që mund të fshihet mbrapa taktikës për të votuar kryetarin e Kuvendit nga PAN është edhe mundësia e një koalicioni VV-PDK, sipas të cilit VV do të kishte kryeministrin, kurse PDK do të kishte kyetarin e Kuvendit dhe presidentin, pra e njëjta skemë që ishte në koalicionin e kaluar nëdrmjet PDK-së dhe LDK-së. Përfshirja e LDK-së në koalicion me VV-në, edhe me postin e kryeministrit, por që kryetari i Kuvendit të ishte nga PDK-ja, do ta trondiste keqas, sepse do të binte në kurthin e tyre.

Prandaj, kur kam thënë se koalicioni me VV-në duhet t jetë me kushte, e prëveç postit të kryeministrit, duhet të ketë garanci që të mos votohet ndonjë kandidat i PAN-it, apo i PDK-së për kryetar Kuvendit, në të kundërtën duhet të shohë alternativa të tjera, përfshirë edhe qëndrimin në opozitë.