S’kemi lidhje me Erdoganin, Turqia shtet mik

10.12.2016 09:18:45

Drejtuesit e subjektit politik “Besa”, ndaj të cilëve rivalët politikë në Maqedoni e drejtojnë gishtin akuzues për lidhje dhe financim të drejtpërdrejtë nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, mohojnë lidhjet me këtë të fundit, ndonëse nuk preferojnë shumë të flasin për figurën e tij, me arsyetimin se nuk kanë shumë informacion, shkruan sot, gazeta “Zeri”.

“Unë nuk mund të flas për figurën e Erdoganit për faktin e thjeshtë se s’kam informacion shumë të saktë për të”, ka thënë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” nënkryetari Zeqirja Ibrahimi, duke shtuar se kur një figurë të tillë siç është Erdogan shumë medie e shpallin si Hitlerin e dytë apo të tjerat e quajnë shpëtimtarin e botës, është e vështirë të gjendet një mendim i saktë për të.

Ky subjekt politik, i cili moto partiake ka: “Zot për shqiptarinë”, pranojnë se në Maqedoni ka elemente të islamizmit radikal apo të ekstremizmit fetar, por thonë se janë të vetmit që kanë ide sesi të zgjidhet çështja e ekstremizmit fetar.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin”, numri dy i lëvizjes “Besa” flet në pika të shkurtra për financat e partisë, për shpenzimet, përkatësisht organizimin e autobusëve për bartjen e shqiptarëve nga diaspora për të votuar të dielën (nesër) për raportet me Lëvizjen “Vetëvendosje” në Kosovë, etj.

Zëri: Lëvizja “Besa” për herë të parë merr pjesë në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë, çka synoni të arrini në këto zgjedhje?

Ibrahimi: Ka disa synime, nëse flasim në aspektin më afatgjatë, më historik të vizionit të kombit; ishte dashur që ne ta kemi në konsideratë që të mbetet indi shqiptar i fuqishëm në Maqedoni. Për faktin e thjeshtë sepse gjatë kësaj qeverisjeje ka pasur shpërngulje të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë, e cila është në kuadër të planeve që të zbrazet rajoni prej shqiptarëve. Në plan afatgjatë synojmë që kombi shqiptar të mbetet i fuqishëm në Maqedoni. Në planin afatshkurtër, që të realizohet ky vizion synimi ynë është që t’i fitojmë zgjedhjet në kampin politik shqiptar.