Skocia, drejt një referendumi të dytë për pavarësi

13.10.2016 19:51:07

Skocia duket e vendosur të shkëputet prej Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht dështimit të një referendumi mbi këtë çështje, përpara se të mbahej një tjetër referendum, më i rëndësishëm ky, për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Konsultat mbi planin për ndërmarrjen e një referendumi të dytë për pavarësi do të zhvillohen javën e ardhshme. Kështu konfirmoi kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon, gjatë një konference të partisë së saj të mbajtur në Glasgow, duke shënuar kështu hapin e parë drejt një votimi të dytë.

Sturgeon tha se Skocia gëzon të drejtën për të ndjekur një tjetër rrugë, nëse nuk do të lejohet të mbrojë interesat e saj “brenda Mbretërisë së Bashkuar”.

Referendumi i parë për pavarësinë e Skocisë, që u zhvillua më 18 shtator të vitit 2014, pati si rezultat refuzimin me 55 për qind të pjesëmarrësve të shkëputjes nga Britania e Madhe.

Sturgeon u tha delegatëve partiakë se Skocia do të ushtronte të drejtën e saj për të gjetur diçka më të mirë, nëse përballë do t’i hapej një perspektivë paqëndrueshmërie në të ardhmen, si pjesë e monarkisë.

“Jam e bindur se Skocia do të ketë aftësinë për të rikonsideruar çështjen e pavarësisë dhe për ta bërë këtë gjë përpara se Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE-ja, nëse kjo do të jetë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit tonë. Kështu që, unë mund t’iu konfirmoj sot se drafti për një referendum të dytë pavarësie do të publikohet për konsulta të mëtejshme gjatë javës së ardhshme”, tha kryetarja e partisë në pushtet “SNP”.

Më 24 qershor, një ditë pasi Britania votoi pro “Brexit”-it, Sturgeon tha se një referendum i dytë për pavarësinë e Skocisë është “shumë i mundshëm” të mbahet. Ata që votuan në Skoci në referendumin e qershorit mbështetën me 62 për qind qëndrimin në BE, ndërsa e gjithë Mbretëria e Bashkuar mbështeti largimin prej bllokut me 52 për qind.

Gjithsesi, Sekretari skocez David Mundell i bëri thirrje kryeministres Sturgeon “të angazhojë qeverinë e saj për të punuar në mënyrë konstruktive me qeverinë britanike, për të shqyrtuar të gjitha mundësitë që do të ofrohen, duke mos e kthyer Skocinë mbrapa në kohë, në debatet kushtetuese përçarëse të së kaluarës”.

“Bisedimet e vazhdueshme për një tjetër referendum pavarësie po krijojnë paqartësi dhe po shkatërrojnë ekonominë skoceze, në një kohë kur rritja jonë ekonomike po mbetet prapa ekonomisë britanike si një e tërë”, deklaroi ai.