Sllovenia fuqizon lidhjet ekonomike me Rusinë

10.09.2019 20:18:27

Kryeministri slloven, Marjan Sarec, ka mbërritur në Moskë për një vizitë dy-ditore, gjatë së cilës ai do të zhvillojë bisedime me homologun e tij rus, Dmitry Medvedev.

Në këtë vizitë, kryeministri slloven është i shoqëruar nga një grup afaristësh slloven.

Medvedev dhe Sarec do të diskutojnë një “spektër të gjerë temash të bashkëpunimit dypalësh në tregti, ekonomi, energji, investime dhe sektorë të teknologjisë, si dhe bashkëpunim kulturor dhe humanitar”, thuhet në faqen e internetit të qeverisë ruse.

“Tregu rus është shumë interesant për ne. Dhe sigurisht, ne do të kërkojmë të gjejmë mundësi të reja për bashkëpunim, pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë”, citohet të ketë thënë kryeministri Sarec, sipas agjencisë ruse Tass.

Zyra e tij njoftoi se vizita do të përqëndrohet në bashkëpunimin ekonomik, por edhe në temat e politikës së jashtme.

Sarec dhe Medvedev gjithashtu pritet të marrin pjesë në zbulimin ceremonial të një monumenti kushtuar sllovenëve që vdiqën në tokën ruse gjatë të dy luftërave botërore.

Nuk dihet nëse kryeministri slloven do të pritet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Parlamenti i Sllovenisë e zgjodhi Sarec – një rishtar politik – si kryeministër në gusht të vitit 2018.

Më parë, ai kishte punuar si kryetar i qytetit Kamnik në Slloveni. Ai gjithashtu ishte një zjarrfikës vullnetar.

Sarec ka punuar edhe për transmetuesin publik, ku u bë i njohur për imitimin e zërave të politikanëve në emisionet humoristike.