Sommer: Evropa po e lë Ballkanin të rrëshqet nën ndikimin e Rusisë

28.03.2017 13:10:51

Publicisti i njohur gjerman, Theo Sommer, dikur drejtues i gazetës gjermane të përjavshme ”Die Zeit” i ka kushtuar një analizë situatës së tanishme në rajonin e Ballkanit.

Sipas tij, Europa është duke e lëshuar Ballkanin në duar të Rusisë, përderi sa aty ka një krizë në Maqedoni, korrupsion në Kosovë, dhe probleme në Bosnjë e Hercegovinë.

Sommer i qaset Ballkanit duke përmendur disa çështje historike të rajonit pas fillimit të Luftërave ballkanike dhe para fillimit të asaj botërore, duke vazhduar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të mundur Sllobodan Millosheviqin.

Duke përmendur angazhimin ushtarak të NATOsë, BE-së dhe OKB-së në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni, Sommer konsideron se në Maqedoni ka krizë, Kosova është një shtet mafioz, kurse Bosnja e Hercegovina është e ngarkuar me ministra, duke kulminuar me, thënë kushtimisht, akuzën se Evropa po ia lë Ballkanin Rusisë, përcjell Dialogplus.ch.

”NATO, BE dhe Kombet e Bashkuara kanë stacionuar dhjetëra-mijëra ushtarë në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni, mes tyre 65 mijë ushtarë gjermanë, prej të cilëve sot 650 vazhdojnë të jenë të angazhuar në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Si në Bosnjë edhe në Kosovë Aleanca Veriatlantike është përgjegjëse për mbrojtjen e këtyre vendeve. Misioni i BE-së, Eulex, ka për detyrë të kujdeset për sundimin e ligjit në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë më 2008 dhe shumë vëzhgues e konsiderojnë shtet mafioz. Në Bosnjë-Hercegovinë Përfaqësuesi i Lartë dhe i dërguari i BE-së tashmë një çerek shekulli përpiqen për të siguruar stabilitet. Kjo ka qenë një përpjekje e dështuar. Politika e nivelit të lartë sërish e ka harruar Ballkanin”, shkruan Sommer.

Për publicistin gjerman, perspektiva e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE sikur e ka humbur efektin e saj, dhe se në vend se të bëhet europianizimi i Ballkanit, Sommer thotë se ka ndodhur ballkanizimi i Evropës.

”Një kohë të gjatë BE shpresonte se perspektiva e anëtarësimit në BE do t’i bëjë të arsyeshëm akterët rajonalë dhe do t’i shtyjë të durojnë njëri-tjetrin. Perspektiva e hyrjes në BE gati e ka humbur efektin. Kështu që sot mund të themi: para dy dekadave Europa mori rrugën për të europianizuar Ballkani. E kundërta ka ndodhur: Europa është duke u ballkanizuar”, shprehet ai.

Në lidhje me Maqedoninë, publicisti Sommer thotë se Maqedonia po zien, pasi që tensionet maqedono-shqiptare po vlojnë, duke vlerësuar se kriza mundet të kalojë në konflikt civil.

”Njëkohësisht po zien Maqedonia. Tensionet mes shumicës maqedonase (64 për qind) dhe pakicës shqiptare (25 për qind) pas zgjedhjeve të dhjetorit kanë arritur një pikë të re vlimi. Kryeministri shumëvjeçar po refuzon të dorëzojë pushtetin. Ai nuk ka qejf ta dorëzojë «sistemin e tij të gangsterëve për shpërndarjen e parasë publike» (Le Monde Diplomatique). Disa vëzhgues kanë frikë se kriza e shtetit mund të përfundojë në luftë civile. «Mos luani me zjarr», ia tërhoqi vërejtjen kryeministrit e ngarkuara e BE-së për politikë të jashtme, Mogherini. Në lutjen e saj jehonte edhe shqetësimi se mund të bie shkëmbi maqedonas kundër valëve të refugjatëve në drejtim të Europës”, vlerëson Sommer.

Vlerësimi i gjermanit është se në rajon është duke u rritur simpatia për Kremlinin, ndërkaq tërheq vërejtejn se Evropa nuk po bën gjë, se shikon anash. Ai thotë se Evropa duhet të bëjë më shumë që Ballkani të mos bëhet sërish fuçi baroti. Analizën e plotë e gjeni në këtë vegëz.